15.3 C
Prizren
E enjte, 6 Mars, 2025

Figura e harruar e Musine Kokalarit

Një tryezë e titulluar “Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”, kushtuar shkrimtares shqiptare nga Gjirokastra me të njëjtin emër, u mbajt të martën në Prishtinë. Në të gjerësisht foli Persida Asllani, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe njëkohësisht drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ajo ka qenë e ftuar si shumë studiues, albanologë e dashamirë të gjuhës në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mban edicionin e tij të 37-të në qytetin e Prishtinës.

“Mendova që për seminarin të sillja një figurë që ende nuk gjendet lehtë në librat e historisë së letërsisë shqipe ose në manuale dhe në leksione që qarkullojnë dhe ende kemi punë për të bërë për shkrimtaren e parë shqiptare. Është një figurë që duhet të rikthehet fortë në vëmendjen tonë”, shprehet autorja, profesoresha, studiuesja e gjuhës dhe e letërsisë shqipe Persida Asllani, kur tregon për arsyet pse e zgjodhi atë që konsiderohet shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokollari si figurë qendrore e ligjëratës së saj.

Kjo tryezë u udhëhoq nga profesori i Fakultetit Filologjik Nysret Krasniqi, cili i prezantoi veprat dhe tekstet e Asllanit me termet si “risi dhe mprehtësi intelektuale”.

Asllani fillimisht u shpreh shumë e nderuar që po merr pjesë në këtë seminar dhe po flet para profesorëve të saj, por edhe para bashkëmoshatarëve, kolegëve e studentëve më të rinj. Ajo tregon se që nga viti 2017 në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës kanë ndërmarrë aktivitete të përbashkëta mes tyre për t’i kushtuar vëmendje të veçantë figurës së shkrimtares Kokalari. “Që nga viti 2017 në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ne kemi ndërmarrë një aktivitet mes dy bibliotekave, të cilat u shndërruan në dy promotore që bashkuan edhe qendrat studimore të Tiranës dhe të Prishtinës për t’i kushtuar vëmendje të veçantë Musine Kukalarit, kësaj figure të rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës shqiptare”, tregon më tutje Asllani.

Persida Asllani mundohet që përmes ligjëratës së saj të pasuruar edhe me fotografi e me kopertina librash të bëjë më të njohur dhe më të prekshme për gjeneratat më të reja figurën e shkrimtares nga Gjirokastra. Asllani përshkruan edhe procesin e këtij aktiviteti, qëllimin dhe kuptimin që qëndron pas termeve që ka përdorur për të sjellë këtë ligjëratë. “Ne vendosëm që kur do të bënim këtë aktivitet gati njëvjeçar me fokus Musine Kokalarin të përfshihej në përkufizimin ‘Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës’. M’u duk pak paradoksale, por në fakt edhe ligjërata ime kështu qëndron, për të lidhur bashkë, për të argumentuar se si mund të ndërtohet një vetëdije shkrimi dhe përmes vetëdijes së shkrimit është po aq e natyrshme të mbërrihet te një vetëdije e qëndresës”, theksoi ajo.

Ligjëruesja emërton Kokalarin jo vetëm si figurë të rëndësishme të shkrimit, por edhe një figurë intelektuale dhe e qëndresës së rezistencës antikomuniste në Shqipëri në vitet e para të vendosjes së komunizmit. Qëndresa e Kokalarit mbeti e tillë deri në gushtin e vitit 1983, kur ajo u nda nga jeta në rrethana të vështira. Asllani përshkruan këtë vit si “të zhdukur” në kujtesën shqiptare dhe duke treguar që edhe ata që e njihnin nuk guxonin më t’ia përmendnin më emrin, përveç presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës, që kishte botuar dy-tre shkrime të saj, duke e sjellë edhe një herë në kujtesë shkrimtaren për aq sa kishe pasur mundësi shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Asllani kishte hartuar këtë ligjëratë për të përshkruar dukurinë e Musine Kokalarit, vlerën dhe “fshirjen” e saj nga vetëdija shqiptare në tri pjesë, duke filluar me çështje që lidhen me ngjizjen, zhvillimin dhe manifestimin e kësaj vetëdijeje. Pjesa e parë titullohej “Nga ligjërimet femërore tek identitetet gjinore”, pjesa e dytë “Nga vetëdija e shkrimit identitar te vetëdija e identitares” dhe pjesa e tretë “Vetëdija e qëndresës”.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ZËRI/

Më Shumë

Komuna e Prizrenit me veprime për trajtimin e qenve endacakë, kërkohet mbështetja edhe nga niveli qendror

Komuna e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për trajtimin e qenve endacakë, kanë raportuar autoritetet përgjegjëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri...

Malishevë: Shkroi se do t’ua japë nga 50 euro kushdo që e voton Albin Kurtin, e pranon fajësinë dhe pendohet

Xhem Hoxha e ka pranuar fajësinë dhe është penduar se në nëntor 2024, përmes Facebook-ut premtoi nga 50 euro kushdo që e voton Albin...

Lajmet e Fundit