Myslimanët në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot po kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën e besimtarëve ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një dhuratë e pashtershme. Ai kërkoi vepra të mira dhe zgjatje dore për të varfëritë dhe nevojtarët, si dhe unitet në të gjitha fushat dhe në çdo vend.

“Është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe në Kurban Bajram, sepse ky është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën”, tha ai duke shtuar se këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, “duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtarët.

Myftiu Tërnava, me këtë rast, ftoi çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë, sipas tij, ia kemi borxh Kosovës tonë.

Ndryshe ritet për këtë festë nisën me faljen e namazit të sabahut që u bë në ora ora 4:19 minuta.Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban – Bajramit,  me faljen e namazit të sabahut e mbajti Hetem ef. Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.

Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 5.34 dhe i priu kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhan ef. Hashani, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava