3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“EC Ma Ndryshe”: Komuna e Prizrenit, abuzon me buxhetin

Ec Ma Ndryshe Elmendina BaxhakuOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka shqyrtuar të gjeturat e Raportit të Auditimit të pasqyrës financiare të Komunës së Prizrenit në vitin 2012 me një vështrim retrospektiv edhe në raportet e viteve 2011, 2010, 2009 dhe 2008.Monitoruesja, Elmedina Baxhaku tha se të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për vitin 2012 kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura nga monitoruesit e “EC Ma Ndryshe” se qeveria lokale nuk ofron një performancë gjithaq të mirë gjatë menaxhimit të buxhetit komunal. “Ngjashëm në vitin 2011 Auditori kishte konstatuar se Komuna nuk ka arrit të ndërtoj një strukturë të mirë të qeverisjes”. Raportet e Auditimit të viteve paraprake dëshmojnë se Komuna e Prizrenit në të shumtën e rasteve i ka injoruar rekomandimet e këtij autoriteti shtetëror dhe ka vazhduar me shkelje dhe keqmenaxhim të buxhetit publik”, tregon Baxhaku.

“EC Ma Ndryshe” gjatë vështrimit të raporteve të Auditimit ka vërejtur se gabimet e Komunës po përsëriten qe një kohë të gjatë. Në raportin e Auditimit të 2012-ës thuhet se rekomandimet e këtij autoriteti shtetëror të vitit 2011 nuk janë trajtuar në nivelin e kërkuar nga Komuna, ngase vetëm dy prej tyre ishin adresuar plotësisht dhe gjysma tjetër nuk ishin trajtuar fare. ZAP në vitin 2010 kishte dhënë 10 rekomandime, prej të cilave në vitin 2011 vetëm 2 rekomandime janë adresuar plotësisht, ndërsa 8 të tjera nuk janë adresuar fare.

Në raportin e auditimit të PVF-ve për vitit 2009 ZAP ka dhënë 12 rekomandime, ku vetëm katër ishin adresuar plotësisht në 2010-ën. Auditori për vitin 2008 kishte dhënë 7 rekomandime dhe një vit më pas ka vërejtur se Komuna e Prizrenit ka zbatuar pjesërisht 2 prej tyre, ndërsa 5 të tjera kanë mbetur të pa adresuara.
“Rekomandimet e ZAP-it në të shumtën e rasteve kanë identifikuar dobësi të shumta në lidhje me realizimin e buxhetit, arkëtimin e të hyrave vetanake, sistemin e prokurimit publik, menaxhimin e detyrimeve dhe menaxhimin e pasurive”, shprehet Baxhaku.

Edhe pse auditimi i të hyrave vetanake në vitin 2008 kishte theksuar se zvogëlimi i shumës për qiranë e një dyqani në pronësi të Komunës përbën një shkelje të kushteve të kontratës, në vitin 2012 Auditori përsëri ka hasur në një rast kur komuna e aplikon të njëjtën praktikë. “Pastaj komuna në disa raste ka lidhur kontrata me qiramarrës që nuk kanë paguar qiranë, asnjëherë, duke dëmtuar buxhetin për dhjetëra mijëra euro. Tatimi në pronë është rrëfim në vete, ku Auditori për çdo vit ka tërhequr vërejtjen për mangësitë që nuk janë adresuar si duhet nga komuna dhe si rrjedhojë borxhet e pa mbledhura nga tatimi në pronë për vite me radhë kalojnë shifrën prej 5 milionë eurosh”, theksoi ajo.

Sipas saj, fusha e prokurimit gjithashtu, shoqërohet me shumë parregullsi, të cilat shprehen sidomos në mos respektimin e kritereve në dosjet e tenderëve, pagesat e shërbimeve para pranimit teknik dhe shkeljet e dispozitave të ndryshme të Ligjit për Prokurim Publik.” Po ashtu ekzistojnë dobësinë proceset e planifikimit, menaxhimit dhe monitorimit të zbatimit të kontratave për investime kapitale të komunës”, tha baxhaku.
Shpërndarja e subvencioneve pa kritere të përcaktuara për përfituesit, menaxhimi i pasurisë së komunës në shpërputhje me Udhëzimin Administrativ nr.21/2009, sikurse edhe dobësitë në menaxhimin e burimeve njerëzore, sipas saj, janë vetëm disa nga të gjeturat e përsëritura të auditorëve që nuk janë trajtuar në mënyrë serioze nga komuna e Prizreni.

“Në bazë të këtij vështrimi “EC Ma Ndryshe” konstaton se mos adresimi i rekomandimeve të ZAP-it nga ana e komunës së Prizrenit ka bërë që problemet e njëjta të përsëriten vit pas viti në dëm të buxhetit lokal. “EC Ma Ndryshe” njëjtë sikurse ZAP-i shpreh shqetësimin për të gjitha rekomandimet e pa zbatuara nga ana e komunës së Prizrenit”, tha Baxhaku

EC Ma Ndryshe rekomandon, që Komuna të tregojë përkushtim shumë më të lartë për zbatimin e rekomandimeve të dala nga raportet e auditimit në 5 vitet e fundit. “ Po ashtoj rekomandojmë që anëtarët e KK-së që të ushtrojnë presion më të madh te Ekzekutivi komunal për zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it”, tha Baxhaku.

Ajo tha se Komuna e Prizrenit duhet të ndërmerr veprime serioze edhe për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit brenda komunës së Prizrenit, në të gjitha fushat e identifikuara nga ZAP-i.“Duhet të rritet transparenca në vendimmarrje me qëllim të menaxhimit më të mirë të parasë publike”, tha Baxhaku. /PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Rahoveci ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirat publike

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se gjatë festave të fundvitit ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike...

Biblioteka e Prizrenit kremtoi jubileun e 80-të

Të premten, me një manifestim kulturor, është shënuar jubileu i 80-të i themelimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Kjo bibliotekë, më e vjetra në...

Lajmet e Fundit