Në organizim të OJQ “EC Ma Ndryshe” në Prizren sot është mbajtur tryeza e diskutimit “Ekspeditiviteti i gjyqësorit kundruall rasteve të zyrtarëve publik”, konkretisht që kishte të bënte edhe me rastin e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja.Panelistë të kësaj tryeze: Ymer Berisha, zyrtar komunal për informim, Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje në Prizren dhe Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik i Kosovës (KDI).
Lidhur me temën e kësaj tryeze, i pari ka folur zyrtari komunal për informim, Ymer Berisha, i cili tha se komuna e Prizrenit rrespekton në tërësi të gjitha obligimet ligjore për plasimin e vendimmarrjes, ndërsa rolin e gjyqësorit e vlerësoi në shërbim të demokracisë, ndërsa rreth rastit Muja, tha se deri sa nuk merret verdikti final i të gjitha instancave të drejtësisë, kryetari nuk është fajtor. Por , ndryshe nga zyrtari Berisha, ka shprehur qendrimet e tij drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, i cili tha se gjyqesori në Kosovë ka një integritet të dobët në funksion të qeverisjes së mirë, duke numëruar skandale në Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor dhe zvarritjen e procesit nga Gjykata Supreme ndaj çështjes së Ramadan Mujës. Ai tha se organet e drejtësisë janë të ndikuara nga politika dhe struktura kriminale, dhe së për këto dhe çështje të tjera, nuk gëzojnë besueshmëri nga qytetarët.
Ndërkaq, panelisti tjetër, Arbër Rexhaj, këshilltar i LVV-së në Kuvendin e Prizrenit, tha se pas dënimit të Ramadan Mujës nga Gjykata, ai e ka humbur autoritetin moral, ndërsa shtoi se komuna e Prizreni është kampione e shkeljeve ligjore në mbarë vendin. Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze nga organizatorët kishte të bënte me faktin se në muajin mars është bërë një vit që prej se Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur aktgjykimin fajësues ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit. Ndonëse kanë kaluar një vit ankesa e mbrojtjes së kryetarit të Prizrenit ende nuk është shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.
Në anën tjetër organet e drejtësisë vazhdimisht kanë theksuar se rastet korruptive dhe të abuzimit me detyrën zyrtare janë prioritare për shqyrtim. Por tashmë janë mbushur dy vjet që prej se organet e drejtësisë merren me rastin e kryetarit të Prizrenit dhe çështja ende nuk është përmbyllur. Kjo tryezë, thanë më tej organizatorët , është një përpjekje për të diskutuar mbi rreziqet që i kanosen integritetit të institucionit të kryetarit të komunës dhe parimit të qeverisjes së mirë në nivel lokal nga zyrtarët publik që ballafaqohen me procese gjyqësore, që marrin kohë për t’u zgjidhur. Gjatë diskutimeve të tryezës, janë analizuar mundësitë për masat që mund të ndërmerren për rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në trajtimin e rasteve të zyrtarëve publik që kanë problem me ligjin./TV Prizreni/