Gjykata Kushtetuese, e cila sipas FAZ drejtohet nga Enver Hasani, një besnik i PDK-së, e ka pezulluar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sepse, përfundon gazeta gjermane, për PDK-në çështja është të humb apo të fitojë gjithçka. Gazeta gjermane „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ) shkruan se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po lufton në shumë mënyra për të mbetur në pushtet në Kosovë. Në rast se e humb pushtetin PDK humb kontrollin mbi ministritë dhe mbi institucionet që vetëm sa për sy e faqe duhet të qëndrojnë mbi partitë politike siç janë Gjykata Kushtetuese, policia, autoritetet e licencimit, dogana dhe mediet publike.
Gazeta gjermane „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ) në numrin e së hënës sjell një analizë për situatën e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve të 8 Qershorit dhe bllokadës në krijimin e instuticioneve. Gazeta e cila ka ndikimin më të madh në Gjermani, shkruan se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po lufton në shumë mënyra për të mbetur në pushtet në Kosovë. Në rast se e humb pushtetin PDK humb kontrollin mbi ministritë dhe mbi institucionet që vetëm sa për sy e faqe duhet të qëndrojnë mbi partitë politike siç janë Gjykata Kushtetuese, policia, autoritetet e licencimit, dogana dhe mediet publike. Në Kosovë, shton FAZ, tani mund të shikohet se si zhvillohet kjo betejë për pushtet.
Gazeta përkujton se partia e Thaçit ka fituar më së shumti vota, por partitë e tjera shqiptare, përkundër diferencave, janë bashkuar në një aleancë për të penguar Thaçin. Sipas kësaj analize në shikim të parë shkuarja e Thaçit dhe ardhja e Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit nuk ndryshon gjë.
“Një lider cubash shkon, tjetri vjen. Por, në fakt disa gjëra do të ndryshojë nëse opozita e bashkuar arrin ta dëbojë Thaçin nga pushteti. Koalicioni heterogjen kundër Thaçit do të duhej të mbështetej në shefin e Vetëvendosjes Albin Kurti, një politikan që luhatet mes popullizmit të vjetër jugosllav të subvencioneve dhe nacionalizmit shqiptaromadh, të cilin elita në Prishtinë bashkë me BE-në dhe SHBA-të e kanë mbajtur larg nga pushteti. Kurti angazhohet për politikë të pakompromis ndaj Serbisë”, shkruan FAZ.
Kjo gazetë citon vëzhgues të pavarur në Prishtinë, të cilët e përshëndesin një koalicion qeveritar të kryesuar nga Haradinaj. Kjo qeveri do të ishte nën vëzhgimin e rreptë të Vetëvendosjes dhe nuk do të arrinte t’i kapte institucionet shtetërore siç ka bërë PDK e gjithëpushtetshme. Por, shton FAZ, njëherë Kosova duhet të pres vendimin definitiv të Gjykatës Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit. Gjykata Kushtetuese, e cila sipas FAZ drejtohet nga Enver Hasani, një besnik i PDK-së, e ka pezulluar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sepse, përfundon gazeta gjermane, për PDK-në çështja është të humb apo të fitojë gjithçka. Për të mos humbur pushtetin kjo parti po planifikon të provokojë zgjedhje të reja nëse nuk arrin të mbajë pushtetin.