Dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se drejtues të sulmit të ndodhur në vitin 1998 në Rahovec, ishin Ismet Tara dhe Sabahudin Cena.
Sipas mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis në një deklaratë të dhënë në vitin 2013 nga dëshmitari 46-të kur ka folur për këtë sulm, ka thënë se Ismet Tara dhe Sabahudin Cena e kanë drejtuar këtë sulm, këtë e konfirmoi sërish dëshmitari.
Sipas tij, deklaratën e ka mbështetur në atë se të gjithë shqiptarët deklaronin se Ismet Tara ishte komandat kryesor.
Ndërsa i pyetur lidhur me armatimin e popullatës civile serbe, dëshmitari ka thënë se të gjithë banoret e moshës madhore kishin marrë armë.
“Te gjithë banorët e moshës madhore kishin marrë armë në mbrojtje të territorit të qytetit”, tha dëshmitari.
Kurse, i pyetur se a është armatosur edhe familja e tij, dëshmitari tha se ai dhe vëllai i tij po.
“Unë dhe vëllai ishim armatosur për të mbrojtur territorin e qytetit”, tha dëshmitari.
Avokati Ellis e pyeti dëshmitarin nëse në një deklaratë të dhënë në vitin 2013, ka deklaruar se të gjithë shqiptarët ishin UÇK, ai tha se qëndron pas kësaj deklarate.
Sipas avokatit, dëshmitari kishte deklaruar se nëse nuk ishin të përfshirë aktivisht, ju ndihmonin financiarisht, ose në mënyra të tjera UÇK-së.
Sipas avokatit Ellis ajo çka ka deklaruar dëshmitari për udhëheqësit e UÇK–së në Rahovec, është e mbështetur në thashetheme apo përmes deklaratave që ka dëgjuar nga të tjerët.
Këtë deklaratë, e konfirmoi edhe vetë dëshmitari. Sipas tij, për strukturën e UÇK-së në Rahovec kishte marrë informata nga shokët shqiptarë.
Dëshmitari tha se Sabahudin Cena ka qenë udhëheqës politik sepse mbante takime edhe shfaqej në gazeta dhe se kumtesat e tij politike dilnin në gazeta.
Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, punëtor i Ministrisë së Brendshme të Serbisë
(Përditësuar, ora 11:12)- Dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W00498, ka thënë se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori Niko Barling, dëshmitarin ka filluar ta marrë në pyetje avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari tha se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe merret me emigrantë.
Ndërsa, kur u pyet se a është këshilluar nga punëdhënësi i tij lidhur me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë procesit të dëshmisë, kjo gjë u mohua nga dëshmitari.
“Jo, punëdhënësi im nuk e dinë fare që unë sot jam këtu”, tha ai.
Dëshmitari i 46-të i ZPS-së fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në seancën e mbajtur më 1 shkurt 2024, dëshminë e filloi dëshmitari i 45-të i ZPS-së, Hajrush Kurtaj, i cili pritej që ta vazhdojë edhe sot dëshminë, por dëshminë po e filloi dëshmitari i 46-të, i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe identiteti i tij nuk u bë i ditur.
Sipas përmbledhjes që ZPS-ja lexoi në sallën e gjyqit, ky dëshmitar do të dëshmojë për rrëmbimin e anëtarëve të familjes në zonën e Rahovecit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim ky dëshmitar në pyetje është marrë nga prokurori Niko Barling, ku tha se edhe pse kishin shpresë që babai dhe vëllai i tij mund të ishin gjallë, ata u gjetën të vdekur.
“Më 2007 na thanë se e gjetën ADN-në e vëllait dhe babës tim. Në qershor shkova i mora eshtrat e tyre”, tha dëshmitari.
Këtë seancë, përmes video-lidhjes është duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.
Para dëshmisë së këtij dëshmitari, trupi gjykues lëshoi një urdhër gojor, duke urdhëruar Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të mbrojtjes së Thaçit deri më 11 mars.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
===Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i 46-të, me numër W00498 në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Ky dëshmitar ka pranuar para trupit gjykues se është punëtor i MUP-it serb, i cili punon me emigrant.
Ai po merret në pyetje nga avokati mbrojtës i Jakup Krasniqit. I pyetur nëse është këshilluar me punëdhënësin e tij që pranë trupit gjykues të paraqitet me emër tjetër, ai u përgjigj se punëdhënësi i tij nuk e di as që ai është në Hagë.
Dëshmitari me numër W00498 po pretendon se babai dhe vëllai i tij, janë vrarë nga ish pjesëtarë të UÇK-së.