9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Gazmend Leka: Vepra ime, një antidot ndaj helmeve që të vijnë nga të gjitha anët…

GazmendLeka-piktorKrijimtaria e tij në pikturë gjithmonë ka marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës, dhe sot ai është një nga personalitet e artit në vendin tonë. Piktori Gazmend Leka, me dekada pranë krijimtarisë artistike gjithmonë ka spikatur për veprat e tij, duke qenë shpeshherë dhe fitues i konkurseve të ndryshme të artit. Edhe këto ditë atë e gjejmë në studion e tij të pikturës, siç pohon dhe vetë kalon shumë orë me pikturën. Një cikël i ri në pikturë ka marrë vëmendjen e artistit të njohur, dhe tregon se këtë herë ka përdorur një teknikë të veçantë, që ka bërë që artisti të shprehet me sipërfaqe të thjeshta. Për piktorin, i cili pas disa ditësh feston dhe 60 vjetorin e tij, realiteti shqiptar nuk mungon në pikturat e tij. Sipas tij, atje është në formën e një ditari, nuk shfaqet direkt, por aty mund të gjesh të gjitha shenjat, gjithë tensionin që ka Shqipëria. Por çfarë shikon piktori Gazmend Leka në krijimtarinë e tij në prag të 60 vjetorit, çfarë i ka falur ajo dhe si kanë kaluar këto vite të jetës së tij, artisti i njohur i rrëfen në këtë intervistë për gazetën Sot.

-Nuk ndaheni nga studio juaj e punës, dhe këto ditë ju gjejmë sërish në studio duke punuar mbi krijimtarinë tuaj të re. Si kalojnë këto orë mes krijimtarisë?

Nuk është ndonjë e rrallë apo surprizë që piktori shkon në studion e tij çdo ditë. Piktori zgjohet me ethet e punës së re, ndërkohë që riti i studios ka pamjen e një ditë të zakonshme. Unë e hap studion herët në mëngjes dhe e mbyll në pasditen e vonë, kur fillon të bjerë mbrëmja. I gjithë ky qëndrim është strukje në pjesën time më të brendshme, më të thellë e më të errët. Nuk është më ajo studio e ditëve të para, e varfër dhe e thjeshtë deri në asketizëm, ku unë mbushja boshllëkun e frikshëm të katër mureve të dhomës me një letër përpara, e ku unë e trembja friken duke vizatuar me bojë kine imazhet mbi të. Sot, kur hyj aty, veç pikturës, kam dhe librat, filmat, muzikën, kam internetin që më jep mundësinë të dëgjoj intervistat më të bukura të artistëve, shkrimtarëve, filozofëve e shkencëtarëve më të mirë që ka bota sot. E vras ndryshe frikën e madhe të krijimit. Pra, në studio jam me tërë qenien time. Orët e pafundme që unë kaloj aty, mund të them se plazmojnë jetën time të dytë, një paralel i pandashëm nga jeta tjetër imja, shumë i rëndësishëm, që është familja. Unë kam detyrime të rëndësishme. Jetoj dhe si djalë, edhe si burrë, edhe si prind i një familje. I kam të treja këto bekime.

-Pohuat se familja është pjesa juaj më e rëndësishme në jetë, por si e keni ndarë kohën mes krijimtarisë dhe familjes?

Ky është një raport deri në sakrificë për të tërë prestarët e familjes që duhet ta vendosë artisti, ndoshta që në fillimet e veta. Unë jam shume i qetë në raportin tim me krijimtarinë, pasi familja ime më mirëkupton dhe e quan normale kohën e gjatë që kaloj në studio. Njerëzit shkojnë në punë dhe në buzëmbrëmje takohen, mblidhen në shtëpi apo shkojnë në opera, kinema, teatër ku me miqtë e tyre flasin edhe për gjërat e ditës që ata kanë kaluar. Kur i jap fund një pikture të mirë, ajo ditë është një gëzim shumë i madh dhe për familjen time. Kam tjetër sjellje me ta. Jam më i qetë, më i ç’penguar dhe më i gatshëm për të dëgjuar tjetrin. Ndodh që pikturën e fundit e fotografoj dhe e nis me email fëmijëve të mi, apo ja tregoj në mbrëmje sime shoqeje. Dëshiroj t’i bëj dhe ata pjesë të jetës sime të dytë, asaj jete që shumë kohë rri e fshehur për sytë e të tjerëve. Kjo sjellje është shpirtërore dhe shumë delikate. Familja është një ngarkesë shumë e madhe dhe ata që janë kryefamiljarë e kuptojnë, por një artist në studion e vet nga kryefamiljar transformohet në zot. Është një pozicion që duhet ta mbajë me shumë kujdes, pasi ndodh që të humbet si një mirazh shkretëtire. Mirazh shkretie. Edhe në momentet e mëdha të mërzitjeve të rënda duhet të jem në ekuilibër që ta transplantoj atë bunacë shpirtërore në një vepër arti, në një stuhi. Prandaj e gjithë vepra ime është si një antidot ndaj helmeve që të vijnë nga të gjitha anët, pasi realiteti material është shumë i vështirë, është i mundimshëm.

-Më herët keni pohuar se ky vit ka qenë i mbarë në krijimtarinë tuaj. Por çfarë mund të na zbuloni mbi ciklin e ri në pikturë, çfarë prezantoni këtë herë?

Ky ka qenë një vit i mbarë për mua në krijimtari. Një bujk do të thoshte se “të korrat i kam të mira sivjet”. Për të ndërtuar një cikël të ri në pikturë u bë nxitje një miku im, i cili vite më parë kishte blerë nga unë katër piktura të bëra në vitin 2004. Gjatë një bisede me të, folëm për këtë cikël ende të pakryer që kish mbetur si jetim në mes të rrugës. Pak me kundërshti e pak si me përtesë fillestare e rinisa por dalëngadalë më rrëmbeu si në hon. Ja dola që muajt e parë të vitit të realizoja 15 piktura. I trajtova në një teknikë disi të veçantë. Akryl i përzier me një ngjyrë metalizato, që i jep një lloj stofi të veçantë sipërfaqes së pikturës, që me një ndriçim të mirë ajo fillon të vezullojë. Teknika ka shumë rëndësi, kur ajo fillon dhe bëhet thellësisht përmbajtje. Kjo lloj teknike më ndihmoi që unë të shprehesha me sipërfaqe të thjeshta, me një monokromi të butë, pa kontraste të thella, pa shumë xheste që të jep piktura e vajit dhe disi e gjeometrizuar. Fillova të rrëmoja në arkivin tim, nxora edhe një herë motivet, ato farëza që unë i kisha mbjellë dikur. I rimora dhe i bëra pemë me frute. Demi Kretez, Sfiniki, Camera, Oscura, Arkitekti Hyjnor…janë disa prej titujve të pikturave të fundit. Është po ai manjetizim që ka shpirti im drejt një bote të fshehtë, plot shenja që burojnë nga alkimija, gjeometria, mitologjia, por që janë imazhi i përkthyer në pikturë i realitetit që më fshikullon. Pikturat formojnë një cikël, një frazë të vetme, por janë të pavarura nga njëra -tjetra. Jetojnë me vehte.

-Duket se qenka një cikël i veçantë në krijimtarinë tuaj në pikturë?

Edhe më herët kam kryer cikle të ndryshme në pikturë. “Tregime të moçme shqiptare ” apo “ Nostradamus ”, “ Black-Box”, të cilët kanë pasur një impakt të madh në publik, në median e shkruar apo atë vizive. Ky i fundit është vërtetë disi i veçantë, qoftë edhe nga teknika me të cilën e realizova. Më pëlqen shumë. Kur ndjej që buron pa sforcim, si një këngë, unë kënaqem. Prandaj them se ky cikël është i mirë dhe shpresoj që ta pëlqejnë edhe të tjerët. 15 pikturat janë shitur dhe janë bërë pjesë e koleksionit të mikut tim që më nxiti ti kryeja. Ndoshta nga fundi i vitit mund të çel një ekspozitë personale.

-Pas disa ditësh festoni 60 vjetorin tuaj. Në prag të këtij përvjetori, nëse e mendoni krijimtarinë tuaj më herët ndër vite, çfarë shikoni. Si ju gjen ky përvjetor që ju do ta festoni me datë 11 tetor?

Njerëzit në datëlindjet e plota me dhjetëvjeçarë, sugjestionohen. Në çdo 10 vjet, duket sikur ndodhen përpara një udhëkryqi. Janë në mënyrë ciklike afër një semafori. 60 vjet janë mjaftueshëm për tu shfaqur. Janë vite të tëra pune, piktura dhe vizatime pa fund. Thjesht kam shkuar drejt realizimit të vetvehtes. Kam udhëtuar drejt qendrës sime dhe ndjej që i afrohem ditë më dite. Piktura ma ka dekodifikuar dhe më ka bërë të kuptoj realitetin jashtë meje e ta vendos atë në një raport ombelikal me realitetin që është brenda meje. Pra, e kam bërë një realitet të vetëm. Kam krijuar realitetin tim. Realiteti i jashtëm ka qenë tepër i rëndë dhe i rrezikshëm, por nuk më ka turbulluar për vdekje. Shqipëria është e tejngopur me klithma, me ngulçe, me plehra, me vrasje e me krime, por gjithmonë e kam pajtuar veten të jetoj në këtë realitet si qelizë e tij. E kam dashur shumë. Shqipërinë tërë eten time 60 vjeçare e kam konsideruar si një gjë të mrekullueshme. Kjo më ka bërë të jem i qetë në esencë e të vazhdoj pikturën time. A ndodh që ky realitet i jashtëm të jetë në pikturën time? I gjithi atje është në formën e një ditari, por nuk shfaqet direkt. Shfaqet si një proporcion të përthyer. Aty mund të gjesh të gjitha shenjat, gjithë tensionin që ka Shqipëria. Mund të gjesh vitin e mbrapshtë të saj, pasi Shqipëria është një vit i mbrapshtë i përjetshëm.

-Pse e shikoni vetëm si vit i mbrapshtë i përjetshëm?

Kështu është e ndërtuar. Shqipëria ka një rregull në kaos. Është një plakë e lashtë…e stërlashtë me menstruacione shumë të rregullta.

-Prej vitesh pedagog në Universitetin e Arteve. Si janë të ndërtuara marrëdhëniet tuaj me studentët. Çfarë shikoni në brezin e ri, dhe gjykimi juaj mbi këtë krijimtari të re në art?

Më pëlqen pafund puna me studentët. Mendoj dhe besoj se kam një raport perfekt që nuk më ka ndryshuar që në ditët e para si profesor. Me ta bashkëbisedoj gjashtë orë në javë, por ndjej se për mua janë orë të rëndësishme. Kam kënaqësi tek shoh të vinë fillimisht të ndrojtur e plot dëshirë për të mësuar e në fund të viteve akademike, të largohen të rritur, të pjekur, përgjegjës për jetën e tyre. Diplomat e tyre janë befasuese. Po kështu, befasuese janë shpesh herë edhe krijimet e tyre, që janë vlerësuar me çmime në ekspozitat e rëndësishme. Dikur i kam pasur studentë, ndërsa sot i kam miq e kolegë.

-Jeni një artist që gjithmonë jeni vlerësuar nga kritika dhe publiku. Çfarë do të thotë kjo për një artist si ju?

Jam vlerësuar. Është e vërtetë. Jam vlerësuar që në hapat e para të krijimtarisë kur kreva ilustrime, filma, e më pas vizatime e piktura pa fund. Kam marrë shumë çmime e kupa festivalesh deri vitet e fundit dhe jam i përkëdhelur, pasi artisti në fund të fundit duket si një fëmijë që dëshiron të përkëdhelet dhe e thënë kështu, nuk është turp ta deklarosh. Por, e vërteta e thellë është se artisti mbetet vetëm. Kërkon Qendrën e Qenies së tij dhe nëse e mbërrin, pikërisht aty gjendet i vetëm. Gjendet i vetëm, sepse vetëm vehten e tij të vërtetë kërkon tërë jetën. Është test për të. Sot, kur i shoh çmimet, kupat, titujt i ndjej se ma kanë bërë të gëzueshme jetën, jetën e përditshme, atë praktikë, atë mes njerëzve, por e gjithë qenia ime nuk është aty. Është tek piktura e fundit që kam lënë dje në studio. Kam ethe dhe mezi pres të vijë mëngjesi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit