Floriani (6), në natën e Vitit të Ri do të pranojë urime në tri gjuhë. “Gëzuar Viti i Ri” do t’i urojë mami Afërdita Morina-Biffar, “Glad Neujahr”, babi i tij Ulrich Biffar, teksa “Happy New Year” do ta përgëzojnë miqtë e babit dhe të mamit.
Ai është i biri i çiftit Biffar, një gazetari të ushtrisë gjermane dhe një gazetareje shqiptare, të takuar në ditët e para të pasluftës në Prizren.
Ulrich, tash drejtor i misionit të OSBE-së në rajonin e Gjilanit, ka ardhur në Kosovë që në ditën e parë të çlirimit me KFOR-in gjerman, kurse Afërdita, një prizrenase, kishte filluar të punonte në Radio-Prizren që në ditët e para të çlirimit.
Aty kishte lindur dashuria e tyre, e cila sikur ka marrë shumë nga toleranca ndëretnike, ndërkulturore dhe ndërfetare në Prizren dhe është shndërruar në promovimin e saj më të mirë.
Në banesën e tyre, në një kompleks të ri të Prizrenit, në muret e dhomës së pritjes ishin vendosur piktura me lule, ndërsa bredhi ishte stolisur me dashuri.
”Disi më duket se në Kosovë po kërkoni që gjërat të rrjedhin më shpejt, nuk duhet harruar se edhe në Gjermani u desh të kalonin më se 20 vite që t’i sanonim plagët e luftës, ju duhet ta ujitni lirinë tuaj si një lule, sepse ajo ka nevojë për kujdesin tuaj”, kështu e nis bisedën dhëndri gjerman i Kosovës, derisa djali i tij Floriani, nxënës i klasës së parë, në gjimnazin “Loyla”, tregon se e ka mësuar shkronjën e parë të emrit të tij- F. E zonja e shtëpisë në mes rrëfimit të tregimit të dashurisë shpejton të bëjë kafenë tradicionale.
“Ulrichi respektoi traditat tona, erdhi dhe e kërkoi dorën time tek babai im, të gjithë kanë mirëpritur martesën tonë, edhe farefisi, edhe miqtë tanë”, pohon Afërdita, duke shpalosur faktet se emisioni i përbashkët që përgatiste KFOR-i me disa televizione lokale kishte sjellë edhe dashurinë në mes të dy gazetarëve.
Ulrich ka shërbyer si gazetar i Bundesverit gjerman, në shumë vatra të luftës që nga Afganistani, Kuvajti, Xhibuti i Afrikës, pastaj në Çeçeni dhe së fundi në Kosovë. “Gazetaria është sfidë më vete, por sfida e gazetarisë së luftës është e shumëfishtë, aty e sheh prapaskenën e krimit dhe bëhesh i pari që e rrëfen atë për të tjerët”, thotë ai, derisa sqaron fluturimin me helikopter mbi Suharekën e djegur . “Vetëm tym, shtëpi të djegura dhe lopë të ngordhura shiheshin, edhe gropa të hapura, dhe krijohej bindja se asnjë njeri nuk kishte shpëtuar”, i kujtohet atij fluturimi i parë mbi Kosovë, për të cilën më parë nuk kishte dëgjuar.
Mirëpo për Prizrenin iu ishin ngulitur pamjet e papërjetuara më parë, kur njerëzit kishin hapur kapixhikët dhe kishin pritur trupat gjermane, duke iu vendosur lule të freskëta në gjoks.
Çifti Biffar tash e ndan ditën në mes të angazhimeve në Gjilan, Ferizaj e Prizren. “Është një hark tipik kosovar, prej kur filloi Floriani shkollën po qëndrojmë me familje në Prizren, kurse punët po i kryejmë sipas dinamikës”, thotë Afërdita, e cila së fundi është duke ndjekur masterin për diplomaci në Angli dhe ka braktisur gazetarinë për t’u angazhuar në politikë.
Pas një kohe misioni i gjermanit në Kosovë ishte bërë i pashkëputshëm, nevoja e transformimit të realitetit në Kosovë e kishte bërë Ulrichun edhe më praktik se një gjerman tipik. “Në kuadër të misionit të OSBE-së më është dashur të organizoja shumë debate dhe shumë ligjërata për ruajtjen e ambientit që nga mosdjegia e gomave, hamulloreve apo pastërtisë së ujit dhe kursimit të tij dhe të mosprerjes së pyjeve”, sqaron ai, duke shprehur brengën se natyra e bukur e Kosovës po dëmtohet rëndë./Koha Ditore/