-5.2 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Eric Clapton, ky shenjtor i gjallë

Jeff Beck and Eric Clapton in ConcertKëngëtari, autori dhe kompozitori anglez Eric Clapton, u bë legjendë e muzikës blues rock, karriera muzikore e të cilit filloi në vitet ‘60 për të arritur kulminacionin në vitet ‘70 dhe ’80, por që hitet e tij dëgjohen me shumë endje edhe në ditët e sotme.

Në këtë shkrim përpos analizimit të lirikave të tij, do të flitet edhe për ndikimin e Clapton-it në fushën e muzikës.

Muzika për Eric Clapton ishte gjithçka, gjë që ai e shpjegon në librin e tij autobiografik me këto fjalë: “Muzika u bë një ilaç për mua dhe mësova ta dëgjoja me tërë qenien time. Mësova se mund t’i harroja të gjitha emocionet e frikës dhe konfuzionit që kishin të bëjnë me familjen time.”

Hitet e tij kryesisht kanë qenë ato këngë, lirikat e të cilave i ka shkruar duke u bazuar në jetën e tij personale, për disa prej të cilave do të flasim e t’i analizojmë në këtë punim.

Ngritja për në panteon

Eric Clapton këngëtar, autor dhe kitarist anglez lindi më 30 mars 1945. Ishte djali i një nëne 16-vjeçare dhe një babai 24-vjeçar, të cilët e lanë atë nën kujdesin e gjyshit dhe gjyshes së tij. Eric-u u rrit me mendimin se gjyshja dhe gjyshi ishin prindërit biologjik, derisa në moshën nëntë vjeçare e kuptoi të vërtetën.

Kitara e parë e Eric-ut ishte ajo të cilën e mori si dhuratë për ditëlindjen e trembëdhjetë, mirëpo dashuria e tij për të luajtur në të u ngjall vetëm pas dy vitesh.

Clapton studioi në kolegjin e arteve në Kingston, mirëpo nuk pati sukses në fund të vitit akademik, sepse fokusi i tij qëndronte më së shumti tek muzika, e jo tek arti. Luajtja e tij me kitarë bëhej çdo ditë e më e avancuar, kështu në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare filloi ta vinte në pah talentin e tij të paparë.

Të madhit Clapton i janë referuar si njëri nga kitaristët më të rëndësishëm dhe më influencial të të gjitha kohërave. Karrierën e tij e filloi si pjesëtar i grupit The Yardbirds prej vitit 1963 deri 1965, duke vazhduar pastaj me grupin tjetër të muzikës blues rock, ‘John Mayall & the Bluesbreakers’. Me këtë grupin e fundit ia arriti që t’i bënte njerëzit për vete, kështu u shqua si blues kitaristi më i mirë në rrethin e klubit ku ata bënin muzikë.

Kritiku i muzikës, Piero Scaruffi, thotë se zhanri blues rock është definuar atëherë kur John Mayall e bëri albumin ‘Blues Breakers’ me Eric Clapton-in si kitarist, në vitin 1966.

Pas albumit të parë me Bluesbreakers, Clapton e formoi një grup të ri të quajtur Cream me vokalistin/basistin Jack Bruce dhe bateristin Ginger Baker. Treshja i bëri katër albume tejet të suksesshme gjatë viteve. Interpretimi i tyre i këngëve të vjetra blues në rock, e ktheu zhanrin blues prapë në rrjedhë. Cream pati shumë hite që rangoheshin në top 40, duke përfshirë: “Sunshine Of Your Love”, “White Room” dhe “Crossroads” etj.

Zgjedhja e kitarave elektrike të Eric-ut ka qenë e shkëlqyer; së bashku me Hank Marvin, The Beatles dhe Jimi Hendrix, Clapton shfaqi një influencë në tërë botën për popullarizimin e disa modeleve të veçanta të kitarave elektrike. Gibson Les Paul ishte kitarja me të cilën Clapton në vitet e ‘60 krijoi një tingull klasik rok, i cili pastaj u kopjua nga shumë e shumë kitaristë tjerë gjatë kohës, mirëpo Fender Telecaster ishte ajo kitare e cila u bë si ikonë e Eric Clapton.

Në vitet e 70-ta, Clapton me Carl Radle, Jim Gordon e Bobby Whitlock, formuan grupit ‘Derek and the Dominos’, ku e krijuan edhe hitin ‘Layla’, këngë për të cilën do të flasim në vazhdim. Vitet e 70-ta u karakterizuan me një disbalanc mes jetës private dhe karrierës së Eric Clapton. Përderisa suksesi i tij në aspektin muzikor po rritej çdo ditë e më tepër, në anën tjetër, jeta e tij personale kishte filluar të shkatërrohej nga varësia ndaj drogës, alkoolit dhe problemeve në jetën e dashurisë.

Shumë nga fansat e Eric Clapton nuk mund ta kenë vërejtur se sa shumë ishte i varur ai nga droga e alkooli dhe se sa shumë i kishin ndikuar ato në jetën e tij. Ai shpjegon në intervista të ndryshme se ka pasur eksperiencë tri vjeçare me varësinë ndaj heroinës, ku e ka pasur shumë të vështirë të performojnë në koncerte të ndryshme. Në një nga momentet më të vështira të jetës së tij, muzikanti Clapton thotë se e ka konsideruar edhe vetëvrasjen. Në librin e tij autobiografik, Eric thotë: “Arsyeja e vetme se pse unë nuk u vetëvrava ishte se e dija që nuk do ta kisha mundësinë më të pija alkool nëse do isha i vdekur. Ishte gjëja e vetme për të cilën mendoja se ia vlente të jetoja…”

Vitet e ‘80 ishin vitet të cilat Eric Clapton i mbushi me bashkëpunime me emra të mëdhenj të muzikës si: Pink Floyd, Phil Collins, Tina Turner, Daryl Hall, George Harrison etj.

Më 20 mars 1991, djali katër vjeçar i Eric-ut, Conor, vdiq kur ra aksidentalisht nga një dritare e katit të 53-të. Pas kësaj ngjarje tragjike, Clapton i shprehi ndjenjat e tij në këngë, temë për të cilën po ashtu do të flasim në vijim.

Në vitin 1999 Clapton shiti koleksionin e tij të kitarave, ku i fitoi 5 milion dollarë – shumë me të cilën e suportoi qendrën e rehabilitimit nga varësia ndaj drogës të Antiguas, që e kishte ndihmuar edhe në vitin 1997.

Në ceremoninë e 35-të të çmimeve Grammy, Clapton fitoi gjashtë Grammy për këngën “Tears in Heaven” dhe për albumin e tij “Unplugged”. Album ky i cili u rangua si i pari në top listën botërore ‘Billboard 200’ dhe prej atëherë “Unplugged” i Clapton u certifikua nga ‘Diamond’ për shitjen e dhjetë milion kopjeve në SHBA.

Në një intervistë të vitit 2007, Eric Clapton tregon se si dëgjoi dhe mësoi nga të mëdhenjtë e muzikës blues kur ishte në moshë rinore: “Bill Broonzy ishte një teknik i jashtëzakonshëm, po ashtu edhe një kitarist i mrekullueshëm. Ritmi i tij – ishte absolutisht perfekt.” Pastaj flet për inspirimin e tij më të madh muzikor, kitaristin e muzikës blues, Muddy Waters.
Me kalimin e viteve, Clapton u zgjodh edhe për të performuar në ‘Rock and Roll Hall of Fame’ (ceremonia për përvjetorin e 25-të) në Madison Square Garden në vitin 2009.

Muza poetike e Clapton-it

Besoj se mënyra më e mirë për ta filluar këtë temë është me një thënie të të madhit Clapton mbi muzikën: “Filozofia ime shtytëse për të bërë muzikë është se mund ta reduktosh atë edhe deri në notën më të ulët nëse ajo notë luhet me sinqeritetin e vërtetë.”

Siç e kemi cekur edhe më lart, këngët që Clapton i ka shkruar duke u bazuar në jetën e tij personale, kanë pasur sukses të paparë. Marrim këtu shembull këngët si: ‘Layla’, ‘Wonderful Tonight’, ‘Tears In Heaven’ e ‘My Father’s Eyes’.
‘Layla’ – këngë kjo e shkruar nga vetë Eric Clapton dhe Jim Gordon në vitin 1971. Kjo u konsiderua si një nga këngët definitive të dashurisë në zhanrin rok.

Pas këtij hiti fshihet një histori tejet interesante. Për këtë këngë, Clapton u inspirua nga dashuria e ndaluar mes tij dhe Pattie Boyd (gruaja e këngëtarit dhe shokut të Clapton, George Harrison). Titullin ‘Layla’, Eric-u e mori nga një libër poezish të autorit persian Nizami Ganjavi, “Historia e Layla dhe Majnun”. Për shkrimin e këtij libri, poeti persian Nizami është bazuar në një ngjarje të vërtetë të një gruaje të martuar me një njeri të zgjedhur nga babai i saj, kurse në anën tjetër e dashuruar kokë e këmbë me një mashkull të quajtur Manjun – dashuri kjo e ndaluar.

Pas shumë problemeve, Clapton i tregoi Harrison-it se ai dhe gruaja e tij ishin të dashuruar me njëri-tjetrin. Kjo shkaktoi divorcin mes Boyd dhe Harrison, mirëpo shoqëria mes Harrison dhe Clapton nuk u shua.

Vargjet e mëposhtme janë fjalët me të cilat Clapton ia shpreh dashurinë asaj përmes këngës ‘Layla’:

Layla, më ke vënë në dy gjunjë

Layla, po të përgjërohem e dashur të lutem

Layla, e dashur pse nuk e lehtëson këtë mendjen time të brengosur?

“Mendoj se Eric ishte shumë i gjallë në ato kohë… Ai është një muzikant aq i mrekullueshëm saqë është në gjendje që emocionet e veta t’i shndërrojë në muzikë, në atë mënyrë që edhe publiku ta ndiejë atë instiktivisht. Të prekë thellë në shpirt.” – tha inspirimi i Eric Clapton, Pattie Boyd.

Në fund të viteve të 80-ta, ‘Layla’ u paraqit në shumicën e listave botërore për këngët më të mira në historinë e njerëzimit. Në vitin 1992, fitoi çmimin Grammy për këngën më të mirë rok, kështu duke e mposhtur edhe “Smells Like Teen Spirit” të grupit të mirënjohur Nirvana.

Wonderful Tonight’ – një këngë tjetër e shkruar nga Eric Clapton në vitin 1977. Ashtu si vet kënga, edhe historia pas kësaj kënge është shumë e bukur.

Historia e lindjes së këtij hiti u tregua nga Pattie Boyd, e cila edhe këtë herë ishte inspirimi i të madhit Clapton për kompozimin e kësaj kënge të mrekullueshme:

Një natë, unë dhe Eric-u kishim planifikuar të dilnim në darkë, mirëpo nuk mund të vendosja se ç’të vishja. Eric-u kishte orë që ishte bërë gati, kështu që po eksperimentonte diçka me tinguj në kitarën e tij. Ishte shumë i ëmbël në vitet e hershme. Kur më së fundmi vendosa dhe po zbrisja poshtë në dhomë, e pyeta: “A po dukem mirë?”.

Ai menjëherë filloi ta luante me kitarë atë që kishte qenë duke e shkruar: “Është vonë në mbrëmje; ajo po mendon se ç’të vesh. Ajo po grimohet dhe i krehë flokët e saj të bardhë… E pastaj më pyet: “A po dukem mirë?”, e unë them, “Po, ti po dukesh shumë bukur sonte”. Gjithmonë mendoj se sa miklues është fakti që unë kam qenë inspirimi i Clapton dhe Harrison për kompozimin e këtyre këngëve kaq të bukura. ‘Wonderful tonight’ është kujtimi më prekës i gjthçkaje që ka pasur të bëjë me lidhjen time me Eric-un. Kur gjërat nuk shkonin mirë mes nesh, ishte sikur një torturë ta dëgjoje këtë këngë.

Nga e gjithë kjo histori mund ta vërejmë spontanitetin e Eric Clapton në të shkruarit e lirikave.

‘Tears in Heaven’ – një baladë e shkruar nga Eric Clapton dhe Will Jennings për humbjen dhe dhimbjen që Clapton e ndjeu pas vdekjes së djalit të tij katër vjeçar, Conor. Siç e ceka më lartë edhe në biografinë e shkurtër, vdekja e djalit të tij ishte si shkak i një aksidenti fatal – rënia e tij nga një dritare e katit të 53-të në Nju Jork, në mars të vitit 1991.

A do të ma dije emrin
Po të të shihja në Parajsë?
A do të ishte njësoj
Po të të shihja në Parajsë?

Strofa më lartë është njëra nga strofat e këngës ‘Tears In Heaven’. Në shumë video të Eric Clapton duke e kënduar këtë këngë live, shihet se si i ka përjetuar këto vargje kaq të bukura, mirëpo njëkohësisht të dhimbshme për të. Kënga ‘Tears In Heaven’ nuk performohet më nga këngëtari Clapton që nga viti 2004: “Nuk e ndieja humbjen më, pjesë kjo shumë e rëndësishme për performimin e kësaj kënge. Unë duhet vërtet të lidhem me ndjenjat që i kisha kur e shkrova ‘Tears in Heaven’ dhe ‘My Father’s Eyes’. Ato ndjenja janë zhdukur paksa dhe sinqerisht nuk dua të kthehen më. Jeta ime tani është ndryshe.”

Kjo baladë është një ndër këngët më të suksesshme të Eric Clapton, kështu duke e arritur pozitën e dytë në top listën botërore ‘Billboard Hot 100’ në SHBA. Po ashtu, ka fituar edhe tri çmime Grammy për këngën më të mirë të vitit 1993, inçizimin më të mirë të vitit, si dhe për performancën më të mirë pop të një artisti mashkull.

‘My Father’s Eyes’ – një këngë tjetër e shkruar nga Eric Clapton për jetën e personale në lidhje me djalin dhe babain e tij. U kompozua në vitin 1998 dhe është pjesë e albumit ‘Pilgrim’. Në këtë këngë, superstari anglez këndon me shpirt për babain e tij të cilin gjatë asaj kohe nuk e pati mundësinë ta njohë fare:

Si erdha deri këtu?
Çfarë kam bërë?
Kur do të rriten të gjitha shpresat e mia?
Si do ta njoh atë,
kur të shikoj në sytë e babait tim?

“Unë nuk e kam njohur kurrë babanë tim. E kam kuptuar se më e afërta që kam arritur të shikoj në sytë e babait tim, ka qenë kur kam shikuar në sytë e djalit tim, Conor.” – i tregon Eric-u biografistit të tij në vitin 1985. Pra, në tekstin e këngës përfshihet edhe një pjesë e djalit të tij. Kemi vargjet:

Ngadalë dalë, e kuptova
Që ai ishte këtu me mua
Dhe se unë kam shikuar edhe në sytë e babait tim…

Është me të vërtet lirikë e bukur për ta analizuar, e për ta parë se si Eric Clapton ia arriti ta gërshetojë aq bukur kujtimin e djalit të tij, me atë të babait, e ta shndërrojë këtë këngë në një hit madhështor.

Eric Clapton fitoi një çmim Grammy me ‘My father’s Eyes’ për performancën më të mirë pop të një artisti mashkull. Ashtu siç u shpjegua edhe më lart, kjo këngë nuk u performua më nga Clapton që nga viti 2004.

Ajo çka e përcakton një kitarist të madh nuk është vetëm aftësia teknike, mirëpo edhe ndikimi i tij në botën e kitarës, risitë, kreativiteti dhe origjinaliteti. Influenca e Eric Clapton është e pamohueshme. Clapton ka stilin e tij unik, të cilin njerëzit me një të dëgjuar automatikisht mund ta njohin se kush është. Ai është njëri nga pionierët e zhanrit blues rock, njihet si njëri nga ‘zotët’ e kitarës.

Kemi edhe legjendën e muzikës B. B. King, i cili thotë: “Kam qenë rreth botës, kam luajtur në 90 shtete të ndryshme në botë dhe kam takuar shumë njerëz, mbretër dhe mbretëresha, mirëpo kurrë nuk e kam takuar një njeri më të mirë e më të këndshëm sesa shokun tim, Eric Clapton”./Zëri/

Më Shumë

Kadrijaj vendos një pankartë në Kuvend: “Fitore Pacolli 200 mijë euro, Gratë e Krushës 0 euro”

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, në seancën ku po diskutohet në shqyrtim të dytë buxheti për vitin 2025, ka vendosur një pankartë me mbishkrimin...

Albin Kurti publikon video duke kënduar “Mora fjalë” me Shkurte Fejzën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij për këngëtaren e njohur shqiptare Shkurte Fejza në një mënyrë unike, duke...

Lajmet e Fundit