14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ekspozita “ngjall” historinë e Kuvendit të Prizrenit

der radaZbulohet fotografia e rallë e De Radës. Më ‘78-n përkrahu Lidhjen e Prizrenit. Ngre zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë.

Fotografi të rralla të figurave të ndritura historike, harta të kohës ku kufijtë e Shqipërisë shtriheshin tri herë më të gjerë se sot, si dhe një portret i rrallë i Jeronim De Radës, janë ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. “Shqiptarja” rikujton se ekspozita shënon përkujtimin e datës 10 qershor, kur është mbajtur Kuvendi Shqiptar i Prizrenit.

Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është vlerësuar nga historianët si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Për nëndrejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, Muzeu Kombëtar është një nga pasqyruesit kryesor të kësaj historie.

“Është një datë, e cila apelon për të gjithë popullsinë shqiptare në rajon për një bashkëpunim më të fortë kulturor dhe ekonomik, ashtu siç menduan edhe ata patriotë dhe ajo elitë politike e kohës për ta realizuar bashkimin në ato ditë të vështira të vitit 1820”, thotë ai në një intervistë për “Shqiptarja”.

Deklarata, vendime, fotografi, letra dhe gazeta të kohës dëshmojnë në stendat e kësaj ekspozite rëndësinë e kuvendit të madh të shqiptarëve që u mblodh në Prizren më 10 qershor 1878. Zbardhet e vërteta e rrudhjes së trojeve shqiptare, shpërnguljet e popullit shqiptar nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe tragjeditë që kanë ndodhur. Dorian Koçi hedh dritë përmes ekspozitës në arsyet madhore që mblodhën shqiptarët e të gjitha trojeve në Prizren. Ai rrëfen arsyet se pse janë lënë në hije figura të njohura historike dhe si është trajtuar Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historiografinë shqiptare.

-Dorian, në dritën e kësaj ekspozite kanë dalë detaje, histori, fotografi, që janë më shumë kërkime arkivore sesa të shkruara. Prej kësaj, kuptojmë se kemi një hendek të madh midis historisë së shkruar dhe ekzistencës së arkivave. Pse ka ndodhur kjo?

Është e vërtetë kjo që ju me të drejtë konstatoni. Është një realitet i trishtë i historiografisë shqiptare, që historia fle arkivave më së shumti. Fle jo vetëm arkivave të Shqipërisë, por edhe arkivave në Beograd, në Athinë në Romë apo edhe në Stamboll. Është pjesë e një infrastrukture le të themi të të shkruarit të historisë, e cila për hir të së vërtetës ka një boshllëk shumë të madh, që ka nisur nga ata që ishin në fillim dhe u morën me studime në vitet ’50.

-Vë re, jo vetëm dëshmi arkivore, por edhe shumë figura të mëdha historike, që përfaqësojnë trevat shqiptare matanë kufirit të sotëm. A ka qenë tabu historia e shqiptarëve të përtej kufirit këtu në Shqipëri?

Po të nisemi se çfarë është pasqyruar dhe si është pasqyruar, sigurisht që do të nisemi nga një lloj filtri ideologjik. Për fat të keq përfaqësuesit e familjeve më të mëdha të elitës kulturore dhe politike e kombëtare, shpesh u denigruan. Gjatë asaj kohe përpiqeshin për të mos i përmendur për kontributin e tyre patriotik, për shkak se nipërit, mbesat kishin pasur në atë kohë një aktivitet antikomunist dhe sigurisht kjo lloj politike e ndërmarrë, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe matanë kufirit, edhe në Kosovë, për hir të së vërtetës ka krijuar disa mangësi në perceptimin e popullsisë përkundrejt Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse sot ne e njohim si kontributin e një njeriu, pra të Abdyl Frashërit.

Ai, sigurisht që ka dhënë një kontribut shumë të madh, por nuk mund ta ndërmerrte këtë kontribut pa bashkëpunimin e elitës politike shqiptare të asaj kohe. P.sh. ne kujtojmë se Abdyl Frashëri ishte kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në fakt, nuk ishte kryetar i Lidhjes së Prizrenit, por ka qenë Iliaz Pashë Dibra, kryetar. Ne kujtojmë se ka qenë kryeministri i asaj kohe, por nuk ka qenë kryeministri, ka qenë i ngarkuari me punë për marrëdhëniet me jashtë.

Sigurisht që ai është ideologu, pasi ishte njeriu që përfaqësonte komitetin e Stambollit, por karshi tij ishin edhe Ymer Prizreni, por edhe Shuaip Spahiu nga Spahitë, bajraktarët e Kukësit. Ka edhe shumë figura të tjera historike, të cilat nuk kanë arritur që të evidentohen drejt. Ishte Mehmet Ali Vrioni, bashkëshoqëruesi diplomatik i kësaj kohe që përfaqësonte elitën aristokratike të jugut njëlloj si Avdyl Frashëri, në mos edhe më tepër. Ishin përfaqësues të familjes Vlora të asaj kohe.

Në një rast në kërkimet e mia del edhe një përfaqësues, nip i Alli pashë Tepelenës, Hajredin pashë Tepelena. Kanë humbur këto figura në tisin e kohës. Por çfarë ndodh? Kjo krijon në histori një lloj boshllëku se këta njerëz nuk u mblodhën rastësisht në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, ata përfaqësuan krahinat dhe qëndrimet e ndryshme, që i japin një kolorit.

Për fat të keq në ato vite janë evidentuar më tepër veprimet luftarake të Mic Sokolit, të Zef Koshares apo edhe të Sulejman Vokshit, siç janë përfaqësuar edhe më vonë lëvizjet kaçake e partizane, të cilat ishin vërtetë të rëndësishme, por ajo që vlen ka qenë veprimi politik.

-Gjatë kërkimit në arkiva të këtyre hartave dhe fotove, cilat të kanë befasuar edhe ty si historian?

-Sigurisht këtu janë edhe pjesë të dokumenteve që janë prej kohësh të njohura, por ka edhe shumë surpriza. Është kjo fotografia rinore e De Radës, që përkon me moshën kur duhet të jenë shkruar “Këngët e Milosaos”. Po kështu janë disa pamje të veçanta të qyteteve shqiptare ose të shtresave shoqërore shqiptare, të rrobaqepësve e të rreshterëve, të cilat dëshmojnë për një zhvillim ekonomiko-shoqëror pothuajse në të njëjtat nivele në të gjithë Ballkanin. Nuk është se kishte një zhvillim të jashtëzakonshëm në Serbi, në Greqi, apo edhe në Bullgari, thjesht në Shqipëri ishte momenti politik për të realizuar autonominë siç e kishin bërë edhe vende të tjera.

-Në procesin e shkëputjes së kufijve, cila është pasoja më dramatike që përforcohet me detaje në këtë ekspozitë?
-Më tragjikja është që qendrat kryesore të vilajeteve shqiptare janë tashmë jashtë kufijve. Janë Shkupi, Janina, Manastiri. Këto qytet shqiptare tashmë nuk janë më pjese e etnosit kulturor dhe politik shqiptar. Në Shkup kemi një etni shqiptare, por me keqardhje nuk ka një të tillë në Janinë, përveçse trashëgimisë kulturore të Ali pashë Tepelenës. Edhe Manastiri, ku u bë Kongresi i famshëm ka vetëm 5 për qind të popullsisë shqiptare.

Sipas një raporti të 2004-s, krahina e Epirit në Greqi ishte më e varfra e Bashkimit Europian. Janina ka 40 mijë banorë e sot e kësaj dite, kur 40 mijë banorë ajo kishte edhe në kohën e Ali Pashës. Mbyllja e kufijve kulturalisht, politikisht, ekomonomikisht i ka bërë të rrudhen e varfërohen këto vende.

Më Shumë

Vdes në QKUK një infermiere nga Malisheva – e njëjta ishte shtatzënë

Një grua e moshës rreth 32 vjeçare, nga komuna e Malishevës, ka ndërruar jetë sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që e...

Koulibaly: Anguissa më ka treguar për presioni-n e Conte-s. Kvara? Ai duhet të jetë përsëri magjik

Mbrojtësi që luan për Al-Hilal në Arabinë Saudite, Kalidou Koulibaly ka dhënë një intervistë të gjatë për mediet italiane, ku ka folur ndër të...

Lajmet e Fundit