11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Filarmonia e Kosovës po mbush sallat plotë

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbushen 600 karrige nga dashamirë të muzikës që mbrëmjen e së enjtes, (12 nëntor) kishin ardhur për të ndjekur koncertin e radhës nga Filarmonia e Kosovës.

Pesëdhjetë anëtarët e korit të kësaj filarmonie dhanë një koncert premierë, i cili edhe nga vet ata u konsiderua si sfidë muzikore. Ata nën dirigjimin e Rafet Rudit prezantuan vepra të renesancës e barokut, nga kompozitorët Giovanni Pierlugi da Palestrina, Tomas Luis de Victoria, Claudio Monteverdi, Antonio Vivaldi dhe Johann Sebastian Bach.

Me gjithë interesimin e publikut, ka një problem të pa zgjidhur tash e sa kohë për këtë komunitet artistik. Pritja për një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës, Rinës dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës lidhur me ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë vazhdon.

Muzikantët kanë vazhdimisht ankesa për ambientet ku ushtrojnë edhe interpretojnë dhe jo rrallë e rrisin zërin për këtë problem, me ta pajtohet edhe Lumnije Kastrati, profesoreshë e muzikës, e cila pas koncertit të Filarmonisë tha për KosovaLive se kjo gjendje është për të ardhur keq.

“Ky problem po vazhdon me vite dhe zgjidhja nuk po i shihet. Është e dhimbshme të dëgjosh një koncert kaq cilësore të këtyre muzikantëve kaq të përkushtuar dhe pastaj ta kujtosh se ky kryeqytet nuk ka një hapësirë adekuate për ta. Sonte bile, të paktën nuk u ngrimë së ftohti duke dëgjuar filarmoninë siç na ka ndodhur shpesh herë. Kjo zvarritje duhet të përfundojë dhe të zgjidhet ky problem, e jo të vazhdojë të jetë një demotivim për të rinjtë”, tha ajo.

Deri në nisjen e përfundimin e projektit të sallës “Ibrahim Rugova”, për Filarmoninë e Kosovës, në kushte jo shumë adekuate, mbetet hapësira e Katedrales “Nënë Tereza” e Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, ndërsa për Trupën e Baletit, së cilës gjithashtu publiku nuk i mungon, mbetet skena e Teatrit Kombëtar. /KosovaLive

Filarmonia e Kosoves-salla plot

Më Shumë

Lajmet e Fundit