6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Fundi i “muajit të mjaltit”

Një muaj në pushtet ende pa plan qeverisës. Nuk arsyetohet kurrfarë përpjekje për arsyetim e viktimizim. Albin Kurti e ka pasur të qartë se çfarë e pret në qeverisje. “Muaji i mjaltit” përfundoi, kurse pritjet e njerëzve janë të mëdha. Me të drejtë, sepse – krejt i ka.

Imer Mushkolaj

Është bërë një muaj që kur Albin Kurti erdhi, për të dytën herë, në krye të qeverisë së Kosovës. Kësaj radhe, si asnjëherë ndonjë paraardhës i tij, me më shumë se 50 për qind të votave të fituara në zgjedhje.

Një kohë të gjatë në opozitë, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë kritikë për të gjithë dhe për gjithçka që kanë bërë e nuk kanë bërë pushtetet e kaluara. Në pjesën dërmuese të rasteve me të drejtë.

Reklamë
Me qasjen e vet karshi veprimeve të qeverive të kaluara, Vetëvendosje ia doli të fitojë besimin e madh të qytetarëve, duke rritur njëkohësisht pritjet e tyre për një qeverisje ndryshe, qeverisje të përgjegjshme e transparente. Megjithatë, fillimi duket të mos jetë premtues.

Një muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria e udhëhequr nga Kurti ende nuk e ka paraqitur një plan pune. Qytetarët që ia kanë dhënë votën Vetëvendosjes, por edhe të tjerët që nuk e kanë votuar, ende nuk e dinë se cilat janë prioritetet dhe si do të realizohen ato nga qeveria.

Në një situatë të rënduar ekonomike e sociale për shkak të pandemisë, qeveria e re po sillet si e humbur në kohë dhe hapësirë. Për më shumë, zyrtarë të qeverisë hapën betejë me mediat, në një përpjekje të dështuar dhe të gabuar për të arsyetuar diçka që ka mundur të arsyetohet në një mënyrë krejt tjetër.

Është e kuptueshme që tridhjetë ditë janë pak për një qeveri, cilado që të jetë ajo, për të treguar veten. Është e kuptueshme që për një muaj nuk mund të sanohen të metat e qeverisjeve të kaluara, e as të ndërmerren veprime që mund ta përmirësojnë shpejt jetën e qytetarëve. Por, askush nuk mund ta kuptojë pse qeveria është mbyllur dhe nuk denjon të sqarojë çfarë po ndodh, çfarë po punon – nëse po punon dhe kur do të bëjë publik planin e punës. Njerëzit nuk kanë faj pse vetë Vetëvendosja i ka rritur pritjet e tyre dhe tash nuk e ka të paktën një përgjigje se kur do të fillojë të punojë seriozisht.

* * *

Për një qeveri të përgjegjshme, në këtë kohë nuk do të duhej të kishte prioritet tjetër më të rëndësishëm sesa pandemia. Në këtë kohë, prioritet mbi prioritete do të duhej të ishte sigurimi i vaksinave për qytetarët dhe menaxhimi i krizës ekonomike e sociale.

Kosova qëndron në fund të listës së shteteve të rajonit sa i përket procesit të vaksinimit, ndërkohë që qasja e vetë kryeministrit nuk është e duhura.

Puna e vaksinave nuk është përgjegjësi vetëm e ministrit të Shëndetësisë, por është çështje nacionale, me të cilën do të duhej të merrej së pari kryeministri. Deri më tash, Albin Kurti është deklaruar pak ose hiç për këtë çështje, duke krijuar përshtypjen e mungesës së zotësisë për t’u përballur me një gjendje të vështirë.

Gjithë ky muaj i parë i qeverisjes është karakterizuar me një qasje jo të duhur në komunikimin me publikun, duke ngritur me të drejtë plot dilema për vendimet e marra ose të tjera që janë paralajmëruar të merren, por nuk janë marrë ende.

Është njëfarë rregulli që qeveria të mos gjykohet për bëmat e veta pa u mbushur njëqind ditë dhe qeveria aktuale nuk do të duhej të bënte përjashtim. Por, vetë Vetëvendosja kur ka qenë në opozitë ka qenë aq kritike dhe me standarde aq të larta vlerësimi për partitë në pushtet, sa që monitorimi “me llupë” i veprimeve dhe vendimeve të kësaj qeverie që nga dita e parë konsiderohet diçka normale dhe e pritshme.

Është e natyrshme që të qenit në pushtet dallon nga opozita. Andaj qeveria e Vetëvendosjes që në ditët e para po ballafaqohet me situata e fenomene të cilat vetë i ka kritikuar dikur. Ta zëmë, çështja e emërimeve politike nëpër institucione, që dikur për zyrtarët e kësaj partie konsiderohej nepotizëm, tash nuk po konsiderohet i tillë, ngase vetë po veprojnë ashtu. Pra, tash po del se parimi i njëjtë nuk po vlejka për të gjitha rastet.

* * *

Vetëvendosja nuk bën dhe nuk mundet të sillet më sikur kur ka qenë në opozitë. Tash është në pushtet, me një fuqi të madhe politike dhe, po të ketë vullnet, mund të veprojë si të dojë në marrjen e vendimeve për të mirën e qytetarëve. Nuk ka vend për kurrfarë përpjekjesh për arsyetim e viktimizim. Tekefundit, Albin Kurti e ka pasur të qartë se çfarë e pret në qeverisje. “Muaji i mjaltit” përfundoi. Njerëzit presin punë. Me të drejtë, sepse krejt i ka.

Fundi i “muajit të mjaltit”

Më Shumë

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Përkujtohet dëshmori Ismajl Kryeziu

Të enjten është përkujtuar në 25 vjetorin e rënies heroike, dëshmori Ismajl Kryeziu. Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Ismajl Kryeziu, është përkujtuar...

Lajmet e Fundit