Gjermania arreston 25 të akuzuar për komplot për grusht shtet

Njëzetë e pesë persona janë arrestuar në bastisje në të gjithë Gjermaninë, të dyshuar për komplot për ta rrëzuar qeverinë, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

 

Raportet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe ta merrte pushtetin.

Një gjerman i referuar si një princ i quajtur Heinrich XIII, dyshohet se ka qenë kryesori në planet e tyre.

Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.

Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Reich], e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Ata gjithashtu refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871 – një perandori e quajtur Reich i Dytë.

“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup”, tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal.

Bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA. Të arrestuarit do të merreshin në pyetje më vonë gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.

Prokurori federal deklaroi se grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori i vitit 2021.

Ish-anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit, thanë raportet. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga njësitë speciale.

Komplotuesit kishin krijuar tashmë plane për të sunduar Gjermaninë, tha zyra e prokurorit federal. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe kjo përfshinte kryerjen e vrasjeve.

Transmetuesi publik ZDF raportoi se një ish-deputet i ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestag, ishte gjithashtu pjesë e komplotit dhe ishte vendosur për t’u instaluar si ministër i drejtësisë i grupit, me princin Heinrich si udhëheqës.

Më Shumë

Grevist Bytyqi përfaqëson Kosovën në World Para Athletics Grand Prix në Zvicër

Atleti kosovar Grevist Bytyqi do ta përfaqësojë Kosovën në garën prestigjioze ndërkombëtare “World Para Athletics Grand Prix”, e cila mbahet nga 21 deri më...

Gjashtë serbë arrestohen afër manastirit në Prizren

Gjashtë serbë janë arrestuar sot në Prizren afër Manastirit “Shën Arangjeli”. Detaje për arrestimin e tyre ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin...

Lajmet e Fundit