2.9 C
Prizren
E diel, 19 Janar, 2025

Filmoklastia për filmin…e drejtë?!

Nuk do e shkruaja këtë shkrim, nëse unë nuk do të dëgjoja emrin tim në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Madje aprovimin ia shpreha gazetares së këtij emisioni, për të qenë pjesëmarrëse në panelin “A duhet të shfaqen filmat e kohës së komunizmit”, por një pamundësi objektive bëri të mos jem pjesëmarrëse. Mendoj se ishte një temë përtej interesantes, sepse filmi, propaganda, komunizmi dhe publiku i sotëm do të “ndesheshin” fort e me ide të kundërta, siç ky emision e ka dëshiruar, siç dhe faktikisht ndodhi. Filmi shqiptar i prodhuar në kohën komuniste ka një histori rreth dyzetvjeçare dhe në ditët që jetojmë ka një shikueshmëri të ndodhur rreth të shtatëdhjetave.

Për këtë kohë konsumi, më lejoni të kujtoj, se është shumë vonë për të bërë një filmoklasti ndaj ikonave të komunizmit. Si dhe më lejoni të kujtoj të paktën dy qëndrime nga shumë qëndrime e opinione të hedhura. Një grup i madh i brezit të ri i dëshiron t`i shohë për të krahasuar propagandën e kohës së tashme, pra tyren me propagandën e kohës së shkuar, pra të prindërve të tyre. Dhe për këtë kanë shumë të drejtë, qoftë ajo kohë, kohë e skëterrës. Ky brez në rritje, edhe se shumë shpesh i vlerëson me humor këta filma, është një rrezik potencial për propagandën e sotme. Një qëndrim tjetër është ai i nostalgjikëve, të cilët për arsye të moshës së shkuar e të zakonit rrinë para ekranit të televizorit dhe shohin kohën e tyre. Kjo pjesë e shoqërisë nuk i bën dëm më askujt, sepse është një segment njerëzor në shuarje, me pension jo më të madh se 20.000 mijë lekë të rinj, dhe që propaganda e sotme as që nuk e merr në konsideratë. Ky lloj mendësimi më shtyn të shpreh mendimet e mia, sepse askurrë nuk kam dashur të punoj në kinema, pasi profesioni im i parë nuk ka lidhje aspak me të, por ja që aty e mora emërimin dhe kjo nuk më bën mua aspak të kem nostalgji për atë kohë, por përgjegjësi PO, për ditët e lëna në atë mjedis.

Filmi dhe…

Filmi njihet si një formë pamore komunikimi, i cili përmes imazhit lëvizës tregon ngjarje dhe histori, jep informim dhe ndihmon njeriun në edukim dhe mësim. Filmi është një rrjedhë lëvizëse imazhesh, të cilët organizojnë një tekst si: shërbim për njohje, argëtim dhe edukim. Filmi është objekt kulturor i lindur nga kultura të veçanta kulturore. Filmi pasqyron karakteristikat e këtyre kulturave dhe ndikon në dëshmimin e tyre. Filmi është formë e rëndësishme e artit, mjet argëtimi popullor dhe medium interaktiv qytetar. Filmi është armë e fuqishme e komunikimit të dramës dhe të emocionit. Filmi është formë irreale virtuale e reales. Filmi u shfaq në fund të shek. XIX, ndikoi në të gjithë shoqëritë e shek. XX dhe në shek. XXI konkurron me potencialin e pashtershëm teknologjik.

Propaganda…

Propaganda është informacioni, i cili përhapet gjerësisht, me një qëllim të caktuar. Propaganda është përhapja e doktrinave apo parimeve të veçanta të një organizate apo lëvizjeje. Propaganda është përhapja e praktikave dhe doktrinave ideologjike. Propaganda mori kuptim politik që nga Lufta e Parë Botërore. Propaganda është përhapja për bindje e informacionit të rremë ose të vërtetë. Propaganda është komunikim zyrtar i qeverisë apo partisë për publikun, që projektohet për të influencuar dhe ndikuar opinionin e qeverisë apo partisë me efekt politik.

Propaganda komuniste dhe Publiku i sotëm…

Propaganda komuniste (apo jo) është produkt shkencor, artistik, edukues dhe ideologjik i një shoqërie komuniste monopartiake dhe diktatoriale (apo jo e tillë). Funksioni i saj në shoqëritë e fund shek. XIX, XX, ekstremisht edhe i shek. XXI, duke i hequr asaj cilësimin komuniste, damkë e kalcifikuar dyzet e ca vjeçare e Shqipërisë, vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme. Propaganda komuniste është tribuna e formimit të botëkuptimit komunist dhe e ndikimit të thelbit komunist te “masat punonjëse” apo popullit. Termi propaganda përgjithësisht i referohet çdo botimi apo fushate që synon promovimin e një shkaku që përdoret për qëllime zyrtare. Ky përcaktim vlen edhe për shumicën e qeverive komuniste të orientuar nga Marksizëm – Leninizmi, por edhe për shumicën e qeverive kapitaliste e “demokratike”, të orientuara nga sistemi bankar i parasë. Një sistem ky shumë i sofistikuar, pasi në këtë rast, propaganda nuk e përjashton viktimën popull, por e trajton thjesht si “krah pune”, e jo si “masë punonjëse”, të cilat në fund të fundit janë publiku i shfrytëzuar për propagandën e tyre. Bolsheviku Nikolai Bukharin na qartëson se: “Propaganda e komunizmit, i shërben shtetit komunist… është një instrument i fuqishëm për krijimin e një ideologjie të re, e mënyrave të reja të të menduarit dhe formimit të një opinioni të ri mbi botën..”. Këtu e nisi jetën filmi shqiptar. .

Filmi dhe publiku…

A mundet të zhdukim lindjen e filmit shqiptar, proceset e rritjes së tij, ecurinë e zhvillimit të tij, vetëm pse ai ka të inkasuar në trupin e tij metodën e realizmit socialist? A duhet që kjo krijimtari të shihet nga publiku i sotëm? Por edhe nëse duhet apo nuk duhet, a mundet që të gjithë këtë krijimtari të filmit ta “djegim” e ta mbyllim nëpër “bunkerë”? Dilemë e madhe e dyshime pafund. Por nëse, pas kohës komuniste, kur prodhimi i filmit të metodës së realizmit socialist u sos, e do të kishim një prodhimtari kinematografike në numër e në cilësi, a do të kthehej vëmendja e publikut shqiptar te filmat e komunizmit? Mendoj se do kthehej, pasi kuriozitetin, për të njohur atë kohë, publiku do ta shuante duke parë këta filma, veprat e artit në pikturë, veprat operistike, teatrale dhe leximin e romaneve të asaj kohe. Por a duhet të lejohet kjo? Nëse do ishim një shoqëri më pak populiste, më e pasur ekonomikisht dhe me një vend në arenën perëndimore të zhvillimit do të kishim një organizim përmbajtësor ndaj produkteve të kulturës sonë dhe do të ishim sjellë korrekt me të, ashtu si shumë vende të Europës komuniste bënë. Ata më parë selektuan, respektuan vlerat dhe anashkaluan antivlerat komuniste.

Ndërsa, Shqipëria hyri e gjitha gabim dhe me kontradikta të skajshme në rrugën e ndryshimeve. Një nga pasojat është dhe ky qëndrim që mbajmë sot, pas 27 viteve, për artin dhe kulturën komuniste. Shembujt europianë mbi qëndrimin ndaj filmit komunist janë të gatshëm, por kujdesi shqiptar ndaj tyre duhet të nisë duke vlerësuar specifikat e kulturës shqiptare. Nëse kujtojmë se filmi në Shqipëri erdhi nga Perëndimi dhe u shfaq në kohën e Marubëve e të Idromenos tregojmë se nga ajo kohë e deri tani shqiptarët nuk rreshtin së adhuruari kinemanë. Aso kohe e deri në prag të viteve komuniste, shqiptarët ndërtuan sallat e kinemave në qytetet kryesore. Filmi erdhi si një mjet argëtimi, por edhe mësimi. Filmi i prodhuar në Shqipëri lindi në kohën dhe mjedisin komunist shqiptar, i cili në trastën e vet kishte në krye të sendeve propagandën komuniste dhe varfërinë ekstreme të shqiptarëve. Filmi, fillimisht, erdhi me subjekte shqiptare, me intonacione të forta të imazhit sovjetik dhe me aktrim mitik e popullor. Një mik shqiptar sa herë flitet për kinemanë thotë: “Mos harro! Jemi rrit në kohën e Colit”. Edhe kinemaja shqiptare i hodhi rrënjët në kohën e Colit jetim dhe u ngrit në këmbë nga përvoja e Lindjes komuniste, pasi PKSH ishte e varur nga PKBS. Filmi shqiptar, më pas në kohë, nuk mund t`i shmangej metodës së realizmit socialist, pasi ajo e ndërtoi dhe e përdori si mjet të fuqishëm të propagandës.

Koha e zhvillimit të kinemasë në Shqipëri kalon në katër periudha, të ndara në dekada, por tërësisht të monopolizuara nga kontrolli i PPSH. Koha e parë i përket krijimit të disa filmave naivë e amatorë, që cilësohen sot filma të dobët, por është edhe koha kur kineastët e parë po përgatiteshin në BS gjatë viteve 1950-1960. Koha e dytë i përket filmit tregimtar e përfshirës së jetës së re socialiste, por është edhe koha e rritjes së përvojës dhe pasionit të kineastëve të edukuar, gjatë viteve 1960-1970. Koha e tretë i përket filmit me fuqi indoktrinuese në popull të figurës së heroit pozitiv të njeriut të ri, por është edhe koha e edukimit të një brezi të ri kineastësh në shkollat e vendeve socialiste europiane, gjatë viteve 1970-1980. Koha e katërt i përket industrisë së filmit shqiptar, me tipare realisto-neosocialiste dhe temave të mëdha historike, por është koha edhe e dramave sociale, ku bëhet i qartë dallimi stilistikor i kinemasë tradicionale me kinemanë e moderuar. Fatmirësisht, përpjekjet e disa kineastëve të zotë ishin të mëdha, për të shprehur cilësitë më të mira, por fatkeqësisht asnjëra kohë nuk shkëputej nga qëllimi propagandistik i shkakut komunist.

Me këtë histori mbi supe, filmi dhe kineastët e saj, janë vënë përballë kohës paskomuniste të viteve 2017, e cila po argumenton se prodhimtaria e filmit të realizmit socialist nuk duhet të shfaqet për publikun shqiptar. Absolutisht, ky argumentim bardhezi nuk është aspak serioz, madje do ta quaja agresiv. Në asnjë rast filmi i asaj periudhe nuk mund të eliminohet për këto arsye: Së pari, filmi i periudhës komuniste kërkon një studim të thellë dhe shumëdimensional, gjë e cila është bërë në mënyrë sporadike, ashtu si është bërë edhe për gjini të arteve të tjera. Nga ky studim, i cili kërkohet në grup, do të vijë shmangia e dilemave dhe dyshimeve rreth sjelljes që duhet të mbajmë ndaj këtyre filmave. Së dyti, filmi i periudhës komuniste kërkon të selektohet për arritjet dhe mos arritjet cilësore. Filmat e paarritur, të dobët cilësisht, të fryrë me fjalën parti e pushtet popullor, të ngarkuar me fyerje ndaj individëve të njohur, agresiv ndaj rolit të individit, shtrembërues ndaj të vërtetave historike, duhet të qëndrojnë në arkiv dhe të shihen në arsye studimi dhe njohje historike. Së treti, për kinemanë shqiptare, ku bëjnë pjesë filma artistikë, dokumentarë, animacion dhe kronikë e kohës, duhet të ishte bërë deri tani “Muzeu i Kinemasë dhe Filmit Shqiptar”. Në këtë muze duhet të zënë vend të gjithë filmat e periudhës së metodës së realizmit socialist. Ata shfaqen në sallën e tyre, duke trajtuar më parë, nga zëri i studiuesit, përmbajtjen e subjektit, propagandën, fjalët kyçe dhe sjelljen e aktrimit.

Së katërti, në këtë muze hapen programet e edukimit dhe funksionojnë për publikun e ri, i cili është testuar dhe ka rezultuar se këta filma pëlqehen prej tyre dhe janë shumë tërheqës. Atëherë le t`iu tregojmë atyre të vërtetën e xhirimit, përmes pyetjeve dhe përgjigjeve, zbulimit të filmit dhe situatave kur u krijua. Le t`iu tregojmë atyre çfarë është propaganda dhe si i dëmton ajo. Le t`iu tregojmë atyre çfarë është pozitive dhe çfarë është negative. Le t`i mësojmë ata të dallojnë pse janë filma të realizmit socialist. Le t`iu tregojmë atyre, nga ana sociale dhe psikologjike, arsyet pse i mendojnë si filma atraktivë dhe t`iu mbushim mendjen me argumente pse nuk duhet të emocionojnë në një formë të tillë. Por a do mundemi? Edhe nëse jo, përsëri një ndikim për të arritur njohjen e tyre dhe krahasimin me një kinema tjetër do të bëhet e mundur përmes gjuhës së profesionistëve. Edhe pse kam mendimin se brezi i ri nuk është aq naiv sa të mbivlerësojë produktin kinematografik të së shkuarës komuniste në atë masë sa sot duhet të ngrihemi e t`i bëjmë atij “ikonoklastinë” kryqëzuese. Së pesti, në jetën e xhirimit të filmit është krijuar aktori shqiptar, për të cilin ruajmë adhurimin artistik. Filmat ruajnë rritjen e tyre, ruajnë artin e tyre, ruajnë cilësinë e tyre. Arsyetimet e mësipërme sugjerojnë mendimin se sjellja jonë me filmin e realizmit socialist duhet të jetë e kujdesshme. Selektimi i filmave më të mirë, që kryesisht nuk cenojnë të drejtat e njeriut dhe nuk cenojnë të vërtetën historike, duhet të grupohen në një listë, e cila lejon shfaqjen e tyre. Në të kundërtën nuk kemi bërë asgjë më shumë, por kemi kaluar nga një diktaturë persekutuese në një diktaturë tjetër persekutuese. Së fundi, a nuk sillet një muze i veprave të artit pamor të kohës komuniste me kujdes të madh, duke i dhënë rëndësi ekspozimit të tyre, duke argumentuar pse ndodh ekspozimi, duke përcaktuar rolin e artistit në diktaturë dhe gjithë pushtetin e propagandës mbi artistin? Atëherë pse me filmat nuk duhet të sillemi në të njëjtën mënyrë? Përfundimi im është le të bëjmë një muze për kinemanë shqiptare sepse me të mirat dhe të këqijat e veta e meriton një godinë informuese dhe argëtuese.

Më Shumë

Kandidatët e Vetëvendosjes në Prizren marrin mbështetje në lagjet ‘Tabakhane’ dhe ‘Lumbardhi’

Kandidatët e Vetëvendosjes në Prizren janë takuar me elektoratin e lagjeve 'Tabakhane' dhe 'Lumbardhi', ku kanë marrë mbështetje të madhe nga banorët e këtyre...

Abdixhiku në Rahovec: Madhështore, entuziazëm, frymë, ringritje!

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi të jashtëzakonshëm në Rahovec, ka shpalosur energjinë dhe entuziazmin që karakterizojnë fushatën e tij...

Lajmet e Fundit