Gjinovci shtrihet rreth 5 kilometra në jug të Therandës. Është vendbanim fushor, i tipit të grumbulluar, përveç disa shtëpive që janë mjaft larg njëratjetrës. Është ndër fshatrat më të mëdha të kësaj komune dhe përbëhet nga lagjet ose familjet: Haxhiaj, Haziraj, Hajdaraj, Hamzaj, Muharremaj, Sallahaj, Zenelaj, Zeqiraj, Berisha, Rexhepaj, Asllani, Seferaj, Alijaj, Gashi, Maksutaj, Neziraj etj. Ramdan Haxhiaj, drejtor shkolle në Gjinoc, është shprehur për “Kosova Sot” se fshati i tij ka një histori të vjetër.
“Është djegur dy herë nga ushtritë serbe, në vitet 1941 dhe 1999. Në vitin 1999 mbeten të padjegura vetëm 8 shtëpi të vjetra. Është granatuar ambulanca, ndërsa xhamia është rrënuar tërësisht. Shkolla është gjuajtur me plumba dhe është demoluar”, është shprehur ai. Sipas regjistrimit të fundit, fshati ka 3490 banorë.”Prej tyre jetojnë e veprojnë në vende tjera 1256″, është shprehur Haxhiaj, shkruan gazeta Kosova Sot
Kisha ilire, dëshmi e vendbanimit të vjetër
Haxhiaj ka theksuar se shkolla për herë të parë është hapur në vitin 1928, kurse në gjuhën shqipe është hapur në vitin 1943. Mësuesi i parë ishte Qemajl Muslia nga Shkupi, pastaj Abdurrahim Hoxha nga fshati Bicaj-Kukës. Haxhiaj thotë se në vitin 2012 është ndërtuar objekti i ri shkollor që ka 368 nxënës. Sipas regjistrimit të vitit 2011, fshati kishte 480 shtëpi banimi me 3490 banorë. Kurse i riu Liridon Zeqiraj është shprehur për “Kosova Sot” se toponimet e këtij fshati janë: Tuma, Maxherci, Llocia, Zabeli i Sylejman Agës, Lluga e Asllan Agës, Livadhet e Gata, Luga e Puninit, Pazhiku, Oborvishta, Arat e Kuqe, Arat nën Drum, Livadhet e Verdlia, Livadhet e Buta, Drumi i Gjakovës, Udha e Shkupit, Arat te Brodi, Zabeli i Mehmetit, Zakuta, Zabeli i Qavave, Arrnica, Reka e Thatë, Tarazhda etj. Ndërsa, Haxhiak thotë se Gjinoci është vendbanim i vjetër shqiptar. “Gjinoci i hershëm ishte me afër rrugës kryesore Prizren-Therandë.
Nga aty janë tërhequr më lart, ku është sot Gjinoci, për shkak të burimeve të ujit. Në afërsi të fshatit, afër lumit Sopi, te Gjinoci i Vogël (Topliçani, që e pagëzuan kolonët serbë) është një kodër që quhet Tune. Tunat janë ilire dhe sipas Ramdan Haxhiajt tregojnë dëshmi të fortë iliro-dardane, porse nuk janë bërë gjurmime arkeologjike.
“Toponim me rëndësi është vendi me ara të punuara, që e quajnë Magjerc, në jugperëndim të fshatit. Mendohet se aty ka qenë vendbanimi i hershëm Magjerci. Në pjesën veri-jug të fshatit, të quajtur Llucia, ka qenë një kishë e vjetër ilire. Aty tani janë gurë të varreve dhe gurë të themeleve, eshtra të dimensioneve të mëdha, unaza etj.”, shprehet ai.
Vendosja e kolonëve serbë
Emri i këtij fshati, Arbashki katun Ginovci, del të përmendet më 1348 në një krisobulë të mbretit Stefan Dushanit. Me emrin Gjinofci është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore në këtë vendbanim erdhën si kolonë 15 familje. Haxhiaj thotë se në ngastrën e këtij lokaliteti, në pjesën veriperëndimore, afër rrugës Therandë- Prizren, u kolonizuan 26 familje kolone serbe, kryesisht nga treva e Toplicës dhe e pagëzuan me emrin Topliçan. Deri vonë ky lokalitet llogaritej si vendbanim i veçantë. Shënimet historike të këtij fshati thonë se në fillim të vitit 1941 Gjinoci sulmohet nga një kompani e ushtrisë serbe, ku vriten 60-80 ushtarë serbë dhe komandanti i tyre, Novakoviq. Nga 50 shtëpi sa kishte atëherë Gjinoci, ushtria serbe dogji 18 shtëpi. Lagja Haxhiaj, ku u zhvillua lufta, ka shpëtuar pa u djegur, ndërsa lagjet e tjera janë djegur tërësisht nga ushtria serbe. Ndërsa, nga fshati janë djegur 2 pleq nga lagjja Berisha dhe është vrarë një banor i familjes Haxhiaj. Më 1956 për në Turqi janë shpërngulur 2 familje (Zenelaj 12-anëtarëshe dhe Behlulaj 5-anëtarëshe”, thuhet nga shënimet historike të këtij fshati.
Sipas Ramadan Haxhiajt, 1256 banorë të këtij fshati jetojnë kryesisht në Gjermani, Zvicër, Itali, Slloveni e vende të tjera. Sipas tij, është ndër brenga më të mëdha të këtij fshati. Plaku Avdi Zeqiraj, mbi 90-vjeçar, pohon se fshati ka bërë ndryshime të mëdha. Dikur ky fshat ishte i dalluar për bujari dhe për mikpritje. Sipas tij, traditat e dikurshme edhe këtu po zhduken. “Ajo që po na lëndon ne pleqve është se po duket se po humb dashuria mes vëllaznillëkut, si çdokund tjetër. Dikur kjo dashuri ishte e madhe”, tregon Zeqiraj.
(Kosova Sot)