Princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, ka udhëhequr ndryshime të rëndësishme sociale në Arabinë Saudite, ndryshime që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve, por kjo gjë nuk e zvogëlon dëshirën plotësisht të arsyeshme që princi saudit të mbahet përgjegjës për shkeljet e tij të shumta
Riad, janar (Foreign Policy) – Sauditët të mërkurën i kanë hapur diskutimet e tyre të përvitshme në Riad, që zyrtarisht quhen Iniciativa e Investimit të së Ardhmes, por që njihen gjerësisht si “Davosi i Shkretëtirës”.
“Ky emërtim çdoherë i ka bezdisur personat që udhëheqin Forumin Ekonomik Botëror dhe ngjarjen kryesore të tij që mbahet në Davos të Zvicrës, sepse ata – sikurse pjesa më e madhe e botës që janë të shqetësuar me mbrojtjen e markës së tyre – në vitet e fundit, nuk kanë dashur të kenë shumë lidhje me Arabinë Saudite dhe me princin e kurorës të këtij vendi”, thuhet në një analizë të revistës politike “Foreign Policy”.
Megjithatë, ky trend duket që është duke përfunduar. Çdo ditë e më shumë, gjërat janë duke iu kthyer normalitetit në Riad. Një listë me persona vërtet të fuqishëm të “Wall Streetit” dhe investitorë privatë kanë fluturuar drejt Riadit këtë javë.
Revista shkruan se të shkuara janë ditët kur liderët e shërbimeve të industrisë financiare kanë qëndruar larg, duke pasur frikë nga dëmet në reputacion që ishin të lidhura me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pas vrasjes së Jamal Khashoggit në vitin 2018. Mbetjet e gazetarit dhe dikur oborrtarit të fuqisë së Sauditëve ende nuk janë gjetur. Por, investitorët tani kanë marrë vendim që ekzistojnë marrëveshje të cilat duhet bërë.
“Ata janë duke vënë bast se angazhimi për të cilin flitet nga organizatat e të drejtave njerëzore, gazetarët, dhe nga një grup ligjvënësish relativisht mbipartiakë nga SHBA-të për ta mbajtur Arabinë Saudite përgjegjëse nuk është se do të prodhojë diçka të madhe – e ndoshta ata kanë të drejtë”, shkruan revista “Foreign Policy”.
Frika nga Bideni
Ekziston një pritje e përgjithshme në Washington se sauditëve do t’u vështirësohet gjendja me administratën e re amerikane në krye me presidentin Biden. Gjatë fushatës presidenciale, Joe Biden dhe bashkëgaruesja e tij Kamala Harris janë zotuar se do i “rivlerësojmë marrëdhëniet e Amerikës me mbretërinë, ndalojnë mbështetjen e luftës së Arabisë Saudite në Yemen, dhe do të sigurohen se Amerika nuk do t’i harrojë vlerat e saj vetëm sa për të shitur armë apo blerë naftë”. Pasi u betua si president më herët gjatë këtij muaji, Biden e mbajti premtimin e tij që do t’i ngrijë – së paku në mënyrë të përkohshme – shitjen e armëve Arabisë Saudite që paraardhësi i tij e kishte aprovuar.
Revista politike shkruan se Arabia Saudite është një aleat problematik. Sipas saj, në pesë vjetët e fundit, princi i kurorës i këtij vendi ka nisur një fushatë të kotë ushtarake në Yemen që ka lënë të vrarë apo të lënduar qindra mijëra persona, e kishte mbikëqyrur ekipin që masakroi Khashoggin, kishte mbikëqyrur arrestimin dhe abuzimin e reformatorëve dhe kishte udhëhequr një embargo ndërkombëtare ndaj Katarit.
“Ekzistojnë gjithashtu edhe pyetje pa përgjigje për Arabinë Saudite dhe rolin e qytetarëve të saj në sulmet që ndodhën në New York dhe Washington në vitin 2001. Sado që Sauditët duan që Amerikanët të harrojnë, 15 burrat në aeroplanë ishin nga Arabia Saudite e jo nga Katari”, shkruan “Foreign Policy”.
Sipas revistës politike, është e vërtetë që Princi i Kurorës Mohammad bin Salman ka udhëhequr ndryshime të rëndësishme sociale në Arabinë Saudite, ndryshime që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve, por kjo gjë nuk e zvogëlon dëshirën plotësisht të arsyeshme që princi saudit të mbahet përgjegjës për shkeljet e tij të shumta. Megjithatë, bërja e një gjëje të tillë është më e vështirë sesa duket.
Heshtja e princit
“Asnjëherë nuk kishte ndonjë shanse që komuniteti biznesor ndërkombëtar do të largohej plotësisht nga Arabia Saudite. Sigurisht, shefat e kompanive qëndruan larg këtij vendi për një kohë, por edhe në kohën kur e gjithë bota ishte e inatosur me vrasjen brutale të Jamal Khashoggit, Arabia Saudite vazhdoi të mbetet një vend ku njerëzit besonin se mund të bënin para.
“Dhe meqë kjo është ‘sine qua non’ (gjëra kryesore) e financierëve, konsultuesve dhe e kompanive të naftës – dhe kompanive që bëjnë shërbime të ndryshme – Mohammed bin Salman u detyra që ta kalonte ca kohë i izoluar, por asnjëherë nuk u cilësua si i dëbuar ndërkombëtar, siç disa shpresuan që do të ndodhte”, shkruan “Foreign Policy”.
Po, Sauditët kanë disa probleme ekonomike, mençuria e projekteve të kotësisë siç janë qyteti që do të bëhej i teknologjisë së lartë i ikin shumicës së njerëzve kur i shohin ato, dhe tentimet e Riadit për ristrukturimin e tregut të punës dhe të krijojë institucione të ekonomisë së tregut janë punë tejet të vështira – por sauditët vazhdojnë të jenë ekonomia më e madhe e Lindjes së Mesme, gjë që e bën një partner atraktiv për ata të cilët u shfaqën në Riad për Iniciativën për Investimin e së Ardhmes.
“Ekziston një mendim që vetëm pse liderët e biznesit duan të bashkëpunojnë më Arabinë Saudite kjo nuk nënkupton që edhe qeveria e SHBA-së është e obliguar ta bëjë të njëjtën gjë. Kjo gjë është e vërtetë – por kjo nuk nënkupton që Washingtoni është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Përballet me kufizimet që vijnë nga gjeopolitika”, shkruan “Foreign Policy”.
“Në kohën kur liderët e industrisë ishin duke bashkëpunuar me Riadin, ushtria e SHBA-së gjithashtu po e shton prezencën e saj në Arabinë Saudite, në rast të ndonjë konflikti me Iranin. Planifikuesit e ushtrisë së SHBA-së e shohin Arabinë Saudite si një partnere të rëndësishme në politikat me Iranin. Kjo përfshin potencialin për politikat me Iranin që janë duke u konsideruar nga administrata e presidentit Biden, nëse ato përfshijnë rikthimin në marrëveshjen nukleare të vitit 2015 apo nëse duhet negociuar një marrëveshje e re. Me qëllim që cilado nga këto dy alternativa të funksionoj, administrata do të ketë nevojë për mbështetjen e marrëveshjes nga Riadi, që nënkupton që negociatorët amerikanë duhet të jenë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve Saudite.
Konflikti në Yemen
Lidhshmëria me Iranin dhe gjeopolitikën në regjion është edhe lufta në Yemen, shkruan revista “Foreign Policy”. Sulmi i Arabisë Saudite në fqinjin e saj të jugut, që filloi në vitin 2015, përmbushi gjithçka që ky intervenim ishte supozuar se do t’i parandalonte. Si rezultat i planifikimit dhe ekzekutimit të dobët ushtarak nga Riadi zyrtar, iranianët tani kanë një lidhje me Ansal Allah (i njohur si Houthis), dhe Arabia Saudite është më pak e sigurt se më parë. Kjo luftë është e pamundur të fitohet, dhe Sauditët duhet të largohen nga ajo. Ajo çfarë mbetet të shihet është se a do mund t’ia dalin të largohen pa ndihmën e SHBA-ve. Sauditët pa dyshim se do ta dëshironin atë ndihmë në formën e përmirësimit të sigurisë së kufijve, që do të përfshinte sisteme armësh.
“Një vendim i tillë do të jetë vështirë i arritshëm për administratën duke parë shpirtin kundërshtues që ekziston në Washington ndaj sauditëve dhe vetë ekipi i Biden-Harris ka thënë që politika e saj do të jetë ‘rivlerësimi’ i marrëdhënieve me Arabinë Saudite. Një argument të cilin do të mund t’u përgjigjeshin me: Mos ia varni. Lërini që vetë ta kuptojnë se si duhet të shpëtojnë nga moçali që kanë krijuar vetë. Kjo gjë është e kuptueshme, po nuk është shumë e mençur. Është në interesin e Amerikës që Sauditët të largohen nga Yemeni, por edhe që ata të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Washingtonin”, shkruan revista e njohur amerikane.
Por a duhet që Shtetet e Bashkuara ta ndalojnë Arabinë Sauditë nga ajo që ata duket që e duan më së shumti Amerikën – sistemet e avancuara të armëve? Kjo gjë nuk është më vetëm në sferën e teorisë. Rishikimi i vazhdueshëm i administratës Biden i Arabisë Saudite do të vlerësojë se si ata i përdorin armët amerikane, në mënyrë specifike do të shikohet se sa civilë janë lënduar e vrarë nga këto armë.
“Duke e pasur parasysh dëmin e shkaktuar në Yemen nga Arabia Saudite, një vlerësim i tillë është i përshtatshëm. Por edhe nëse i lejon amerikanët që të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm ta ndalin bashkëpunimin e tyre në shkatërrimin në mes Arabisë Saudite dhe Yemenit, çdokush duhet ta ketë të qartë që një gjë e tillë nuk do ta ndalë luftën”, shkruan “Foreign Policy”
I humbur në diskutimin mbi “përgjegjësinë” është problemi i definimit të saj, se si ajo do të dukej ajo përgjegjësi. A dëshirojnë kritikët e Arabisë Saudite ta shohin princin e kurorës të zëvendësuar apo edhe të vdekur? Shtetet e Bashkuara nuk do ta caktojnë liderin e Arabisë Saudite. Edhe nëse shërbimet e inteligjencës të SHBA-ve i publikojnë të gjitha ato që dinë për vrasjen e Khashoggit – siç ka kërkuar kryetari demokrat i Komitetit për Inteligjencë në Senat Adam Schiff, dhe siç ka premtuar drejtoresha e re e inteligjencës kombëtare, Avril Haines, në përgjigjen me shkrim që u ka kthyer pyetjeve të senatorëve përgjatë dëgjimeve për konfirmimin e saj – Mohammad bin Salman do të vazhdojë të jetë princi i kurorës edhe ditën tjetër e ditën tjetër pas saj, e kështu me radhë.
“Pa dyshim se një gjë e tillë do të shkaktonte një zhurmë të madhe ndërkombëtare, që do t’i shtynte ata që momentalisht janë duke marrë pjesë në Davosin e Shkretëtirës të largohen nga vendi për disa vjet ose ndoshta edhe më shumë. Por ata prapë se prapë do ta gjejnë rrugën drejt Arabisë Saudite sa kohë që ata llogarisin që një gjë e tillë do të jetë e mirë për biznes”, thuhet në analizën e revistës.
Problem i pazgjidhur
Gjithashtu në diskutimet mbi përgjegjësinë vërehet se mungojnë edhe pasojat potenciale nëse dikush mbahet përgjegjës. Kjo nuk është për ta shmangur idenë e kritikës ndaj Sauditëve dhe refuzimin për t’u shitur atyre armë, por është një kërkesë për vlerësimin e kostos dhe përfitimit të një qasje të tillë. Sauditët mund të jenë të pavullnetshëm për të punuar drejt një marrëveshje me Iranin ose ndoshta edhe do të punojnë për ta penguar një marrëveshje të tillë. Riadi mund të ndihet i inkurajuar të bashkëpunojë më kundërshtarët e Washingtonit. Personat në Washington mund t’i vlerësojnë si të dobëta këto kërcënime, por kinezët kanë shumëçka për të ofruar, dhe rusët janë gjithashtu shumë të mirë për të përfituar në problemet e krijuara në mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj tradicional në rajon. Së paku, lidhjet me të mira në mes të sauditëve, kinezëve dhe rusëve mund t’i bëjnë gjërat më të vështira për Shtetet e Bashkuara, sidomos qëkur gara për fuqinë e madhe tani pretendohet të jetë korniza e punës për politikët ndërkombëtare amerikane.
Por prapë se prapë, politikëbërësit amerikanë mund të mos shqetësohen për rreziqet negative të mbajtjes në përgjegjësi të Arabisë Saudite. Burimet energjetike nga Gjiri Persik vazhdojnë të jenë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, por jo siç ishin dikur, duke e zvogëluar urgjencën që ishte e lidhur për një kohë të gjatë me Lindjen e Mesme dhe rëndësinë e lidhjeve të ngushta me shtetet si Arabia Saudite. Aksionet mund të mos jenë tejet të larta tani, që i jep ekipit të presidentit Biden më shumë hapësirë për manovrim.
“Vetëm se duket që deri me tani shumë pak persona që janë marrë me çështje të rëndësishme, ka menduar se çfarë saktësisht nënkuptohet me përgjegjësinë në një formë rigoroze. Kjo është një fatkeqësi, sepse politika ndërkombëtare me nxitje me shumë gjasë do të dështojë”, shkruan “Foreign Policy”.