Guvernatori i shtetit nigerian Imo, Rochas Okorocha, është akuzuar se ka bashkëpunuar me Kosovën, Turqinë, Kroacinë e disa vende tjera për trafikim të organeve të njerëzve.
Një mjek praktikant i dëmtuar ka pretenduar se udhëtimet e fundit të Guvernatorit Okorocha në Kosovë, Turqi, Kroaci dhe në shtete tjera të Amerikës Latine dhe në Azi, por edhe ndërtimi i 27 spitaleve të reja në vend, janë prova për faktin se guvernatori është pjesë e biznesit të trafikimit të organeve në Nigeri, raportojnë mediat atje, transmeton Koha.net.
Mediat atje raportojnë se këto deklarime janë mbështetur në pretendimet se ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është në krye të trafikimit të organeve në Evropë dhe është mik me Okorochan.
Thuhet gjithashtu se bashkëpunëtorët e huaj të qeverive nga Turqia, Kosova, Kroacia dhe vendet tjera kanë qenë në shtetin Imo për të përsosur krijimin e rrjetit.
Këto pretendime kanë ardhur pas raportimeve se guvernatori i shtetit ka refuzuar t’i kthejë në punë 3000 punëtorët që thuhet t’i ketë larguar nga puna.
Kongresi Laburist i Nigerisë (NLC), ka thënë se i tërë shteti i Imos do të mbyllet nëse kalon afati i ultimatumit 14 ditësh nga Qeveria Qendrore për të rikthyer në punë dhe t’ju paguajë pagat e mbetura dhe benefitet tjera punëtorëve të larguar nga puna.
Kujtojmë se në muajin mars të vitit 2012, guvernatori i shtetit Imo të Republikës Federale të Nigerisë, Owelle Anayo Rochas Okorocha kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku ishte pritur në Qeverinë e Kosovës nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së atëhershme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrja e atëhershme Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i atëhershëm, Ibrahim Gashi, raporton Koha.net.
Me këtë rast, Okorocha, kishte shprehur interesimin e shtetit të tij dhe Republikës Federale të Nigerisë, për fillimin sa më të shpejtë të bashkëpunimeve të ndryshme politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.
“Nigeria është shteti më i fuqishëm në Afrikë dhe Kosova nuk mund të ketë miq më të mirë se sa Nigeria në këtë kontinent. Fakti që unë jam këtu, nënkupton interesimin e shtetit tim për të zhvilluar miqësinë ndërmjet dy shteteve tona”, kishte thënë Okorocha.
Pas takimit në Qeveri, delegacioni nga Nigeria i shoqëruar nga Pacollika kishte vizituar kompleksin e Jasharajve në Prekaz.
Delegacioni është pritur nga Murat Jashari i cili i kishte njoftuar nga afër me historinë më të re të Kosovës, me luftën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Me këtë rast, mysafirëve nga Nigeria, Murat Jashari u kishte dhuruar edhe historinë luftës heroike të Jasharajve në gjuhën angleze.
Veç kësaj, delegacioni nigerian patën zhvilluar takime me komunitetin e biznesit, Odën Ekonomike të Kosovës dhe Aleancën Kosovare të biznesit.
Ndërkaq, ditë më parë, mediumi amerikan “The Daily Beast” riktheu në skenë çështjen e trafikimit të organeve dhe akuzave që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
Gjatë qëndrimit të Thaçit në Iowa, ekipi i fushatës së republikanit Ben Carson që po synon të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është takuar me të.
Sipas “The Daily Beast”, në takimin mes Thaçit dhe gjeneral Bob Dees, pjesë e ekipit të Carsonit, është diskutuar për “marrëdhëniet speciale mes Republikës së Kosovës dhe Iowas”. Në Iowa, Thaçi, si kryediplomat i Kosovës, gjatë qëndrimit të tij ka qenë pjesë e hapjes së konsullatës së Kosovës në Des Moines, transmeton Koha.net.
Gjeneral Dees ka shërbyer në Kosovë me forcat e NATO-s dhe është ndjerë i nderuar që po takohet me ish-kryeministrin Thaçi.
“Pres që të ketë bashkëpunim më të madh mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve. Për themelin e kësaj marrëdhënie, shteti i Iowas është i përkryer”, ka thënë Dees në komunikatën e tij. Për këtë takim sipas “The Daily Beast”, ka folur edhe vet kandidati Ben Carson.
“Historia e Kosovës është testament për ripërtëritjen së popullit të saj”, ka thënë Carson, duke shtuar se konsullata është një gjë që amerikanët duhet të jenë krenarë për vendosjen e këtyre marrëdhënieve mes Iowas dhe Kosovës.
Mediumi amerikan më pas shkruan se “në komunikatën e ekipit të Ben Carsonit, është neglizhuar përmendja e Thaçit, si kreu i një grupi shqiptar që ka kontrabanduar drogë, armë dhe organe të njerëzve nëpër Evropën Lindore, sipas një hetimi të vitit 2010 i kryer nga Dick Marty, i prezantuar në Këshillin e Evropës”.
“Edhe raporti i ‘The Guardian’, që e nxjerr Thaçin si kreu i një rrjeti kriminal në Kosovën e fundviteve të ’90-ta”, shton më tej gazeta.
Kur është pyetur për këto që mediumi amerikan i quan “aktivitete kriminale”, thuhet se drejtori i komunikimit i ekipit të Carsonit, Larry Ross, ka qenë konfuz.
“Ekipi i fushatës nuk ka qenë në dijeni se para pozicioneve të tij në qeveri, Thaçi ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Ross në fillim për “The Daily Beast”, por mediumi këmbëngulur duke e pyetur specifikisht nëse ekipi i kampanjës është në dijeni për akuzat ndaj tij për kontrabandën e organeve.
Atëherë Ross ka ndryshuar kursin e tij duke thënë me e-mail për “The Daily Beast” se “përgjigja ime është dashur të lexohet: Ekipi i fushatës ka qenë i vetëdijshëm se para se të ketë pozicione në Qeveri, Thaçi ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.