3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ditar dhe ankth

Shkruan: Hajdar Mallaku

Sa herë i bëjmë promovimet e librave, ajo orë shndërrohet në orë festive, sepse librin e marrim nga duart e autorit për ta bërë libër publik, i cili do të ecën në jetën kulturore tonën dhe do të jetoj për aq kohë sa do të gjendet në duar të lexuesve, për ndryshe atë libër e fundos pluhuri e harresa edhe pa e asgjësuar askush.

Ka kohë që këtë libër e kemi në duar dhe gjatë këtij përurimi do ta tregojmë sinqeritetin ndaj autorit dhe librit, se po ia bëjmë përurimin librit e jo vetvetes. Autori këtë libër po e boton për herë të dytë. Herën e parë e botoi më 2006 me titull ‘Ditari i një shqiptari në Beograd’ ndërsa herën e dytë po e boton këtë vjet me titull të ndryshuar ‘Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd’ me disa plotësime.

Titulli i botimit të parë na përkujton ditarin shumë personal të një shqiptari, cilido çoftë ai, ndërsa ky i botimit të dytë na e përkujton qenien e dyfishtë: të një shqiptari mbetur në Beograd, në vorbullën e një lukunie ujqish të stepëve tërbuar nga bombardimet e NATO-s dhe të një gazetari me status të mbrojtur ndërkombëtarisht.

Libri është ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë ‘Baticat dhe zbaticat e jetës’- ditari i mbajtur nga data 28 mars 1999 e deri më 24 qershor 1999, pjesa e dytë ‘Situata politike në Serbi para fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s ( bazuar në raportet e përgatitura për ‘Zërin e Amerikës), dhe pjesa e tretë Shtojca nga ngjarjet dhe dokumente të ndryshme përfshirë edhe Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB. Këtu janë botuar edhe letra drejtuar miqve shqiptarë nga organizata joqeveritare dhe personalitete nga Serbia, që para lufte ishin pothuajse të nemituara.

Vetë ditari është një hartim letraro-shkencor që i regjistron në mënyrë selektive ngjarjet e ditës duke shprehur qëndrimin e autorit ndaj tyre dhe anën emocionale të tij. Mbahet në fund të ditës. Fjala ditar përkon me fjalën latine Diarium (mbarim dite, vdes dita) ndërsa fjala gazetë –diurinis-i ditës). Duke qen i vetëdijshëm autori përdor stilin gazetaresk ku gjuha është e drejtpërdrejtë e jo figurative si është gjuha e letërsisë. Ai është i vetëdijshëm se gazetaria është vetëm gazetari.

E gazetaria është ‘pushtet i pushteteve, është fuqia e katërtë e madhe e botës. Por gazetaria s’është e lehtë. Thuhet se është më vështirë të shkruash një shkrim të mirëfilltë gazetaresk apo libër, sesa një roman. Shkrimi gazetaresk duhet të ofrojë fakte dhe vlera të tjera të shkruara: etikën profesionale, paanësinë, përgjegjësinë morale. Qëllimi i tij është t’i detyrojë lexuesit që ta lexojnë atë, prandaj edhe titulli është gjithmonë provokues, përvetësues dhe tërheqës e në prapavijë që klienti të veprojë e reflektojë. Titulli përmbledh përmbajtjen, madje kumtin e shkrimit.

Z. Fahri Musliu e ka bërë një punë të mirë, me profesionalizëm të plotë. Me gjeturi ai i kombinon në vepër foton e ditarit origjinal, ditarin ditor dhe letrën e formës klasike si formë komunikimi. Kur është fjala për fotot e ditarit ai nuk e ka bërë vetëm foton e një faqeje, sa për sy e faqe, por plotë 17 faqe ditari origjinal që nga fillimi i tij e deri në fund për t’ia hequr dyshimin lexuesit se deklaratat e tij, vlerësimet e tij, nuk janë shënuar në libër tash, me rastin e botimit, por atëherë dhe si të tilla kanë dalë të sakta.

Në libër janë botuar tri letra të vajzës së tij dërguar në atë kohë dhe një të vetën dërguar familjes në Prizren ku shihet përmallimi, brenga dhe ankthi i të qenit larg njëri tjetrit, sidomos në rrethana lufte. Sa mallëngjyese janë fjalët e vajzës së tij, zonj. Valbona, dikur ish nxënëse imja që e kemi këtu dhe e përshëndesim. Ja fjalët e saj. ‘Pranvera ka ardhur, por lulet (nuk janë lule të rëndomta) por janë lule të mërzisë (ne në kontekst kuptojmë lule të mbira mbi gjak, mbi varre masive, mbi shkrumin e shtëpive të djegura, mbi moralin e nëpërkëmbur). Ata muaj ‘kanë mbushur përmasat e shpirtit.

Sepse largësia si një det pikëllimi i ka shtrirë krahët në mes nesh, se nuk ka siguri askund, se netët janë të tmerrshme e ditët pa dritë. Por optimizmi dhe shpresa ekziston’. ‘Jemi të gjithë gjallë!’- thirrje për kurajo, guxim e shpresë. Po jemi të gjithë gjallë – Thirrje biblike. Në letrën e dytë ajo e siguron babin për mirëqenien e familjes, se është bërë e huaja për vetveten (kuptojeni – jeton për të tjerët) se e ka shpirtin e shkërmoqur. me thërrime derisa të kthehet shtylla e shtëpisë-babai.

Në letrën e tretë Valbona e lajmëron babin që të mos brengoset se kanë të motje….(harxhime të shtëpisë) mjaftë, se gjyshja është mirë por brengoset për fatin e tij dhe është mërzitur për vdekjen e të vëllait, dajës Musë të autorit. E vdekja në këto rrethana është shumëfish më e rëndë.

Në letrën e autorit dërguar familjes shquhet porosia se së shpejti do të shihemi, por kujdesi le të jetë i shtuar se bishat në gërhamat e vdekjes kafshojnë më shumë, janë më të rrezikshme.

Pjesa e parë e librit ‘Baticat dhe zbaticat e jetës’ nuk është vetëm një ditar personal, por edhe më tepër, ditar familjar, ditar shoqëror, është një kronikë ngjarjesh të jetës politike në Beograd, Kosovë dhe më gjerë, sepse autori shpreh qëndrimin e tij lidhur me këto ngjarje. Autori mbeti në Beograd me biletë të prerë në xhep me shpresë se do t’i kryejë edhe disa obligime familjare e për t’u kthye në Prizren para se të ndodh bombardimi nga NATO-ja. Por ajo çka u bë, u bë.

Jetoi dhe veproi atje i mbetur peng, në ankth, herë i kërcënuar e herë i mbrojtur në mes krismave të vazhdueshme të predhave e dridhjes së pallateve, në mes të turmave që veprojnë për në strehimore, në një zhurmë të propagandës politike dhe dezinformatave. Kur ka marrë ndonjë lajm të mirë , sidomos për familjen, gëzohet ashtu si di prindi të gëzohet, e kur merr lajme të këqija edhe dita, edhe nata i bëhen makth. Në të vetmin kënd, ku ai gjen pak qetësi është Media Qendra, ku i takon shokët e punës dhe i bisedojnë problemet profesionale, për ngulfatjen e mediave dhe problemet politike, ku temë e ditës është Kosova.

Në Beograd qëndronin gazetarë nga vise të ndryshme të botës dhe me ta bënte intervista. Në muajin maj ngjarjet morën kthesë: u aktivizua opozita, filluan demonstratat nëpër qytete për kthimin e bijve nga lufta, u ngrit nga gjykata e Hagës aktakuza kundër Millosheviqit. Populli serb po i hapte sytë. Si thoshte sociologu dhe analisti serb Janjiq ‘Populli serb nuk di shumë gjëra që u kanë ndodhur shqiptarëve gjatë 100 viteve të fundit’. Në anën tjetër Serbia nuk e ndalte propagandën.

Thoshte se në Beograd jetojnë 100 mijë shqiptarë të sigurt, kur nuk ishin as 2000. Organizonte koncerte anti NATO e në anën tjetër nuk e ndalte dorën e krimit. Vritet Fehmi Agani, koka e LDK, krahu i djathtë i Rugovës, humb pa shenjë, pa dukë, Ukshin Hoti, 50 qytetarë civil bëhen mish për top në Korishë e sa e sa krime të tjera. Ajo (Serbia) e pati zhveshur popullin shqiptar që prej kohësh: e varfëroi, ia konfiskoi armët, e izoloi në një terr informativ që mos ta sheh bota se çka po ndodh brenda dhe kreu masakra të papara, dëbime, dhunime, djegie, plaçkitje, etj.

Gjatë kësaj katrahure të çmendur autori i librit merr lajmin e gëzuar se i ka lindur një mbesë Ariana, dhe një nip Rinori. A s’janë këto lindje rrezet e para të lirisë së Kosovës! Në qershor luftës po i vinte fundi dhe 100 vjet pas luftës së Kumanovës kur Serbia mundi ushtrinë e lodhur turke, më 1912 e pushtoi Kosovën me pretekst se e çliroi. Këtë vit u bënë masakra të shumta anembanë Kosovës nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Jankoviq.

Nënshkrimi i kapitullimit u bë nga gjenerali serb Svetozar Marjanoviq dhe gjenerali i NATO-s Majkëll Xhekson më 9.VI. 1999. Pasoi Rezoluta 1244 e KS të OKB dhe Kosova hyri nën protektoratin e saj. Fundin e luftës serbët e publikuan si fitore, ashtu si qe dikur rasti me Betejën e Kosovës më 1389, humbja që e mitizuar dhe e cila na helmoi shpirtin për 100 vjet rresht se ‘Kosova është djep i Serbisë dhe i mbajti në hasmëri serbët dhe shqiptarët. Triumfalisht në Kosovë hyjnë UÇK dhe forcat paqeruajtëse të NATO-S.

Është 24 qershori i vitit 1999 kur autori i kthehet familjes në Prizren. A kishte gëzimi kufi? A përmbaheshin lotët? A shuhej lehtë malli? Ai dhe vetëm familja e tij dinë ta thonë. Në fund të pranverës lindi për së dyti pranvera.

Pjesa e dytë e librit është më tepër trajtim që e bëjnë njerëz të profesionit të gazetarisë dhe politikanë dhe unë nuk do të merrem me te, por do të them se kur ditarin e mbajnë personalitete me rëndësi, ai ka vlerë të shtuar historike e shoqërore dhe shkenca do t’i vjelë vlerat e tij.

Dhe përfund do të pyes se ç’është ajo forcë magjike që e shtyn njeriun të merret me gazetari (autori me këtë veprimtari është marrë pothuajse tërë jetën)? Do të provojmë e të japim përgjigje aq sa dimë. Jo për famë, se fama vjen pas veprës. Jo për pasuri, se ashtu siç thotë gazetari Indro Martoneli ‘Nëse e hasni një gazetar që thotë se është i pasur, mos i besoni’. Jo për të qenë i lirë. Orveli thoshte ‘Gazetari kurrë nuk është i lirë: Atë në çdo kohë e thumbon diçka që të aktivizohet. Mbase është lajmi i mirë apo pa dashje dhe i keq që atë e bën kureshtar, bën të sakrifikohet dhe të hyjë në flakë, e bën të qëndrojë si Davidi në strofkën e luanëve, të mos u druhet kërcënimeve, madje dhe të vritet siç ndodh shpesh nëpër botë.

Sot sfera e interesit të gazetarisë është politika dhe jeta sociale, e opinionit i duhet lajmi i paanshëm që nuk hyn nën hijen e interesit, të ideologjisë, të partive politike, të mediave të njëanshme tj. Nuk e kurseu jetën heroi mitologjik grek Marathoromaku që vrapoi 42 km dhe athinasve ua dha lajmin e fitores dhe ra i vdekur. Noli ynë i madh thotë për të: ‘Rent kudo duke bërtitur nëpër shekuj faqe ndritur, se i vogli shtyp viganin dhe i shtypuri tiranin, veç e tok, tok or Marathorimak’.

Autorit krejt në fund i urojmë shëndet. Ai ka çka i jep familjes dhe shoqërisë. Ne jemi të zhgënjyer sot dhe na duhen gazetarë të zotët, media të shëndosha, gazeta të mirëfillta, që kur i hapim në mëngjes, ashtu si i hapim dritaret dhe hyjnë rrezet e arta të diellit, ashtu të na vijnë dhe lajmet e ditës. Përvoja e tij shumëvjeçare do ta jepte frytin sublim: një libër mbi gazetarinë, vetëm apo në grup autorësh. Por dhe vepra të tjera.

/Fjala e profesor Hajdar Mallaku, në përurimin e librit “DITARI I GAZETARIT SHQIPTAR NË BEOGRAD” (janar-qershor 1999), të autorit Fahri MUSLIU, mbajtur në Prizren, më 5 maj 2023./

Më Shumë

Aktakuzë ndaj disa personave për tentimvrasje në Krajk të Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër disa personave lidhur me një rast të tentimvrasjes që ka ndodhur më 22 maj në fshatin...

Gjiganti evropian aktivizon klauzolën e Nico Williams

Nico Williams duket se do të largohet nga Athletic Bilbao gjatë afatit kalimtar të janarit. Sulmuesi spanjoll ishte ndër futbollistët më të kërkuar në verë,...

Lajmet e Fundit