12.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Drejtoresha e shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, Behare Kryeziu deklarohet e pafajshme

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka filluar shqyrtimi gjyqësor në rastin e drejtoreshës së shkollës fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren, Behare Kryeziu, e cila akuzohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të kësaj shkolle.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka lexuar aktakuzën, ndërsa e akuzuara Kryeziu, është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Më pas Biraj, gjatë fjalës hyrëse, ka deklaruar se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve me padyshim do të vërtetohet se e akuzuara ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Kujtim Kërveshi, gjatë fjalës hyrëse të tij, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se aktakuza është ngritur në bazë të supozimeve dhe nga deklarata e dëshmitarit kryesor i cili, sipas tij, është i motivuar nga interesi personal hakmarrës.

Kërveshi, tutje ka shtuar se po ashtu do të vërtetohet se dokumenti i lëshuar nuk është përdorur për t’u punësuar dhe se organi i akuzës ka qenë selektiv me rastin e përzgjedhjes së deklaratave të dëshmitarëve, të cilat i ka vendosur në arsyetim të aktakuzës.

Në këtë seancë ka dëshmuar sekretari i shkollës “Mustafa Bakiu”, Selim Osmani, i cili ka thënë se gjatë muajve shkurt-mars 2017, tekniku i shkollës, Izet Halili, ia ka thyer derën e zyrës në mënyrë që e akuzuara gjatë vikendit të kryejë një falsifikim të dokumentit.

Dëshmitari, Osmani, ka vazhduar të tregojë se kur është kthyer të hënën në shkollë ka kuptuar se është bërë falsifikimi i një certifikate dhe i librit të protokollit ku është regjistruar kërkuesi i dokumentit të falsifikuar.

Osmani tutje ka shtuar se kur e ka marrë librin e protokollit nga e akuzuara, aty ka parë se gjendej një vërtetim për kryerjen e praktikës në shkollë nga një studente dhe se, sipas tij, të dhënat në dokument nuk ishin të vërteta sepse sipas tij ajo studente nuk ka kryer një praktikë në shkollën në fjalë.

Ky dëshmitar ka thënë se e ka bërë një kopje të atij dokumenti dhe më pas ka vërejtur se edhe në librin e protokollit është shënuar emri i kërkueses së vërtetimit mbi një emër tjetër, andaj të gjitha këto i ka lajmëruar fillimisht në drejtori të arsimit e pas disa muajve edhe në polici.

Në pyetjen e avokatit Kërveshi, nëse dëshmitari i njeh të gjithë praktikantët vullnetarë që kanë punuar në shkollë që nga punësimi i tij në vitin 2011, përgjigja e dëshmitarit ka qenë se nuk i mban në mend të gjithë pasi që kanë qenë shumë praktikantë.

Kërveshi po ashtu e ka pyetur dëshmitarin nëse i kujtohej se e akuzuara i kishte thënë atij se është bërë një gabim teknik dhe se vërtetimi i lëshuar duhet të anulohet, por ai ka mohuar një komunikim të tillë.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe Suzana Ajazaj, e cila ka deklaruar se gjatë viti 2017 ka kërkuar nga drejtoresha Behare Kryeziu, një vërtetim për praktikën e kryer në shkollën “Mustafa Bakiu” në mënyrë që të konkurojë në një vend të punës.

Ajo ka thënë se ditën kur e ka kërkuar vërtetimin ka qenë ditë pune dhe se ka qenë afati i fundit për të konkurruar në vendin e punës si edukatore, andaj e ka kërkuar urgjentisht vërtetimin, duke shtuar se praktikën e ka kryer derisa drejtor i shkollës ka qenë Fatmir Mehmeti.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka ndërprerë shqyrtimin ndërsa vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 10 prill 2018, në ora 10:30, në të cilën pritet të dëshmojë ish-drejtori i arsimit në Prizren, Zijadin Shemsedini.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, akuzon Behare Kryeziun se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret punësim.

Sipas aktakuzës, e akuzuara ka lëshuar vërtetim për Suzana Ajazajn, kinse ajo ka bërë zëvendësimin e një edukatoreje të shkollës në fjalë, në periudhë prej gjashtë muajsh, i cili vërtetim më pas do të përdorej nga Ajazaj për të konkuruar për punësim si edukatore.

Andaj, organi i akuzës, pretendon se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, andaj e njëjta rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Policia në Prizren sekuestron një pistoletë

Policia e Kosovës njofton se sot ka realizuar një urdhër-kontroll në shtëpinë e një të dyshuari në rrugën “Rrustë Kabashi” në Prizren, ku është...

Plagoset një person afër Xhamisë në Dragash – Policia arreston të dyshuarin dhe jep detaje

Një person është plagosur në qendër të qytetit të Dragashit. Rasti ka ndodhur afër Xhamisë në këtë qytet të Kosovës. I dyshuari është identifikuar nga Policia...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit