2.8 C
Prizren
E martë, 1 Tetor, 2024

Gjykatë Speciale gjithëpërfshirëse

Nga Fetnete Ramosaj

Dy fjalë rreth Gjykatës Speciale (2)

Është e udhës të përkujtojmë se ka raste të shumta kur të akuzuarit shqiptarë janë mbajtur padrejtësisht me vite të tëra në burgje e pastaj janë liruar të pafajshëm, ka raste kur deri në një dekadë janë mbajtur në burgje pa aktgjykim të plotfuqishëm, por drejtësia ndërkombëtare nuk ka qarë kokën për këtë, sepse të akuzuarit ishin dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK-së. Si të tillë janë kategoria e shtetasve të Republikës së Kosovës që në Kosovën e pasluftës, janë viktimizuar më së shumti, janë kategoria që i janë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëhen më së shumti padrejtësi, janë kategoria që është tentuar të njolloset e të poshtërohet më së shumti. Dhjetëra ish-luftëtarë të lirisë janë vrarë në Kosovën e pasluftës, por asnjë vrasje e tyre nuk është zbardhur deri më sot; dhjetëra të tjerë janë gjykuar e dënuar në procese të montuara politike; dhjetëra të tjerë të gjendur buzë ekzistencës i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë; qindra të tjerë edhe gjashtëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës nuk i kanë as kushtet elementare për jetë, as për trajtim mjekësor, as një vend pune, as një kulm mbi kokë. U deshën të kalojnë 15 vite pas përfundimit të luftës, që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për veteranët e luftës, por që ende nuk ka gjetur zbatim.

Nuk është asgjë e re, as e panjohur, se Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adreson UÇK-së, ndërkaq në raste të tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet të jenë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Në kohën kur ende vazhdojnë të zbulohen varreza të reja masive me eshtra të shqiptarëve, të zhvarrosur e të rivarrosur shumë herë nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e gjenocidit të kryer ndaj popullit shqiptar në Kosovë, propaganda serbe, për t’i fshehur gjurmët e krimeve të veta, tenton të krijojë paralelizma të tillë te shqiptarët. Në mungesën faktike të varrezave masive të serbëve ajo tenton të gjejë individë, të cilët do të akuzoheshin për krime lufte. Në këtë funksion është edhe përralla serbe (e huazuar nga ndërkombëtarët) për “trafikim organesh”.

Është e çuditshme se si përralla e vozhdit çetnik Vojisllav Sheshel, për kinse “trafikim organesh” të serbëve nga ana e UÇK-së, e lansuar në vitin 1999, e përpunuar më pas nga e ashtuquajtura Prokurori Speciale (e Serbisë) për Krime të Luftës, me seli në Beograd, si e tillë përfundoi fillimisht në librin tendencioz të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte (përkundër kësaj, më 12 prill të vitit 2014, siç raportonte Agjencia Informative “Presheva Jonë”, Del Ponte iu deklaroi medieve ndërkombëtare në Cyrih të Zvicrës se hetimet për “trafikun e organeve” në Kosovë do të dështojnë) e më pas në raportin e senatorit zviceran të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i njohur për përcaktimet e tij proserbe, të marrë përmasa të tilla. Aq më tepër kur dihet se nuk ka asnjë gjasë reale, as teorike as praktike që UÇK-ja gjatë luftës të ketë pasur mundësi të merret me “trafikim organesh” të serbëve apo të kujtdo tjetër. Në anën tjetër, dhjetëra luftëtarë të UÇK-së, të plagosur kanë ndërruar jetë në pamundësi të ofrimit të ndihmës përkatëse mjekësore, e dhjetëra të tjerë kanë dhënë jetën gjatë përpjekjeve për dërgimin e të plagosurve për shërim në Shqipëri.

Kur e trajtojmë çështjen e “Gjykatës Speciale” e cila ekskluzivisht do të merrej me krimet e pretenduara të UÇK-së, duhet shtruar disa pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare:
– Së pari, a kanë kërkuar ndonjëherë zyrtarisht nga Serbia që ta sqarojë veprimtarinë e Sigurimit shtetëror serb në raport me Kosovën, sidomos pas zbardhjes së fakteve për ekzistencën e “Drejtorisë së Gjashtë” (“Drejtorisë për Vrasje”) të RDB-së, në krye me Ratko Romiqin, që përveç mekanizmave të tjerë, e kishte në dispozicion njësinë famëkeqe për operacione speciale JSO (apo “Beretat e Kuqe”, pasuese e të cilës sot është xhandarmëria e Serbisë), kur është dëshmuar se përmasat e aktiviteteve kriminale të “Drejtorisë për Vrasje” të RDB-së kanë përfshirë jo vetëm periudhën e luftës, por edhe atë të pasluftës, duke pasur në fokus me theks të veçantë zhdukjen e dëshmive e të dëshmitarëve të mundshëm që do të dëshmonin për krimet serbe, kur dihet se vrasjet e kryera nga kjo strukturë (anëtarët e të cilës edhe sot kanë pozita vendimmarrëse në institucionet më të larta shtetërore në Serbi) kanë përfshirë një gamë të gjerë të vrasjeve, të kryera jo vetëm në nivel në Serbisë e të Kosovës, por edhe në nivel ndërkombëtar, siç ishte rasti i vrasjes së gazetares së “BBC”-së Jill Dando gjatë luftës, vrasja e ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind, pas përfundimit të luftës, etj.? A është kërkuar ndonjëherë të dihet se cilat janë përmasat e influencimit dhe të implikimit të drejtpërdrejtë të kësaj strukture në vrasjet e shumanshme që kanë ndodhur në periudhën e pasluftës në Kosovë? (VIJON)

(Autorja është bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës – Prishtinë)

Më Shumë

Njohja e viteve të 90-ta për pensionet e punonjësve të arsimit, SBAShk dorëzon sot peticionin me mbi 20 mijë nënshkrime

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), do të dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës një peticion me 20,458 nënshkrime të mbledhura...

Arrestohet Jens Lehmann, dyshohet se voziti i dehur

Ish-portieri i Arsenalit, Jens Lehmann, është ndaluar për shkak të dyshimit se ka vozitur në gjendje të dehur. Lehmann u fotografua duke festuar në festivalin...

Lajmet e Fundit