13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Dita e “kapitullimit” të një tradhtari… në Paris

Politikani dhe ushtaraku me shumë influencë për kohën, një figurë kontradiktore në historinë e Shqipërisë: më 13 qershor 1920, vritet publikisht në Paris, Esad Pashë Toptani, i cili gjendej aty, në kuadër të Konferencës së Paqes, si mik dhe aleat i Francës gjatë Luftës I./Konica.al

Vrasja e bujshme pasqyrua nga mbarë shtypi i huaj, si edhe gjyqi i Avni Rustemit – ky i fundit, i bujshëm për gjakftohtësinë.

 

Më 13 qershor 1920 në Paris, Avni Rustemi i bëri atentat Esad Pashë Toptanit duke i shtënë dy herë pas shpine, tek po dilte nga restoranti ku po drekonte, në rr. Castiglione.

E përditshmja franceze “Le matin” në datën 14 qershor 1920, në ballinë, shkruante për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë: “Gjeneral Esad Pasha, ish-diktatori i Shqipërisë, u vra në Paris nga një shqiptar. Vrasësi u arrestua.”

Po kjo gazetë, e datës 30 nëntor 1920, në faqen e parë ka një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasjeje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku veçanërisht, bie në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27-vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20-vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset te të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht «klishetë».

Seanca gjyqësore, e pasqyruar në gazetën franceze:

“Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esat Pashës përfaqësohet, si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.

Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.

Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet shqiptarëve që luftonin kundër Greqisë, me qëllim “çirimin e Epirit”.

***

Drioux: Në atë momentr, ju nuk e njihnit Esat Pashën?

Avni Rustemi: Oh, kanë folur shumë për të!

Drioux: Po ju paralajmëroj, se do të jem tepër i kujdesshëm. E pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, do t’ju lejoj të thoni atë që dëshironi.

***

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se, në Shqipëri, kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo që luftoi Esat Pashën.

… Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon “një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën” dhe kuptohet, se është kundra  “Esatit”. Në vijim, niset për në Paris.

***

Drioux: Çfarë burimesh financiare keni?

Avni Rustemi: Pak më shumë se 6,000 lireta.

Drioux: Nga vijnë këto të ardhura?

Avni Rustemi: Nga im vëlla.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Kjo dëshmon, se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.

***

Rustemi e përgjonte Esatin, nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », ngjitur me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain, në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

***

Avni Rustemi: Kur pashë këtë njeri, u turbullova dhe nuk e kontrollova dot veten.

Drioux: Dhe pastaj, qëlluat?

Avni Rustemi: Ishte një gjest, ashtu si marrja e Bastijës!

 

Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj, shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën, me Luigjin e XVI! Ju paralajmërova, se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Franca, ka besuar gabimisht, disa herë.

***

Procesi mbyllet me këto fjalë të akuzuarit:

Avni Rustemi: Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Gjithmonë, jam udhëhequr nga ndjenja të pastra.

***

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.

***

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

***

Avokati i Rustemit, De Monzie: Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin?

***

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux, për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Zoti Edouard Julia e konsideron Esatin, si një mik të Francës.

***

Julia: Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie: Esati, a nuk e dorëzoi Shkodrën, më 1913 armiqve të shtetit të tij? Dëshmitarë të tjerë, do të vijnë të tregojnë.”

***

Eskpertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq, si për shembull, gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj, nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.

Më Shumë

Trepça bindëse ndaj Bashkimit

Klubi basketbollistik Trepça ka shijuar fitoren e 20-të radhazi, duke mposhtur këtë herë Bashkimin me rezultat 92:78 (37:23, 9:25, 23:13, 23:17). Mitrovicasit janë duke vazhduar...

Kot grindem me hënën

Enver Sulaj Fjalët e shenjta më vijnë si profeci Si magji Si ankth Dhe më lënë pa frymë, pa fjalë. Sonte mori fund vuajtja Fjalët ikën tej reve Ti dridhesh si...

Lajmet e Fundit