11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Dështon seanca, mungojnë të akuzuarit në gjykimin për fajde

Sot ishte e paraparë të rifillojë rigjykimi në rastin e të akuzuarve Tunë Kqira dhe të tjerët, mirëpo seanca u shty në mungesë të të akuzuarve.

Fillimisht në shkurt të vitit 2018 Gjykata Themelore Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues.

Rreth 4 muaj më vonë Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në seancën e sotme, munguan të akuzuarit Benson Buza, për të cilin mbrojtësi i tij avokat Visar Haxhibeqiri, deklaroi se i njëjti gjendet jashtë shtetit, për trajtim mjekësor të bashkëshortes, pasi që e njëjta është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjithashtu në seancë nuk u paraqitën as e akuzuara Zyrafete Ukolli, pasi sipas mbrojtësit të saj avokat Islam Gashi e njëjta është e sëmurë por nuk ka asnjë informacion shtesë tjetër.

Gjithashtu mungoi i akuzuari Ragip Fazlija, për të cilin mbrojtësja e tij avokate Elvane Gjini, deklaroi se ”kam kontaktuar me të mbrojturin tim dhe i kam rikujtuar datën e seancës së sotme , dhe i njëjti kishte premtuar se do të vijë”.

Në seaqncë mungoi edhe i akuzuari tjetër Ekrem Leci, mbrojtësi i tij avokat Asim Loshi deklaroi se e ka të pamundur të kontaktojë me të mbrojturin e tij.

Në këtë situatë dhe në mungesë të akuzuarve të lartcekur, Prokurorja nga prokuroria speciale Merita BIna – Rugova deklaroi se është evidente që sot nuk janë plotësuar kushtet për të mbajtur këtë seancë, janë disa persona si Zyrafete Ukolli, dhe Ekrem Leci, të cilët vazhdimisht mungojnë në seancë pa arsye, ashtu që propozoi që të ndërmerren masat konform dispozitave ligjore kundër tyre, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tyre në seancat e ardhshme .

Prokurorja nga ana e prokurorisë speciale Merita Bina – Rugova, deklaroi se e njëjta do të analizojë mundësinë e ndarjes së lëndës apo veçimit të procedurës për disa të akuzuar, gjithashtu deklaroi se ”… në rast se vlerësojmë se janë plotësuar kushtet do të bëjmë një propozim më vonë me shkrim në një afat sa më të shkurtër dhe do të lajmëroj trupin gjykues ”.

Me propozimin e tillë u pajtua edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat Tomë Gashi, i cili deklaroi se ” përkrah propozimin e prokurores që ajo as më shpejtë që është e mundur të analizojë mundësinë e ndarjes së procedurës për disa të akuzuar ”.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi askush nga të akuzuarit apo mbrojtësit e tyre.

Nën këto rrethanta trupit gjykues i përbërë nga kryetari Xheladin Osmani dhe Artan Sejrani dhe Refki Piraj anëtarë të trupit gjykues, vendosën që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta u caktua për datë 13 dhjetor.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani theksoi se do t’i ndërmarrin ceprimet e caktuara ligjore për të siguruar praninë e të akuzuarve tjerë në seancat e rradhës.

Gjithashut në përfundim të seancës gjyqtari Xheladin Osmani shtoi se deri në datën e seancës së rradhës edhe prokurorja e rastit ka kohë të mjaftueshme që të paraqesë propozimin e saj lidhur me ndarjen e lëndës për disa të akuzuar, dhe trupi gjykues mund të merr vendim për një propozim të tillë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit