Ndërrimet në udhëheqjen e Bashkimit Europian do të kenë rol pozitiv në raportet Kosovë-BE. Dialogu me Serbinë do të vazhdojë më 4 shtator për IBM’in, pastaj për energjinë e telekomin. Ngërçin aktual politik në Kosovë mund ta zgjidhin partitë e mëdha. Mirëpo, Qeveria e ardhshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse me më shumë se dy parti politike. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri flet për Express.
Express: Së fundmi kanë ndodhur disa ndërrime në udhëheqjen e BE’së. Si do të ndikojnë këto ndryshime në raportet Kosovë-BE?
E. Tahiri: Ndryshimet në udhëheqjen e BE’së po bëhen në kuadër të rregulloreve që i kanë ata dhe për sa i takon ndryshime, unë mendoj, se përcaktimi i BE’së për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor qoftë për paqen dhe stabilitetin, qoftë për perspektivën e këtyre vendeve drejt BE’së, do të mbetet i njëjtë. Zyrtarët e rinj, përkatësisht pasardhësja e zonjës Ashton, por edhe pasardhësi i z. Roompy, do të vazhdojnë të zbatojnë politikat e jashtë të BE’së. Besoj se në do të përfitojmë nga këto politika duke punuar së paku për reforma në shtetin tonë. Besoj se edhe dialogu do të vazhdojë dhe do të ketë mbështetje dhe do të vijmë në rezultate më të mëdha seç kemi pasur deri më tash.
Express: Është paralajmëruar vazhdimi i dialogut me Serbinë pavarësisht mosformimit të Qeverisë së re. Kur pritet të ndodh takimi i radhës dhe cilat tema do të trajtohen aty?
E. Tahiri: Në fakt, para se të përgjigjem në pyetje, më lejoni të them se edhe gjatë pushimeve verore, pra, periudha korrik-gusht, ka pasur aktivitete të dialogut, por jo aq të shpeshta. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi qenë të gatshëm dhe iu kemi përgjigjur ftesave të Brukselit. Por, Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin se gjoja zyrtarët i kanë në pushime. Takimi që mbahet më shtator ishte paraparë të mbahej nga mesi i gushtit. Ky takim ka të bëjë me Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM). Temë qendrore është çështja e shqyrtimit të planeve për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të gjashtë pikave të vendkalimeve kufitare mes dy shteteve. Sigurisht, se do të bëjmë edhe një vlerësim të zbatueshmërisë së IBM. Mirëpo, mund të them se zbatimi i IBM’it, është njëra prej marrëveshjeve që më së miri zbatohet në kuadër të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialogun teknik por edhe në kuadër të dialogut për normalizim. Më vonë, diku kah mesi i muajit shtator, pres takime për telekom dhe energji. Kam qenë në Bruksel dy herë gjatë muajit korrik ku kam kërkuar përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes për telekom dhe energji. Siç e dimë, në shtator të vitit të kaluar është arritur marrëveshja dhe ende nuk janë përmbyllur planet për zbatim. BE ka intensifikuar angazhimet, përkundër që Serbia nuk ka qenë fort e interesuar. Mirëpo, tash ka diçka rezultate dhe unë pres takime nga mesi i shtatorit edhe për telekom e energji. Të gjitha janë në kuadër të përshpejtimit të marrjes së kodit telefonik për Republikën e Kosovës….
Express: Si prisni të zgjidhet ngërçi politik pasi ende s’është konstituuar Kuvendi i Kosovës?
E. Tahiri: Për mendimin tim, duke marrë parasysh të gjitha këto vështirësi që u paraqiten pas zgjedhjeve, në kuadër të konstituimittë organeve të reja të dala nga zgjedhjet nacionale, mendoj se kërkohet një unitet i ri në mesin e udhëheqësve, sidomos të udhëheqësve të partive kryesore politike në Kosovë. Këto çështje nuk duhet të mbeten peng dhe as vendi s’duhet të mbetet peng i këtij ngërçi politik. Mendoj, se është çështje e vullnetit politik, por edhe të një vizioni se Shteti jonë është i ri dhe ka nevojë të ecë përpara, të zhvillohet dhe të forcohet edhe në planin e brendshëm, edhe në planin e jashtëm. Pra, pres të ketë një qasje më shtetërore, që interesi shtetëror dhe kombëtar të jenë prioritete për udhëheqjen e partive kryesore politike. Për mendimin tim, një Qeveri stabile, e cila do të përfshinte partitë kryesore, është esenciale. Mendoj se seanca do të duhej të rridhte normalisht, por, me kusht që të ketë një përkushtim të partive të mëdha, në drejtim të kontributeve për shtetin dhe jo për pushtetin.
Express: Mirëpo, PDK s’i ka numrat në Kuvend për të votuar Kryeparlamentarin, ndërsa, kemi LDK-AAK-NISMA që i kanë numrat për votimin e kreut të Kuvendit. Sipas jush, a duhet të heq dorë PDK nga udhëheqja e Kuvendit, apo, partitë e bllokut duhet të pajtohen që PDK të udhëheq me Kuvendin?
E. Tahiri: Të gjitha këto çështje, e edhe zgjedhja e organeve parlamentare apo organeve ekzekutive, janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligjet e Shtetit. Mirëpo, për mendimin tim, në këtë rast kërkohet më shumë dhe duhet shkuar përtej kësaj. Duhet parë interesin shtetëror dhe interesin nacional për të gjetur formula që janë në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve. Nuk dëshiroj të lëshohem në mikroanaliza dhe mikropolitika, ka numra apo nuk ka numra, mendoj se interesi jonë si shtet shkon përtej numrave.Vendi ka nevojë për një unitet të ri, pra ashtu sic e thash, me fjalë tjera, vendi ka nevojë që të jemi më afër njëri-tjetrit, të tejkalojmë, ndoshta, disa interesa që janë më tepër të natyrave partiake dhe të ngitemi mbi to për të vepruar për Shtetin dhe kombin, siç e kemi bërë tradicionalisht, sidomos, në këto dy – tri dekadat e fundit. Kemi qenë në gjendje të tregojmë se në momentin që ka pasur bllokada gjithmonë kemi gjetur forcën që të jemi bashkë. Këtë e pres edhe tash.
Express: Sa janë gjasat që njëra prej partive të Bllokut të bëhet bashkë me PDK’në për të formuar Qeverinë e re?
E. Tahiri: Për mendimi tim, kjo kohë me këtë situatë, që është situatë demokratike, në kuptimin që dihet fituesi, e fitues është PDK’ja me koalicionet. Tashmë kemi një situatë të re që është proces demokratik formimin i dy blloqeve në skenën politike, që përpiqen të formojnë Qeverinë. Në këtë fazë, unë mendoj se duhet të ketë një bashkim, në kuptimin e këtyre dy faktorëve, apo dy blloqeve, një bashkim esencial. Këtë situatë e kanë në dorë partitë e mëdha dhe liderët e tyre. Ata duhet në këtë moment të ngritën mbi çfarëdo pengesa dhe marrin vendime për shtetin.
Express: Rrjedhimisht, sipas jush, një koalicion mes PDK’së dhe LDK’së do të ishte zgjidhja për situatën aktuale?
E. Tahiri: Mendoj se do të duhej të ishte një formulë edhe më gjithëpërfshirëse se kaq. Tani është liderëve të vendosin. Unë jam udhëheqëse e një partie të vogël, pra, po flas nga kjo pozitë, se një formulë gjithëpërfshirëse që këto parti të analizojnë se ku mund të ndërtohet baza e stabilitetit. Pra, mendoj se duhet të jetë më gjithëpërfshirëse se dy parti.