Janë bërë 40 ditë që kur partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së miratimit të Amendamentit 24, me të cilin u hap rruga për themelimin e gjykatës speciale për krime lufte.
Të bindura se Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk i kanë respektuar dispozitat kushtetuese dhe ato procedurale me rastin e riprocedimit dhe miratimit të amendamentit për ndryshime kushtetuese që i hapin rrugë formimit të gjykatës speciale, partitë opozitare me 11 gusht e kanë dërguar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
KosovaLive ka pyetur edhe në Gjykatën Kushtetuese nëse është shqyrtuar deri tash kjo kërkesë e opozitës dhe kur pritet që gjykata të dalë me një qëndrim, ndërsa në përgjigjën me shkrim thuhet se kërkesa është në shqyrtim dhe brenda afatit të paraparë do të merret vendimi.
“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret brenda afatit të parashikuar, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje! Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të një përgjigje të Gjykatës Kushtetueses. Ajo mendon se kjo gjykatë gjithsesi duhet ta hedh poshtë amendamentin numër 24, pasi ai është kundërkushtetues edhe për nga aspekti përmbajtësor, por edhe procedural.
“Me datë 11 gusht si subjekte opozitare e kemi kontestuar amendamentin nr 24 edhe në aspektin procedural, por edhe atë përmbajtësor.
Besoj që Gjykata Kushtetuese tani është duke e shqyrtuar kërkesën tonë. Afati kohor maksimal i Gjykatës Kushtetuese është 60 ditë, por kjo nuk do të thotë se gjykata nuk mund të nxjerrë aktgjykimin para afatit 60 ditor.
Ne presim nga Kushtetuesja të hedh poshtë këtë amendament, i cili është antikushtetues edhe për nga aspekti përmbajtësor, por edhe ai procedural, ndonëse dihet se shumë vendime nga kjo gjykatë kanë qenë të padrejta dhe në shpërputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, është koha e fundit që Gjykata Kushtetuese të reflektojë dhe të dalë në mbrojtje të kushtetutshmërisë.
Njohës të çështjeve kushtetuese dhe të rrethanave politike, si dhe analistë politikë, vlerësojnë për KosovaLive se gjasat që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë amendamentin e përmendur janë të vogla, sepse, siç thonë ata, deri tash kjo gjykatë e ka dëshmuar të kundërtën duke mos e interpretuar Kushtetutën siç duhet.
Analisti Blerim Burjani thotë për KosovaLive se kjo çështje nuk do të duhej të zvarritej kaq gjatë në Gjykatën Kushtetuese, sepse është një nga kërkesat që do të duhej trajtuar me prioritet nga gjykata.
“Konsideroj se kjo çështje nuk është dashur të marrë kaq kohë të gjatë në Gjykatën Kushtetuese, meqenëse është e natyrës urgjente edhe kjo gjykatë do të duhej atë trajtuar me prioritet, për të mos e penguar procesin e mëtejshëm. Sidoqoftë, kjo gjykatë është e detyruar që diçka të thotë brenda 60 ditëve, të jep një përgjigje”, vlerëson Burjani.
Rikujtojmë se amendamenti për gjykatën speciale është miratuar në seancën e 3 gushtit të Kuvendit të Kosovë, pas riprocedimit të tij nga ana e qeverisë, pasi më 26 qershor ishte rrëzuar nga Kuvendi, sepse nuk kishte marrë vota të mjaftueshme. /KosovaLive