9.8 C
Prizren
E shtunë, 25 Janar, 2025

Dy superderbi në çerekfinale

Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve do të na sjellë dy superderbi, që konsiderohen si finale para finales. Shorti i hedhur të premten në Nyon ka dhuruar përballjet e gjigantëve evropianë, Real Madrid – Bayern Munich dhe Barcelona – Juventus

Bayern Munich – Real Madrid dhe Juventus – Barcelona janë dy përballjet më interesante të çerekfinales në Ligën e Kampionëve, pa i nënçmuar në asnjë mënyrë edhe dy çiftet tjera, Borussia Dortmund – Monaco dhe Atletico Madrid – Leicester.

Bayerni, sfidë e vështirë për kampionin aktual

Real Madridi në rrugë për ta mbrojtur titullin e kampionit do ta ketë një pengesë tepër të vështirë, pasi ndeshet me Bayern Munichun, që udhëhiqet nga ish-trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti. Tekniku italian e njeh shumë mirë rivalin, ndërkohë që ka theksuar se kjo sfidë do të jetë e veçantë për të.

“Natyrisht se do të jenë dy ndeshje të veçanta për mua. Të jem kundër Real Madridit do të jetë vërtet emocionuese”, ka thënë Ancelotti.

Megjithatë, ai beson se skuadra e tij jo vetëm që do ta kalojë këtë pengesë, por edhe do ta fitojë trofeun e kësaj gare.

“Ata kanë një trajner fantastik dhe skuadër të shkëlqyeshme. Mirëpo, ne i kemi mundësitë për t’i mposhtur, kemi vetëbesim dhe synimi ynë është ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, është shprehur Ancelotti.

Zidane, përballë mësuesit

Numri një i bankinës së Real Madridit, Zinedine Zidane, është shprehur i emocionuar që do të jetë rival i Ancelottit, nga i cili thotë se ka mësuar shumë.

“Sferat e ftohta dhe të nxehta? Kjo është qesharake, shikojeni çfarë ndodhi”, ka thënë Zidane, duke replikuar ndaj thashethemeve për short të kurdisur.

Reali në të kaluarën ka pasur fat në short, por kësaj radhe nuk ndodhi diçka e tillë.

“Nuk ka më ndeshje të lehta. Nuk mendoj se Bayerni ka frikë nga Reali. Ata kanë skuadër shumë të mirë, ndërsa mua më tërheqin ndeshjet e tilla të mëdha. Në futboll punojmë për momente të tilla, për ndeshje të tilla”, ka shtuar tekniku francez, duke folur më pas për sfidën me Ancelottin.

“Në një mënyrë do të jetë përballje ndërmjet mësuesit dhe nxënësit. Kam mësuar shumë nga Ancelotti. Njihemi mirë në mes veti dhe gjithçka është e mundur. E dimë se duhet të shënojmë në Munih. Sidoqoftë, gjithçka varet nga ne”, ka thënë Zidane pas tërheqjes së shortit.

Juventusi nuk ka frikë nga Barcelona

Barcelona e pati mposhtur Juventusin dy vjet më parë në finale të Ligës së Kampionëve dhe skuadra italiane e ka rastin t’i “hakmerret”. Megjithëse katalonasit shihen si favoritë për ta fituar garën, kampioni italian nuk llogaritet inferior.

“Do të luajmë kundër njërës nga skuadrat më të mira në botë dhe e dimë se na presin dy ndeshje të vështira. Tani është ndryshe nga e kaluara dhe ne synojmë të triumfojmë“, ka thënë zyrtari i Juventusit, Pavel Nedved menjëherë pas tërheqjes së shortit, ndërsa kapiteni Gianluiggi Buffon ka shkruar: “Për ne nuk ka rëndësi rivali. Është me rëndësi që jemi këtu”.

Edhe kapiteni i Barcelonës, Andres Iniesta, ka shprehur respekt për rivalin, duke thënë se skuadra e tij do ta ketë shumë vështirë.

“Juventusi tash e sa vjet është në formë të mirë. Bëhet fjalë për një skuadër që dominon në ligën e tyre dhe që e ka një trajner shumë të mirë. Ata kanë lojtarë të shkëlqyeshëm, prandaj ne duhet ta japim më të mirën në të dyja ndeshjet dhe në këtë mënyrë ta kalojmë këtë pengesë“, ka thënë Iniesta.

Te Borussia, të kënaqur

Ndër të rrallët që janë shprehur të kënaqur pas shortit kanë qenë zyrtarët e Borussia Dortmundit.

“Dëshira jonë ishte të shmangim Bayernin. Mendoj se edhe ta nuk kishin dëshirë të takohen me ne. Shikuar nga ky këndvështrim, shorti ishte i mirë për ne”, ka thënë drejtori i “Milionerëve”, Hans-Joachim Watzke. Borussia do të takohet me Monacon, e cila befasoi duke e eliminuar Manchester Cityn. “E kam shikuar Monacon kundër Cityt dhe e di se goldallimi i tyre në kampionatin francez është plus 58. Do të jetë vështirë dhe në këtë fazë të garave nuk ka rëndësi nëse ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi apo si mysafirë“, ka shtuar Watzke.

Më Shumë

Zjarri në bodrumin e një ndërtese në Prizren, katër persona kërkojnë ndihmë mjekësore

Katër qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një zjarri që shpërtheu në bodrumin e një ndërtese. Ngjarja ndodhi pasditen e sotme në lagjen...

Aktivistët nga “EC Ma Ndryshe” kërkojnë nga subjektet politike përqendrim më të madh për zhvillimin e qëndrueshëm

Aktivistë të shoqërisë civile në Prizren që janë të angazhuar në sektorin e mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe qeverisjes së mirë shpresojnë që këto aspekte...

Lajmet e Fundit