23.8 C
Prizren
E martë, 9 Gusht, 2022

Fatos Lubonja nuk e do gjallë Ramush Haradinajn

Rexhep ShehuRexhep Shahu
Sa herë kam dëgjuar emrin Fatos Lubonja apo e kam parë ekraneve duke bërë të gjithëditurin edhe kur ia ka futë si kau pelës, edhe kur ka bërë ekpertin që nga fluturimet kozmike deri te thellësitë dhe ngjyrimet e seksit, më ka gufuar së brendëshmi një ndjenjë mëshire për të. Kjo vetëm për shkak të burgut të gjatë që ka bërë në kohën e Enverit jo si kundërshtar I regjimit të Enverit por për shkak se kuçedra diktaturë kullufiste bijtë e saj që e ndërtuan dhe çimentuan atë.

Duke e ndjekur Fatosin që I priste palla pa mëshirë vura re ndër vite se ai ka shumë inat me shqiptarët. Inat me heronjtë dhe simbolet e shqiptarëve. Inat që iu bë patologji urrejtje. Dhe I dhashë karar: çfarë faji kam unë si shqiptar, çfarë faji kanë shqiptarët pse bëri burg Fatosi që ai i urren shqiptarët.Dhe ai din kë të urrejë : të gjallët, të suksesshmit, fitimtarët. Urren Ramush Haradinin. Po pse nuk urren vëllezërtit e vdekur të Ramushit, pse nuk urren shqiptarët e vdekur por të gjallët. Apo i urren pse të gjallët janë gjallë dhe nuk janë të vdekur. Sipas thënies se shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur… Apo jo Fatos?

Ramush Haradinit ia kam dëgjuar bëmat heroike në kohën e luftës. Nuk kam qenë në luftë por mu buzë saj, si më i privilegjuari dhe më me fat gazetar i asaj kohe. E kam takuar menjëherë pas lufte rastësisht. Ishte uragan, të merrte përpara. Kam bërë një shkrim fill pas lufte dhe e kam kritikuar Ramush Haradinin kur shkruhej për të në beze që lidheshin shtyllave në rrugën Gaajokë – Pejë “Mirëse vjen heroi ynë i gjallë legjendar Ramush Haradinaj” dhe unë e kritikoja se ai nuk mund të ishte edhe hero edhe I gjallë edhe legjendar pasi ai ishte një figurë reale, konkrete dhe as legjendar e as historik.

Kur shkoi vetë në Hagë herën e parë kam botuar shkrimin “Heroi do të kthehet bashkë me lirinë” dhe ai u kthye bashkë me lirinë e pavarësinë. Kur erdhi me liri të pakontestuar dhe shkoi u perul para varrit të Ibrahim Rugovës shkrova se ai është trim, hero, lider, mirënjohës dhe po sillet si burrë shteti. Kur kerkoi të bëhej kryeministër pa zgjedhje pasi erdhi nga Haga unë qesha me vete. Kaq histori kam unë përsonalisht me të. Por sot nuk po i dal zot Ramush Haradinajt sepse ai nuk ka kurrëfarë nevoje për mua, por po i dal zot vetës time, çdo shqiptari, po u dal zot prej atyre që na kanë marrë e vazhdojnë të na marrin nëpër këmbë.

Në shkrimin e botuar shqip në gazetën Panorama (e cila nuk e ka qëndrim të sajin këtë shkrim) dhe anglisht, që ka marrë dhenë, Fatos Lubonja nuk ka droje të shpallë urrejtjen e tij kundër shqiptarëve dhe knaqet, ekzaltohet me urrjetjen e tij, paguhet që të urrejë shqiptarët, që t’ua shembë shtyllat ku mbahen shqiptarët.

Po shkëpus këtë pasazh, për të mos ribotuar unë pretencën e Fatos Lubonjës kundër shqiptarëve dhe njërit prej heronjve të gjallë të tyre, Ramush Haradinit. “në vitet 1998–1999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë.”

Dhe po mendoj jo krejt i ftohtë : po Fatosi ku i din këto gjëra. Kur i pa apo provoi vetë. Kur s’i ka parë me sy dhe prekur me dorë, pse duhet të besojë kundërshtarët apo ato që shkruajnë e thonë rrena. Një mik i tij i burgut thotë se Fatosi në burg ishte qëndrestar, dhe pasi hoqi dorë nga spiunlleqet, provoi të dënohej me qëndrim në qeli 3 vjet dhe kur dilnin ndonjë shëtitje thoshte “hajde të bëjmë pak axhitacion e propagandë”. Nëse unë them se Fatosi ushqehet me rrena e thashetheme, si zakon të vjetër që e ka, çfarë do të thoshte Fatosi. Nëse unë them se Fatosi paguhet si mercenar dhe shërbetor i djallit për të rithënë të pavërtetat e për ti publikuar të pavërtetat kundër shqiptarëve nëpër botë, çfarë do të thoshte Fatosi. Nëse unë them se për një grusht para ai e shet shpirtin dhe hedh shigjeta rrufesh kundër shqiptarëve (jo kundër vetes se nuk ndjehet i tillë), çfarë do të thoshte ai. Pak gjëra të mira, të mira jetëgjata që bëjnë shqiptarët, Fatosi i mallkon këto të mira.

Unë kam bërë një përgjigje që e mendoja shterruese për Fatosin në librin “Apologji për Udhën e Kombit” kur ai shan dhe mallkon Udhën e Kombit dhe e quan atë udhë për në planetin Mars. Kështu i dukej Kosova atij. Pasi atdheu i shqiptarëve dhe bash ashti i atdheut të shqiptarëve atij i duket si planeti Mars. I pamësuar të mos jetë në vorbull, pasi boll ka ndënjtë në burg dhe vetmi, ai sa herë që e sheh se nuk e fokusojnë kamerat hedh ndonjë gur në ujë. Dhe fiton vemendje. Unë e mirëkuptoj plotësisht. Por kur ai sulmon dhe flliq gjërat më të mira të shqiptarëve, mi përzien zorrtë në bark e ma tharton mutin. Shau Udhën e Kombit si vepra më e madhe e ndërtuar nga shqiptarët në historinë e tyre, si vepra që pohoi se shqiptarët kanë shtet dhe po të duan bëjnë mrekulli në vendin e tyre. Shan tani luftën e UCK si lufta që solli ndërhyrjen e NATO-s dhe që solli fitorën më të madhe të historisë për kombin shqiptar. Lubonja dhe ata që e paguajnë nuk e kapërdijnë një gjë të tillë, një fitore të tillë, një madhështi të tillë të shqiptarëve. Nuk e kapërdijnë që shtetet më të mëdha, më demokratike e më të fuqishmë të botës e ndihmuan Kosovën, ndihmuan kombin shqiptar, ia çertifikuan si të drejtë luftën dhe paqen. Kosova u çlirua, u pavarësua, Udha e Kombit e bashkoi kombin, bashkoi fizikisht Kosovën me Shqipërinë. Tani që ka filluar të ndodhë pajtimi me serbët, del Lubonja e lubonjërat dhe hedhin helm. Që të mos ndodhë pajtimi. I cili duhet domosdo të ndodhë një ditë. Sepse po të mos ndodhë ky pajtim, duhet të rrokën pushkët edhe për shekuj të tjerë. Dhe fati do të caktojë pastaj për shqiptarët ose për serbët të njejtën gjë që caktoi psh për vllehët: duhet të bredhin skutave të Ballkanit me shkop e trastë në krahë, me shkop në dorë për të lypë bukë, ujë e strëhë për të futë kokën. Që të mos këtë më Fatosa të tjerë duhet të pajtohën më në fund serbët me shqiptarët dhe të jetojnë në paqe në vendet e tyre, në trojet e tyre.

Shumë thashetheme din Fatosi siç di unë dhe shumë shqiptarë të tilla për Fatosin. Por historinë nuk e bëjnë thashethemet që din Fatosi e as thashethemet që di unë. Ramush Haradinaj është komandanti më komandant në Kosovë për kohën e luftës. Ka dalë nga lufta veç kur ka ardhë dhe ka varrosë vëllain në Vlahën të Hasit dhe është kthye direkt në luftë dhe nuk ka bërë kurrë luftë nëpër kafenetë e restorantet e Kukësit, Tiranës, Zvicrrës apo Gjermanisë, por ka bërë luftë të vërtetë. Ai i dha luftës gjithçka. Se e ka falë plumbi është punë e zotit.

Edhe Fatos Lubonja la rininë burgjeve dhe ka gjithë mirënjohjen tonë, ani se në burg e futi Enveri për t’i trembur babanë dhe shpejt pas të birit burgosi babanë. Por babë e bir për Enverin punuan edhe në burg shumë kohë, nëse u besojmë thashethemeve siç u beson Fatosi për Ramushin. Plumbat nuk i fërshëllyen mbi kokë Fatosit. E fali Enveri prej plumbave jo zoti si Ramushin. Fatosi vuajti familjarisht nga Enveri që u bë vlla me serbët, Ramushi u vra familjarisht nga serbët, Ramushi si familje derdhi gjak vëllezërish që ia ka bërë nëna e jo lopa për lirinë e Kosovës, la dritën e syrit. Dhe është larg të dërdhësh gjak për lirinë me të bësh burg se don Enveri. (Në fakt nuk ke bërë burg se ke kundërshtuar Enverin)

Dhe pas shkrimit të Fatosit si platformë urrejtje kundër shqiptarëve që për dreç më kujton platformën e Çubrilloviçit kundër shqiptarëve për t’i zhdukë e shfarosë shqiptarët, për ti nxjerrë ketej Bjeshkëve të Nemura…, më kujton ishkryeministrin serb Vlladan Gjeorgjeviçin që i nxirrte shqiptarët me bisht dhe tezat e tij i ka artikuluar duke i vjedhë dhe duke i shitë si të tijat Fatos Lubonja, pra pas shkrimit të Lubonjës globalist, pacifist, internacionalist = nacionalist serb, grek, vlleh etj etj që vajton për serbët e romët e vrarë nga shqiptarët por kurrë nuk thotë një fjalë për shqiptarët e vrarë nga serbët, për mijëra shqiptarët e zhdukur nga sërbët që nënat e Kosovës i kërkojnë sot e gjithë ditën, pra pas këtij shkrimi, po shoh reagime parulleske që veç ia bëjnë qejfin Fatos Lubonjës pamundur askush t’i thotë se cili është në fakt ai, pa mundur me e vu përballë pasqyrës së vetes e të vërtetës së tij që e bën me vjellë edhe atë edhe ne.

Platforma e Vaso Çubrilloviçi kundër shqiptarëve, për zhdukjen e shfarosjen e tyre, që na e zbuluan dhe botuan kroatët dhe jo babai i Fatosit në 1956, më duket e derdhur me finesë por pa mundur të fshihet në shkrimin e Fatos Lubonjës.
Fatosi i sulet Gjykatës së Hagës pse ajo u doli zot shqiptarëve dhe nuk plotësoi ajo vërdiktin e Çubrilloviçit. Gjykata e Hagës nuk është e Milosheviçit, këtu është ndryshimi dhe mjerimi i Fatosit. Ajo gjykata vepron mbi vlerat e drejtësisë njerzore dhe jo të inateve të njerzve pa identitet. Ajo e shpalli dy herë të pafajshëm Ramush Haradinin dhe çertifiloi e ligjëroi botërisht pavarësinë e Kosovës.

Fatos Lubonja në shkrimin e tij i kundërvihet nacionalizmit shqiptar. Ai mendon se po i kundërvihet nga pozitat e një pacifisti, globalisti, nga pozitat e një lideri të shoqërisë civile dhe rreket të na shitet si pacifist kampion. Këtë inat ka Fatosi. Ngushëllime Fatos. Kjo gjykatë duhet shpallë kriminale për t’ia rehatuar zemrën Fatosit. Kur je i ndarë, siç thotë e deshiron Fatosi, nuk je shqiptar. Se një i ndarë vulëhumbur nuk din çfarë është në fakt. Shqiptarët e ndarë 100 vjet nuk janë shqiptarë, janë kosovarë, thotë ai me kompetencën e shpikësit apo të krijimit të planetit Mars.

Si pjestar i një shumice shqiptare të bekume prej zotit më pëlqen të hyj nën lekurën e Fatos Lubonjës dhe të gjej shkakun e tërbimit të tij kundër shqiptarëve. Ku kemi gabue me Fatosin? Cilat janë rrënjët e urrejtjes së tij ndaj meje e ndaj nesh. Enveri burgosi më shumë shqiptare se të huaj jo shqiptarë. Nuk harrohet kjo as nuk fshihet dot. Por Enveri nuk ishte nacionalist pse don ta quajë të tillë Fatosi. Enveri shkëmbente shqiptarët e burgosur me serbë. Por Fatosit nuk i dhemb për shqiptarët e Kosovës se ai i quan kosovarë dhe jo shqiptarë. Fatosin e futën në burg për të trembur babanë e tij. Unë e kuptoj se sa e rëndë është kjo se jam prind vetë. Por unë nuk ia shuaj e as letoj dhimbjen. Shqiptarët e Kosovës u kalbën burgjeve, morën plumba u shfarosën për të mbajtë gjallë idenë e bashkimit kombëtar që sot është duke lulëzuar.

Në gjithë sa shkruan, nuk tregon minimum respekti për shqiptarët e vrarë e të zhdukur, nuk tregon minimum dashurie për shqiptarët që dhanë jetën. Nuk ka shkruar as këtu dhe askurrë për shqiptarët e vrarë, masakruar e përdhunuar prej serbëve. Nuk ia bën zemra të shajë serbët Fatos Lubonjës. Sepse atij i dhimbsen serbët e zhdukur, të vrarë, i dhimbsen romët, vllehët etj.

Ai harron me dashje se çeshtjet e luftës zgjidhen me luftë dhe në luftë ndërsa çeshtjet e paqes zgjidhen me paqe në paqe.
Nuk don t’ia dijë se shqiptarët vunë mishin e trupave të tyre përballë hekurit të plumbave të serbëve, vunë pushkët përballë topave, tankeve, auroplanëve serbë, përballë helmeve luftarake që përdori Serbia kundër shqiptarëve.
Ramush Haradinaj i dha vëllezërit luftës, i dha veten. Por Fatos Lubonjës do t’i bëhej qejfi të ishte i vdekur Ramushi dhe mbase të vdekur edhe mund ta donte pastaj.

Revolta e Fatos Lobonjës kundër shqiptarëve, kundër Hagës që u dha të drejtë shqiptarëve duke e shpallë dy herë të pafajshëm Ramushin dhe duke e shpallë të ligjshme botërisht pavarësinë e Kosovës, jo se gjykata e Hagës është gjykatë e zotit, pra revolta e Fatosit është e njejtë si revolta e një nacionalisti të thekur serb dhe do t’ia kishte zili Shesheli që luftoi t’i nxirrte shqiptarët këndej Bjeshkeve të Nemura.

Po të vinin këndej atyre bjeshkëve kosovarët që nuk janë shqiptarë sipas Fatosit e ca tosëve të tjerë që ngjyjnë kaçoren në shllinën serbe, Lubonja nuk do t’i pranonte këtu. Do të thoshte le të rrinë në Kukës. Fatos Lubonja si i huaj po don me ua tregue shqiptarëve punët e veta, punët e shqiptarëve. Fatosi është si vetja e vet fiks një primitiv i shekullit të 19, i asaj kohe kur ripeshin shqiptarët si berret nga antishqiptarët si Zografi, Venizellos, dhe shqiptarët antishqiptarë si Spiro Milo etj etj…
Lubonja është në rregull nëse shqiptarët janë pa identitet sespse identitetmunguarit i duan të tërë pa identitet.

Nga pozitat e një nacionalisti të thekur por jo shqiptar ai duke denigruar figurat e shqiptarëve, këto që janë, kujton se denigron politikanët shqiptarë që nderuan Ramushin dhe e pritën si hero. I bie shuplakë politikës në Shqipëri dhe akuzon për këtë Sali Berishën tani që ka humbur zgjedhjet politike në vend. Lubonja duhet ta dijë se Berisha nuk u ndëshkua pse tha se nuk mund të klonohen kombe të tjera shqiptare në shtetet ku jetojnë shqiptarët sepse shqiptarët e kanë kombin e tyre dhe s’kanë ngelur bredharakë, janë në hapsirën e tyre etnike të pashkëputur ani se në 5 shtete të ndryshme.

Reagimet e nxituara dhe emocionale kundër Lubonjës (edhe si ky i imi) nuk vlejnë edhe pse e di se i bëjnë nder Lubonjës. E mbajnë gjallë në pazar dhe ia largojnë do kohë mjegullën e harresës që i mbështillet dhe sillet vërdallë.

Por nuk duhet të harrojmë se sa kohë që i shan Lubonja shqiptarët, ata janë në rregull, janë në udhë të drejtë. Por unë nuk po them këtë. Unë nuk dua që Fatosi t’i dojë shqiptarët dhe nuk qaj pse ai nuk i do. Nuk dua që t’i mëshirojë kurrë se shqiptarët nuk janë për mëshirë. Le të mos i dojë fare. Shqiptarët nuk kanë nevojë për dashurinë e Fatos Lubonjës. Ata janë fitimtarë. Kanë fituar gjithçka. Me luftë, mund, sakrifica. Kjo fitore pikërisht e çmend Fatos Lubonjën. Ramushi nuk kishte rrugë tjetër veçse të luftonte. Dhe për luftën që bëri e duan në Kosovë. Por nuk e kanë frikë, nuk i tutet atje askush Ramushit. Dashuria nuk është frikë Fatos. Ramushi është simbol i lirisë. Dashurinë për Ramushin nuk e kanë irracionale në Kosovë. Ai është trim siç është trimi. Ai ka ditë edhe me kërkue falje. Ka ditë edhe me lënë syrin e tij. Fatosit nuk i vjen mirë që doli një shqiptar trim si Ramushi. Që dolën shumë shqiptarë trima. Por më vjen mirë mua dhe krenohem unë për këtë gjë. Çfarë t’i bëj unë Fatosit pse atij i vjen keq. Çfarë t’i bëj unë Fatosit pse për atë Ramushi do të ishte i mirë po të ishte i vdekur. Ndoshta vëllezërit e vdekur të Ramushit janë të mirë për të.

Më çudit globalisti, pacifisti, antiamerikani me raste, antiamerikani kur amerikanët i duan dhe përkrahin shqiptarët dhe proamerikani në çdo rast tjetër, më çudit pra që Fatosi është kundër gjykatës së Hagës.Rri aty ku je, rri rehat, ndaç përpushu zi zorra në prush dhe gjuaj gurë kundër diellit sa të mundesh, lëshoji qentë e tu ta lehin hënën sa të mundin, vazhdo të jesh serial killer me fjalë kundër shqiptarëve dhe qëllo sa të mundesh, sofistikohu sa të mundesh, por Gjykata e Hagës dhe bota demokratike nuk merr mendë e tua, nuk ec me mëndë e tua z. Lubonja edhe pse ke përvojë burgu, edhe pse na ngjall mëshirën për ty, por nuk je kurrësesi hero.

Shqiptarëve u ka ngelë tani vetëm që të thërrasin “izrealitët” e tyre emigrantë ngado që janë nëpër botë që nga koha e Skënderbeut dhe t’ia kujtojnë botës se kush janë. Fati i shqiptarëve është bashkimi. Ndaç të trembet Fatos Lobonja dhe gjithë tosët, ndaç le të gëzojnë me vendasit.

Më Shumë

Vetaksident në dalje të Malishevës, pesë të lënduar

Një vetaksident ka ndodhur në dalje të Malishevës. Si pasojë pesë persona janë lënduar, njëri nga ta ka lëndime më të rënda. Lajmin e ka dhënë,...

Mozzik ka një kërkesë të veçantë për Dua Lipën

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa po qëndron në Kosovë në kuadër të festivalit “Sunny Hill”. Këngëtarja 26-vjeçare performoi në natën e parë të...

Lajmet e Fundit