32 shkolla të komunës së Suharekës nuk janë furnizuar këtë vit me lëndë djegëse për ngrohje. Kjo për arsye se, lënda e kompanisë fituese të tenderit furnizues ka përfunduar në OSHP. Kryetari i kësaj komune shpreson që ky organ shqyrtues do ta përfundojë shpejt këtë proces dhe të bëhet furnizimi i shkollave me dru e pelet.
Ngrohjet në shkollat e komunës së Suharekës janë duke shfrytëzuar tepricat e lëndës djegëse të mbetura nga viti i kaluar. Mësimi deri më tani po zhvillohet normalisht
Në Shkollën “7 Marsi” në Suharekë, ku gravitojnë 611 nxënës, për këtë vit ende nuk është bërë furnizimi me dru. Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Ibrahim Elshani, dru për ngrohje kjo shkollë ka vetëm deri në përfundim të këtij gjysmë vjetori.
“Për momentin mund të konstatoj se gjendja nuk është aq e keqe në shkollën tonë. Ngrohëset i kemi lëshuar me kohë, edhe pse shkolla punon me dy ndërrime, nxehëset lëshohen në orën gjashtë të mëngjesit, deri në orën gjashtë të mbrëmjes. Për shkak të kohës, nuk ka qenë shumë ftoftë e kemi aktivizuar vetëm një kaldajë, kështu që ka qenë e mjaftueshme për këtë periudhë kohore”, deklaroi Ibrahim Elshani, drejtor i shkollës ” 7 Marsi” në Suharekë.
Sipas kryetarit të Komunës së Suharekës, kjo gjendje ka ardhur për shkak se lënda ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
“Ne kemi zbatuar ligjin që është në fuqi, kemi shpall fituesin, ka pas ankesë një kontraktues tjetër kështu që, lënda ka përfunduar në OSHP. Presim OSHP në me vendos për tenderin. Si e keni bërë zgjidhjen? Zgjidhjen e kemi bërë, kemi pas furnizim prej vitit të kaluar ngapak, deri tash, e sipas informatave që kam nga drejtori i DKA-së janë duke u munduar të furnizohen pjesë – pjesë”, tha Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.
Opozita e Suharekës mendon se kjo është papërgjegjshmëri e pushtetit lokal.
“Drutë për shkollat janë krejtësisht lehtë të planifikueshme, sepse mundsh që në fillim të vitit se sa ka me bërë shpenzime për secilën shkollë, dhe mundesh procedurat me i hap që në fillim dhe mos me pas kësisoj vonesa me u rreziku shëndeti i fëmijëve”, tha Urim Suka, asambleist nga radhët e LDK-së.
Komuna e Suharekës ka gjithsej 32 shkolla dhe QKMF të pa furnizuara këtë vit me lëndë djegëse.
Sidoqoftë mësimi po zhvillohet deri më tani normalisht, ndërkaq, Muharremaj shpreson se këto procedura do të përfundojnë shpejt dhe menjëherë të nisë furnizimi i tyre më dru dhe pelet.rtk