15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Grabovci: Blloku po bën lojëra

Adem Grabovci-pdk14Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, u është kundërpërgjigjur kritikave të koalicionit LDK-AAK-Nisma për shtyrje të seancës konstituive të Kuvendit. Ai ka bërë me dije se kërkesa për shtyrje të seancës ka ardhur nga partneri i tyre i koalicionit, Lista Serbe.

Grabovci ka deklaruar për “Epokën e re” se koalicionit paszgjedhor nuk po i bie tamam asgjë. “Çdo ditë po bëhet edhe më e qartë se koalicionit të bllokut asgjë nuk po i bie tamam. Ata kanë deklaruar se janë në koalicion me Listën Serbe dhe se i kanë harmonizuar të gjitha qëndrimet e tyre. Ndërsa kërkesa për shtyrje të seancës ka ardhur nga një subjekt politik që i ka pasur qëndrimet e harmonizuara me bllokun”, ka thënë Grabovci. Ai ka deklaruar se lojërat me shtyrje të seancës është i duke bërë koalicioni paszgjedhor. “Kërkesën për shtyrje të seancës nuk e ka bërë PDK-ja, por një aleat i bllokut. Ne kemi deklaruar edhe më herët se kemi qenë të gatshëm që seanca të mbahet të premten. Unë dyshoj se këto lojëra është duke i luajtur blloku, i cili po vazhdon ta bllokojë jetën e qytetarëve të vendit”, ka thënë Grabovci.

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka shtuar se kjo parti i kishte bërë të gjitha përgatitjet që në seancën e së premtes ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit nga radhët e saj, kryesinë e këtij institucioni dhe të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme edhe për formimin e Qeverisë.

Grabovci ka bërë me dije se ka pasur komunikimin të vazhdueshëm me pjesën dërrmuese të deputetëve dhe, sipas tij, të gjithë ata kanë shprehur vullnetin e tyre ta tejkalojnë këtë ngërç politik. “Ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv me të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, pra me pjesën më të madhe të 120 deputetëve që ka Kuvendi i Kosovës. Kuptohet se PDK-ja është partia e parë, ka 37 deputetë dhe e ka marrë besimin e qytetarëve të Kosovës. Ne do ta vazhdojmë realizimin e vullnetit të qytetarëve të vendit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Grabovci.

Kryeparlamentari i takon PDK-së

Nënkryetari i PDK-së është shprehur i bindur se kandidati i këtij subjekti politik për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajrami, do t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar. “Ne kemi komunikuar me shumë deputetë edhe gjatë së enjtes që lamë pas. Komunikimi me deputetë nuk ka munguar as ditëve të tjera. Besoj se janë votat e mjaftueshme për t’i konstituuar të gjitha institucionet e vendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nuk besoj se asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës dëshiron të vazhdojmë me humbje të kohës dhe me bllokim të jetës institucionale të vendit”, ka deklaruar Grabovci, duke shtuar se beson në vetëdijen e lartë të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të zgjedhur për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës dhe për ta lehtësuar jetën e tyre.

I pyetur se nëse gjatë këtij komunikimi që ka pasur me deputetë ka marrë përkrahjen për kandidatin e PDK-së, Grabovci ka deklaruar se të gjithë janë shprehur të pakënaqur me gjendjen aktuale. “E them me bindje të plotë se deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, pa përjashtim, me ata që kam komunikuar drejtpërdrejt, kanë shprehur pakënaqësi me situatën që është krijuar kundër vullnetit dhe dëshirës së tyre. Partitë e bllokut duhet t’i lënë të lirë deputetët, mos t’i shantazhojnë. Me të gjithë ata deputetë që kam komunikuar janë të gatshëm të kontribuojnë në zhbllokimin e jetës institucionale në vend”, ka thënë Grabovci, duke shtuar se deputetët janë të vetëdijshëm se e drejta për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit i takon PDK-së. “Besoj se deputetët e Kuvendit tashmë janë shumë të vetëdijshëm se propozimi për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar, që është PDK-ja. Kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës, me Rregulloren e Punës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Grabovci. Sipas tij, mosrespektimi i këtij vendimi është mohim i këtij institucioni dhe rrjedhimisht mohim i shtetit.

Nëse shkojmë në zgjedhje, PDK-ja do të korrë fitore të thellë

Duke folur për marrëveshjen e LAN-it me VV-në, Grabovci ka deklaruar se partisë më të madhe në vend kjo nuk i bën ndonjë përshtypje, duke shtuar se PDK-ja është e hapur për dialog me të gjitha subjektet politike. “Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike. Për ne afla dhe omega është dialogu. Aty ku nuk ka dialog nuk mund të bëhet fjalë për demokraci të mirëfilltë dhe të shëndetshme. Ne urojmë që gjithë spektri politik ta hapë rrugën e dialogut”, është shprehur Grabovci.

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, ka bërë me dije se subjekti i tyre politik nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, por është e gatshme edhe për këtë variant. “PDK-ja nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhe të reja, sepse tashmë qytetari i Kosovës është lodhur duke mbajtur zgjedhje pas zgjedhjesh. Është hera pestë që qytetari i Kosovës po e rikonfirmon mbështetjen që ka për PDK-në, për punën e mirë që ka bërë deri më tash në qeverisje. Jam i sigurt se edhe nëse shkohet në zgjedhje blloku bllokues do ta marrë atë që meriton – goditjen me votë të qytetarëve të Kosovës. Pra, nëse shkojmë në zgjedhje, jam shumë i sigurt se PDK-ja do të korrë një fitore të thellë dhe bindëse”, ka deklaruar Grabovci.

Më Shumë

Suhareka dhe Ferizaj drejt Superligës së Kosovës pas fitoreve

Liga e Parë në të dyja grupet, A dhe B, po vazhdon, ku nuk po mungojnë problemet, ndërsa skuadrat që synojnë elitën kanë vazhduar...

Pamje nga aksidenti në Suharekë, dy personat e ndjerë shihen të mbuluar në rrugë (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë që u regjistrua pasditen e kësaj të diele (sot), në Shirokë të Suharekës, ku humbën jetën 2...

Lajmet e Fundit