Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë me dije se roli i ardhshëm i EULEX-it pritet të fokusohet tek mbështetja e institucioneve vendore në fushën e sundimit të ligjit. Ai ka deklaruar se në mandatin e ri ky mision do ta ndihmojë Kosovën të jetë sa më afër BE-së.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Rexhepi ka vlerësuar se në të ardhmen pret edhe mbështetjen e këtij misioni në avancimin e partneritetit strategjik me agjencitë e specializuara të sundimit të ligjit siç janë: EUROPOL, INTERPOL, EUROJUST etj. “Mandati i ardhshëm i EULEX-it duhet të fokusohet në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit me qëllim që ta afrojë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian, gjithnjë duke u bazuar në parimin e pronësisë vendore, pra sa më shumë përgjegjësi te bartura tek institucionet vendore”, ka thënë Rexhepi. Sipas tij, institucionet vendore kanë ngritur kapacitetet e nevojshme për t’i përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore në të gjitha fushatë.
Rexhepi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se ministria që drejton i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë dalë nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave. Madje ai ka deklaruar se në këtë fushë Kosova qëndron edhe më mirë se vendet e rajonit. “Duhet të ritheksoj se në disa prej kritereve nga udhërrëfyesi qëndrojmë edhe më mirë se vendet e rajonit, edhe përkundër faktit se Kosova është dashur ta adresojë dyfishin e kritereve – gjithsejtë 95 nga ato që vendet e rajonit i kanë pasur rreth 45”, është shprehur Rexhepi. Ai ka folur edhe për gjendjen në pjesën e veriut. Rexhepi ka bërë me dije se situata në veri po vazhdon të normalizohet. “Tanimë kemi autoritet kufitare të Republikës së Kosovës, të cilët operojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve te Republikës së Kosovës. Po ashtu, kemi përmbyllur me sukses procesin e integrimit të 290 individëve nga komuniteti serb në Policinë e Kosovës. Së shpejti presim të kemi funksionalizim edhe të sistemit të drejtësisë në atë pjesë të vendit”, është shprehur Rexhepi.
Sa iu përket vrasjeve të fundit në qytetin e Pejës, ai ka thënë se Policia e Kosovës së bashku me institucionet e drejtësisë janë duke punuar për zbardhjen e këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti. Ministri Rexhepi i ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit, duke ofruar çfarëdo informate që do të mund të kontribuonte në zbardhjen e këtij rasti.