E diel, 17 Shkurt 2008. Ora shënonte 15 e 30 minuta. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin mbledhur në një seancë të veçantë. Tashmë gjithçka ishte gati për të bërë hapin më të madh në historinë e Kosovës. Nëntë vjet pas çlirimit të Kosovës, pas muajsh të tërë negociata të ndërmjetësuara nga presidenti Marti Ahtisari, kishte ardhur momentin që Kosova të vendoste për veten. Mbi bazën e propozimit të Ahtisarit ishte përgatitur shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, i cili kishte pak muaj që kishte marrë këtë post, doli në foltoren e Kuvendit për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë.
””Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate e shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik””, tha ai.
Në të njëjtën seancë u bë publik edhe flamuri shtetëror i Kosovës, me hartën e Republikës së Kosovës që simbolizon tërësinë territoriale, gjashtë yjet që simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe prapavijën e kaltër që simbolizon synimin për integrim në Bashkimin Evropian. Po ashtu u intonua edhe himni pa tekst. Pasuan njohjet e menjëhershme nga shumë shtete, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e shtete të tjera. Gjatë kësaj periudhe, u miratua edhe Kushtetuta e Kosovës, e cila u vlerësua si më e avancuara në rajon.
Kosova filloi hapat e parë si shtet, nën udhëheqjen e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte rezultat i marrëveshjes ndërmjet liderëve të këtyre subjekteve, Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu.
Bashkëqeverisja PDK-LDK vazhdoi për më shumë se dy vjet. Vjeshta e vitit 2010 shënoi fundin e këtij koalicioni, i cili që nga fillimi edhe pse i qëndrueshëm për nga numrat, ishte konsideruar i panatyrshëm. Goditjen këtij koalicioni ia dha dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiu pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës me mbajtjen në të njëjtën kohë edhe të postit të kryetarit të LDK-së. Sejdiu e kishte menduar ndryshe këtë.
””Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion siç e përcakton kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj këtë vendim””, tha Sejdiu.
Në zgjedhjet brenda LDK-së, Sejdiu humbi edhe postin e kryetarit të partisë, kundrejt Isa Mustafës, i cili kishte kohë që kërkonte prishjen e koalicionit PDK-LDK.
Vendi shkoi drejt zgjedhjeve të reja parlamentare në vitin 2010. Partia e Hashim Thaçit doli sërish fituese. Thaçi fitoi edhe një mandat si kryeministër. Kësaj radhe i mbështetur nga një tjetër partner koalicioni. Biznismeni Behgjet Pacolli, i cili kishte pak kohë që i kishte hyrë politikës, me partinë e tij, Aleanca për Kosovë të Re, arriti koalicion me PDK-në, duke kërkuar edhe pjesën e vetë të pushtetit. Postin më të lartë të vendit. Atë të Presidentit të Republikës. Me shumë peripeci më 22 shkurt 2011, Pacolli u bë president i vendit.
””Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Betohem para jush””, tha Pacolli.
Por, fati nuk ishte me të. Vetëm për një muaj, Pacolli kreu detyrën e presidentit të vendit. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi edhe atë nga kjo pozitë. Kjo gjykatë konstatoi se zgjedhja e Pacollit president i Kosovës ishte jokushtetuese. Edhe koalicioni qeverisës PDK-AKR u vu në pikëpyetje. Por, Pacollit, kryeministri Thaçi ia bëri vendin pranë vetes, si zëvendëskryeministër i parë.
Një marrëveshje e arritur ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, solli stabilitetin sa i përket çështjes së presidentit. Ishte ish ambasadori amerikan Kristofer Dell, ai që i uli në tavolinën e bisedimeve dhe doli me propozimin për presidentin e ri. Ishte dikush nga strukturat udhëheqëse të Policisë së Kosovës. Atifete Jahjaga, deri atëherë krejtësisht jashtë politikës, u bë femra e parë që mori postin më të lartë të shtetit, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
””Deri dje nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse. Por ashtu, si shumë nga bashkëqytetarët e mi isha e gatshme të të shërbejë kur të më ftojë vendi dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t””i kryej të gjitha detyrimet e mia””, tha Jahjaga.
Pas tejkalimit të krizës politike me zgjedhjen e presidentes, Kuvendi nisi punën për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Dy komisionet ””ad hoc”” punuan për muaj të tërë, por rezultati mbeti zero. Edhe sot e kësaj dite, reforma kushtetuese ka mbetur askund, ndërsa ajo zgjedhore, me të cilën tani po merret Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës, cilësohet si reformë sa për sy e faqe.
Në gjashtë vjetët e shtetësisë së saj, Kosova u përball më sfida të shumta. Ngritja e institucioneve shtetërore dhe konsolidimi i shtetit, ishte një sfidë që kërkon angazhim maksimal. Kryeministri Hashim Thaçi megjithatë, vlerëson se janë bërë hapa të rëndësishëm.
””Kanë qenë këto vite të rëndësishme të shtetbërjes, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë,. Ishin vite të rëndësishme të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe sovran. Sot kemi arritur ta bëjmë pavarësinë e Kosovës të njohur nga shumica e vendeve të botës. Të anëtarësojmë shtetin tonë të re në organizatat ndërkombëtare me peshë si në Bankën Botërore, FMN, Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim, si dhe në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare””, tha ai.
Flamuri i Republikës së Kosovës vazhdonte çdo ditë ta fitonte nga një pozicion të ri në botë. Valëvitej në vende të ndryshme të botës. Por, jo edhe në pjesën veriore të Kosovës. Korriku i vitit 2011, shënoi fillimin e ndryshimit edhe në këtë pjesë, ku mbretëronte nga paslufta mungesa e kontrollit të shtetit, pasi që strukturat paralele të Serbisë ishin bërë pengesë për ndërtimin e shtetit dhe ushtrimin e funksionalitetit në gjithë territorin e Republikës. Natën e 25 korrikut, kryeministri Hashim Thaçi i koordinuar me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, kishte vendosur që në këtë pjesë t’i dërgojë forcat policore të Kosovës dhe njësitet ROSU. Dy pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak u vunë nën kontroll. Një pjesëtar i njësisë ROSU ra heroikisht gjatë këtij aksioni. Enver Zymberi menjëherë u nderua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Kryeministri Thaçi 25 korrikun e quan datë të bashkimit territorial të Kosovës.
””Asnjë qeveri kosovare më herët nuk e ka pasur kurajën më herët të përballet me këtë të keqe. Nuk vazhduam me retorikën boshe të mëparshme për veriun, por u ballafaquam me atë sfidë. Pa vendimin dhe veprimin për marrjen nën kontroll të kësaj pjese të territorit dhe pikave kufitare 1 dhe 31 me 25 korrik 2011, nuk do të fillonte as dialogu real, nuk do të merreshim seriozisht as nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj 25 korriku 2011, është bashkimi territorial të Kosovës””, u thotë Thaçi.
Viti 2011 për shtetin e Kosovës, shënoi edhe një hap tjetër. Atë të fillimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhjetëra takime janë zhvilluar në Bruksel, ndërmjet delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Edita Tahiri dhe atij serb të kryesuar nga Borisllav Stefanoviq. Nga këto bisedime teknike kanë dalë marrëveshje, siç është ajo për vulat doganore, librat amzë, marrëveshja për diplomat universitare, ajo për lirinë e lëvizjes, përfaqësimin rajonal të Kosovës, shënimet kadastrale dhe marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Në shkurtin e vitit 2012 u arrit edhe marrëveshja për formulën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, përkatësisht përfaqësimin e Kosovës me fusnotë. Kjo fusnotë që u quajt ””fluskë bore””, u tha se do të shkrihej shpejt, por ajo vazhdon të jetë prezente edhe më tej,shkruan rtk.
Ndërkohë, dialogu Kosovë-Serbi gjatë vitit 2012-2013 u ngrit në nivel të kryeministrave. Një sërë raundesh bisedimesh politike janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Këto bisedime rezultuan me Marrëveshjen e 19 prillit, ndërsa për çështje të ndryshme, takimet vazhduan edhe më tutje.
Po cilat janë rezultat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
””Disa nga rezultat kryesore që ka prodhuar ky dialog janë marrëveshja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ku është vendosur reciprocitet dhe bashkëpunim ndërshtetëror mes dy vendeve dhe ka mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave të Kosovës edhe nëpër Serbi. Dialogu ka bërë që Serbia pas shumë vitesh të heq bllokadat dhe embargon ndaj Kosovës si dhe të njeh dokumentet shtetërore të udhëtimit, vulat shtetërore të Doganave të Kosovës, diplomat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Dialogu po ashtu ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës””, tha Thaçi.
Katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shtator të vitit 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në Vjenë vendosi t””i jap fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ky grup konstatoi se plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës është zbatuar në mënyrë thelbësore. Pas kësaj pasoi mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
Në tetorin e vitit 2013, u bë një tjetër hap për Kosovën drejt integrimit evropian. Komisioni Evropian miratoi rekomandimet e vendeve anëtare për të hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën.
U quajt historike dita ku u mor një vendim i tillë. Por, jo i gjithë spektri politik në Kosovë e sheh të tillë. Por opozitën, jo gjithçka ka shkuar ashtu siç është pritur. Dialogun me Serbinë e kishin mbështetur të gjitha grupet tjera opozitare përveç Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë opozita është e njëzëshme në pakënaqësinë e saj me atë që është bërë për forcimin e shtetit të Kosovës.
Edhe për vendimin për MSA-në, që u konsiderua sukses për Kosovën në rrugën e integrimit evropian, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, konsideron se Kosova nuk përmbushi kriteret për MSA-në, por vetëm sjellja e Qeverisë së Kosovës karshi dialogut me Serbinë.
””Unë do doja të ishte ndryshe. Më mirë ta kishim merituar ne MSA-në nëse kjo do të matej me sundimin e ligjit në Kosovë, me luftimin e korrupsionit në Kosovë, me pavarësinë e drejtësisë, me efikasitetin e drejtësisë e kështu me radhë, sesa në negociata me Serbinë””, thotë Konjufca.
Edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se dëshira dhe angazhimi për shtetin e Kosovës ka qenë për më shumë se kaq.
””Sigurisht të gjithë ne kemi punuar, kush më shumë kush më pak mbi të gjitha si popull që të gëzojmë atë që sot e kemi, ose atë që u shpall para gjashtë vjetësh, pavarësinë e Kosovës. Dëshirat dhe synimet tona krejt tjera kanë qenë. Dëshira për t’u bërë shtet është bërë realitet, por funksionimi i mirëfilltë, angazhimi që të kemi një shtet ligjor, të zhvilluar ekonomikisht, ku sundon rendi dhe ligji, ku ka punësim, ku gjenerohen vende të punës, ku luftohet korrupsioni. Të gjitha këto kanë qenë dëshira dhe angazhim i yni, por fatkeqësisht këto nuk kanë ndodhur””, thotë Beqiri.
Kurse, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së thotë se realiteti është ndryshe nga pritjet që ishin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
””Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë kemi një gjendje e cila është e vështirë për qytetarët e Kosovës si në planin ekonomik, social, pastaj edhe të zhvillimeve të tjera, edhe të atyre që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pritjet e qytetarëve kanë qenë shumë më të mëdha. Konsiderojmë që kjo qeveri që për të dytën herë e bartë mandatin nuk ka treguar performancën e mirë për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve në Kosovë dhe për të përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare””, thotë Isufi.
Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, vlerëson se Kosova ka përparuar shumë në procesin e shtetndërtimit për gjashtë vjet, por ai përmend edhe ngecje, siç është fusha e sundimit të ligjit. Sidoqoftë, Bajrami thotë se tani kur Kosova nuk e ka mbikëqyrjen e pavarësisë, ka një agjendë tjetër politike.
””Unë mendoj se tani gjashtë vjet pas pavarësisë kemi një agjendë krejt tjetër politike. Është agjenda e integrimeve evropiane, përfshirja e Kosovës në proceset e liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane, por kemi edhe një agjendë të brendshme politike, stabiliteti i brendshëm, sundimi i ligjit, luftimi i krimit, i dukurive tjera negative, sigurimi i një sistemi demokratik të qeverisjes dhe ngritja e standardeve sa i përket qeverisjes dhe sistemit zgjedhor. Mendoj se këto sfida janë shumë aktuale në Kosovë sepse tani nuk kemi më një mbikëqyrje ndërkombëtare, jemi shtet që qeverisë vetë dhe ne tani duhet ta marrim përgjegjësinë për përparimet e vendit tonë””, thotë Bajrami.
E, këto përgjegjësi, u demonstruan edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organizoi zgjedhjet edhe në pjesën veriore të Kosovës. Kjo u arrit falë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Organizimi i këtyre zgjedhjeve u vlerësua si një e arritur e madhe për Kosovën edhe nga organizmat ndërkombëtarë.
Edhe 2014-ta do të jetë vit zgjedhor për Kosovën. Vit kur do të mbahen zgjedhjet nacionale. Por, zhvillimet e brendshme, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, nuk do ta pengojnë Kosovën në përspektivën evropiane.
””Unë jam i bindur se viti 2014 do të jetë vit i fuqizimit të shtetit tonë, i vazhdimit të zhvillimit ekonomik, i krijimit të vendeve të reja të punës, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosoëvs dhe vit i përspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimit me NATO-n. Natyrisht pretendimet tona gjithmonë do të jenë që të punojmë maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara””, thotë Thaçi.
Shteti i Kosovës i shpallur më 17 Shkurt 2008, hyn në vitin e shtatë. Me institucione të konsoliduara, me zhvillim në ngritje e sipër, Kosova tani ka përpara shumë sfida, si në agjendën e integrimeve evropiane ashtu edhe në agjendën e brendshme, sundimin e ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit, sigurimin e sistemit demokratik të qeverisjes dhe ngritjen e standardeve sa i përket sistemit zgjedhor. Lëvizja e lirë pa viza, është ajo që qytetarët e Kosovës e presin tash e sa kohë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. Zotimet e krerëve të institucioneve të Kosovës në këtë drejtim mbetet mjaft shpresëdhënës.