16.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Drejtësia e kapur amnistoi “të fortët” e pushtetit

Republika e Kosovës, larg sundimit të ligjit. Të inkriminuarit, shpesh e patën edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Sipas analistëve, aty ku ka pasur mjete, e kemi korrupsionin dhe keqpërdorimin më të madh dhe, siç duket, askush nuk qenka merakosur për të zhvilluar shtetin dhe as për të bërë reformim të institucioneve, por vetëm për mënyra se si të zhvatet shteti dhe qytetari në mënyrë sa më perfide

Shumë njohës të fushës së drejtësisë kanë shfaqur dilemën e tyre se Qeveria ‘Mustafa’ ka kapitulluar vullnetshëm në përballjen e saj para sfidave për luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe dukurive të tjera negative për shoqërinë tonë. Veç saj, ata thonë se kjo Qeveri ka hezituar dhe dështuar qëllimshëm për luftimin e monopoleve dhe të mafio-oligarkisë së madhe kosovare të kundërligjshme e kundërkushtetuese, por edhe kundër zhvatjeve, plaçkitjeve e vjedhjeve të buxhetit ekzistues. Ndaj, ata janë të mendimit se edhe nuk duhet çuditur se përse BE-ja, KE-ja, por edhe SHBA-ja, çdo ditë me këmbëngulësi kërkojnë luftimin dukurive të lartcekura.

Rrjedhimisht, është shtruar edhe pyetja se çka është duke pritur Prokuroria e Shtetit, që nuk po i dëgjon këto thirrje nga SHBA-ja, BE-ja, por edhe nga populli për të filluar dhe për t’i hetuar qeveritarët e lartë, të dyshuar si të inkriminuar në krim e korrupsion?

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se me siguri do të vijë dita që edhe “peshqit e mëdhenj” do të dalin para drejtësisë, por, siç tha, ende është e largët kjo ditë.

“Ndërsa, BE-ja dhe faktorët ndërkombëtarë po luajnë një lojë dyfishe në Kosovë, sepse në njërën anë kërkojnë arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, që janë shefat e krimit të organizuar, derisa në anën tjetër i përkrahin pikërisht këta ‘peshq të mëdhenj’, të cilët janë në pozita kyçe të institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Më tej, Salihaj ka nënvizuar se është shumë e qartë se edhe Prokuroria e Shtetit po shihet se nuk e ka ndërmend fare që t’i arrestojë “peshqit e mëdhenj”, andaj, sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk mund të shpresojnë fare se do të ndodhë një gjë e tillë.

Analisti Shefqet Dibrani thotë se kjo Qeveri në shumë plane ka kapitulluar, jo aq vullnetshëm sa duket, ngase ata kanë krijuar një jetë luksoze për veten dhe familjet e tyre.

“Pavetëdijshëm besoj se kanë kapitulluar, pasi ne jemi dëshmitarë se ndërtimi i institucioneve shtetërore është bërë mbi koncepte të gabuara, me ndikime provinciale dhe duke u thirrur në doket dhe zakonet e tyre. Kësisoj, për më keq, gjatë ka dominuar bindja se me vendin duhet të udhëheqë vetëm ai që ka dalë malit, përkatësisht që ka rrokur pushkën për të luftuar, duke anashkaluar nivelin intelektual dhe atë akademik. E, ky mentalitet solli në krye të gjigantëve ekonomikë, nëpër borde të shumta, në drejtori institucionesh, njerëzit e porositur, të cilët kishin detyrë edhe për të shantazhuar, për të korruptuar e për të kërcënuar sa më shumë intelektualë, derisa emërues i përbashkët ishte qëllimi për të zhvatur e jo për të zhvilluar vendin dhe për të penguar e jo për të përparuar e për të reformuar sistemet udhëheqëse, duke përfshirë edhe drejtësinë”, u shpreh ai. / Kosova Sot

Më Shumë

Faik Konica: Martesa e Skënderbeut

Nga: Faik Konica Viti 1450, plot me mundime, me luftëra e me gjakra u mbarua duke ndritur edhe më bukur emrin e Skënderbeut. U dëftua...

I ofroi ryshfet 5 euro policit “për një kafe”, arrestohet shoferi i një autobusi në Vërmicë

Policia e Kosovës e ka arrestuar një shofer të autobusit, shtetas i Maqedonisë së Veriut, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, meqë i njëjti i...

Moti sot me shi

Ylli në finale

Lajmet e Fundit