Për herë të parë këtë vit, nis edicioni më i ri i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, i quajtur “Prizren Fest”.
Nga 31 korrik deri me 4 gusht, në Prizren, të gjitha ata që e pëlqejnë teatrin, kanë mundësi të jenë pjesëmarrës në edicionin e parë të festivalit, që organizohet nga artistë elitë të Kosovës, dhe nën patronatin e kryetarit të komunës të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Në njoftimin e organizatorëve, shkruan se nga data 31 korrik deri më 4 gusht, “Prizren Fest” do të sjellë artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.
“Kësaj liste i shtohen edhe shumë artistë dhe profesionistë të artit vendor, të cilët do të qëndrojnë në Prizren gjatë gjithë festivalit”, deklaron Rozi Kryeziu, një nga organizatoret e këtij festivali.
Themelues të festivali janë aktorët Adrian Morina, Shkelzen Veseli dhe Zana Duraku.
Në anën tjetër, për pesë ditë nga 31 korriku deri me 4 gusht, festivali ndërkombëtar i teatrit “PrizrenFest”, me një program të veçantë, do të mbahet në vendet më të bukura të trashëgimisë.
Në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të prezantohet trupa e Teatrit Kombëtar të Bosnje e Hercegovinës me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq.
Sidoqoftë, Kryeziu deklaron se për shkak të programit të ngjeshur dhe aktiviteteve të shumta, është e rëndësishme që pjesëmarrja e atyre që duan të jenë prezent si publik në këto shfaqje, konfirmohet paraprakisht.
Ndërkohë, ambientet ku do të mbahet edicioni i parë i këtij festivali të teatrove janë Kino Lumbardhi, Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Kino Plato dhe sheshi i Lidhjes së Prizrenit.RTK