14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Falja e gjaqeve në Gjonaj të Hasit, ngjarje e lavdisë

Pajtimi i gjaqeve mbetet njëra nga ngjarjet historike të lavdisë në Kosovë. Më 2 shkurt 1990, me nismën e Anton Çettës, nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa. Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait.

Tubimi në Kodrën e Pajtim në fshatin Gjonaj, do të mbetet si momenti më i lavdishëm i faljes së gjaqeve e ngatërresave në Has. Në këtë tubim shumë familje nga Hasi dhe qytete të tjera të Kosovës, e shtrinë dorën e pajtimit.

Njëri nga nismëtarët e pajtimit të gjaqeve e ngatërresave në Has, dr. Halil Cikaj tregon për çastin e formimit dhe angazhimin e Këshillit të Pajtimit në Has.

Ai, vlerëson se Pajtimi i Gjaqeve në Gjonaj, ishte një prej periudhave më të bardha të historisë në Has.

“Jam shumë krenar që kam pasur mundësin të jap kontributin tim në pajtimin e familjeve të ngatërruara”, shprehet Cikaj.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Studentët nga Hasi i Prizrenit, ndërkaq, nuk qëndruan indiferent. Ata, iu bashkuan karvanit të Çettës.

“Ishim një numër bukur i madh i studentëve nga Hasi, të cilët menjëherë u angazhuam që të bëhemi pjesë e nismës për pajtimin e gjaqeve”, tregon ai. Në fillim të muajit mars të vitit 1990, studentët nga Hasi ishin takuar për të biseduar rreth formimit të Grupit për pajtimin e gjaqeve. Pjesë e takimit të parë ishin studentët: Halil Cikaj, Liman Shatri, Kasum Letaj, Refki Tanushi, Fadil Nerjovaj, Shpend Nerjovaj,Sylejman Martinaj, Fadil Mallakaj, Ahmet Cakaj,Destan Cakaj dhe Shyhrete Hoxhaj.

“Në këtë takim u morëm vesh që të organizohemi për pajtimin e familjeve të hasmëruara”, kujton Cikaj. Sipas tij, pas këtij takimi studentët nga Hasi, u bënë pjesë e karvanit të Çettës.

“Fillimisht u takuam me Hava Shalën dhe Mervete Dreshajn. Aty kërkuam instruksione si të kyçemi për aktivitetin e pajtimit të gjaqeve për regjionin e Hasit. Na pranuan me kënaqësi si dhe na preferuan se mund të fillonim menjëherë me organizim, dhe u morëm vesh që të takohemi për konsultime çdo të premte, pas dite në lokalet e Fakultetit Fillozofik”.

Pas këtij takimi, studentëve iu ishte bashkangjitur edhe studenti, Nexhat Çoçaj, i cili në atë kohë punonte edhe gazetar.

“Në një darkë e njoftuam Nexhatin për iniciativën tonë. Ai u pajtua që të bëhet pjesë e grupit tonë në takimet e tjera”, tregon Cikaj.

Studentët nga Hasi përpiluan edhe Planin e veprimit. Përgjegjës të Grupit u caktuan: Halil Cikaj, student i Fakultetit të Mjekësisë, Fadil Mallajkaj student i Fakultetit të Bujqësisë si dhe Sylejman Martinaj, student i Fakultetit të Elektroteknikës.

Ata, definuan formën dhe mënyrën e takimit me grupet aktive të intelektualëve, që veq kishin filluar të vepronin në Prizren, ku përgjegjës ishin Bajram Kurti dhe Shyqeri Shehu.
Baza e grupit gjatë veprimit në teren u përcaktua shtëpia e Halil Cikajt, i cili u caktua edhe udhëheqës.

“Në fillim të marsit sapo u mblodhëm në oborrin e shkollës në Gjonaj, morëm informacionin se Grupi i pajtimit i udhëhequr nga prof. Bajram Kurti e Shyqeri Shehu, veç ishin nisur për fshatin Ramajë. Në marrëveshje me shokët menjëherë filluam rrugën për Ramajë dhe iu bashkëngjitëm këtij grupi”.
Mbrëmja e parë e takimit të studentëve në Has.

Studentët nga Hasi, filluan të dilnin në terren. Ata, paraprakisht mbajtën takimin e parë në një dhomë të burrave në shtëpinë e Haxhi Kamer Cikaj. Në këtë takim ishin ftuar të gjitha strukturat e fshatit përfshirë dhe ata të LDK-së.
“Gjetëm përkrahje të fuqishme”, kujton Cikaj.

“Të gjithë njerëzit që kishin autoritet ishin në përkrahjen tonë, deri në ditën e fundit të aksionit”.

Grupi që ishte marrë me aktivitete të përhershëm përbëhej nga :Halil Cikaj, Nexhat Çoçaj, Kasum Letaj.Darsim Çollakaj,Gëzim Duraj,Shaban Osmanaj,Hate Totaj,Ajne Çoçaj, Nazmije Totaj,Melihate Çoçaj, Shemsije Çoçaj, Florije Çoçaj,Agim Laqaj, Flamur Shehaj,Sadri Hodaj, Sylejman Martinaj,Fadil Mallakaj, Liman Shatri. Darsim Çollaku dhe Flamur Shehaj.

Dr. Cikaj thotë se puna në terren nuk ishte e lehtë.

“Në një fshat familjari i të vrarit na quajti ‘rrugaçë të Prishtinës’ “.

“Po ashtu duhet të cekët edhe një rast interesant, ku prindi i një djali të vrarë ishte pajtuar ta falte gjakun e djalit, por kërkonte përveç studentëve dhe profesorëve të mos vinin të tjerët në shtëpinë e tij”.
Cikaj kujton dhe një moment ku djali betohej se do ta falë gjakun e babait nëse gjendet dorasi.

“Kadri Bislimi e kishte të vrarë babin, po nuk dinte se kush ishte vrasësi. Ai bënte thirrje publike që të deklarohej kryesi i vrasjes, sepse kishte vendosur se do t’ia falë gjakun”, kujton ai.

Grupi i pajtimit të familjeve të ngatërruar në Has, pas punës në terren vendosi që të mbajë një tubim përmbyllës. Ky grup u pajtua që tubimi të mbahet në fshatin Gjonaj.

Tubimi u moderuar nga Nexhat Çoçaj.

“Fshati Gjonaj edhe pse ishte më i madhi në Has, kishte më së paku ngatërresa”.

Organizatorët kishin rënë në sy të organeve të policisë së Serbisë. Ata ishin marrë në pyetje disa herë nga policët.

Frika më e madhe ishte nga policët shqiptar të cilët ishin pjesë e organeve të Serbisë.

“Nuk mbahej në mend një mobilizim i tillë. Fjalimi më domethënës për ne dhe kohën ishte ai i prof. Hajdar Mallakut ”, kujton Cikaj.

Në këtë tubim u janë falur afër 40 gjaqe dhe mbi 30 plagë.

 

Pajtimin e Gjaqeve në Gjonaj, askush s’e kujton

Dr. Halil Cikaj, shprehet i zhgënjyer për moskujtimin e kësaj date historike në Has. Sipas tij, disa nga pjesëmarrësit e Këshillit të Pajtimit, pas përfundimit të luftës vrapuan pas pushtetit.

“Fatkeqësisht kjo ngjarje pas luftës nuk u kujtua asnjëherë”.

Ai thotë se për angazhimin dhe pajtimin e familjeve të hasmëruara në Has, është shkruar shumë pak.

“Turpi kulmon mbi ata që në atë kohë iu kishte dhënë besimi nga shokët studentë, që të mbanin shënime për arkiv, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë”.

Kjo datë historike përkujtohet vetëm SHKA “Malësori”.

“SHKA “Malësori” organizon festivalin “Hasi Jehon”, por kjo ngjarje është përmendur vetëm dy herë dhe atë shkarazi”.

Cikaj, shpreson se në të ardhmen Pajtimi i Gjaqeve në Has, do të përkujtohet dhe shkruhet më shumë.

“Kjo ngjarje historike meriton të kujtohet e shkruhet më shumë”, shprehet ai.

/BLERIM ÇOÇAJ/

Më Shumë

Kryetari i ri i OVL-së së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, falënderon delegatët për besimin e dhënë

Kryetari i ri i OVL-së  së UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë në mënyrë unanime, pas zgjedhjes së...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të...

Lajmet e Fundit