7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Haaland, lojtari që i mungon Bayernit

Kur sulmuesi Erling Haaland të dalë në fushë për Manchester Cityn të mërkurën mbrëma në Munih, norvegjezi do të përballet me klubin që u përpoq ta blejë, por dështoi.

Kapitullimi i Bayernit në ndeshjen e parë në Manchester javën e shkuar, do të thotë se bavarezët duhet të kapërcejnë një deficit prej 3:0 për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Jo vetëm që Bayerni duhet ta bëjë këtë kundër ekipit më në formë të Evropës, por duhet të gjejë disi golat që i kanë munguar vijës së sulmit në vitin 2023.

Në mes të pjesës së dytë në “Etihad Stadium”, Bayerni, që ishte në disavantazh 1:0 pas një goli të mrekullueshëm të Rodrit, po dominonte në fushë me posedimin e topit dhe kishte krijuar disa raste. Por nuk arriti në asnjë mënyrë të shënonte. Më pas në një periudhë prej gjashtë minutash, Haalandi efikas tregoi se çfarë i mungonte Bayernit në pjesën e përparme, duke asistuar për një gol dhe më pas duke shënuar një tjetër për ta vendosur Cityn në rrugën për në gjysmëfinale.

Derisa Haalandi ka të ngjarë të shuajë shpresat e Bayernit në Ligën e Kampionëve edhe në Munih, tek ekipi gjerman mund të pendohen edhe më shumë që nuk arritën ta transferonin Haalandin në fund të sezonit të shkuar. Drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq, nuk ishte i vetëm që dëshironte ta transferonte Haalandin. Takimi i tij i hapur me norvegjezin prishi punë, veçanërisht me sulmuesin Robert Lewandowski.

Në vitin 2021 u shfaq një video e Salihamixhiqit në cep të stadiumit pas duelit Bayern – Dortmund, duke folur me një ndihmëstrajner pasi Haalandi shënoi dy herë në shtatë minuta.

“Sa i mirë është Haaland? Ai është makinë e golave. Unë do të telefonoj agjentin e tij nesër”, ishin fjalët e Salihamixhiqit.

Në atë ndeshje Haaland i kishte dhënë Dortmundit një epërsi 2:0, por Bayerni luftoi dhe fitoi në fund me shifrat 4:2, falë “hat-trickut” të polakut Lewandowski. Bayerni ishte i gatshëm të prishte strukturën e pagave të ndërtuar me kujdes, për të nënshkruar me norvegjezin në verën e vitit 2022. Kampi i Lewandowskit tha se sulmuesi ndihej i mërzitur nga dështimi i klubit gjerman për t’i ofruar marrëveshje afatgjatë, me Bayernin në dukje i hutuar nga fokusi që e kishte te Haalandi. Lewandowski kishte shënuar më shumë se 40 gola për Bayernin në shtatë edicione radhazi, duke arritur shifrën e 344 golave në 375 paraqitje. Në fund syri lakmitar i Bayernit i kushtoi si me Haalandin ashtu edhe me Lewandowskin. Haaland më vonë tha se “ndiente keqardhje” për Lewandowskin, duke e quajtur trajtimin e Bayernit “mosrespektues”. Norvegjezi u largua krejtësisht nga Bundesliga. Pasi Lewandowski nënshkroi me Barcelonën, trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann u përpoq të shpërndante golat e ekipit te sulmuesit tjerë. Qasja pati efekt të menjëhershëm , kur golat u shtuan. Bayerni shënoi 26 gola në gjashtë ndeshjet e para zyrtare në edicionin 2022/23. Nagelsmanni ndërkohë iu kthye sulmuesit qendror, rezervistit Eric Maxim Choupo-Moting, i cili përsëri i dha Bayernit një pikë qendrore duke shënuar 17 gola në 28 ndeshje. Choupo-Moting, megjithatë, duket se do të humbë përballjen e së mërkurës mbrëma me Cityn shkaku i lëndimit, i cili e mbajti jashtë fushës edhe në duelin e parë.

Pavarësisht historisë së golave të shënuar kundër Bayernit – Haalandi ka gjashtë gola dhe dy asistime në tetë ndeshje kundër bavarezëve – triumfi 3:0 i javës së shkuar ishte fitorja e parë e sulmuesit norvegjez kundër kampionit të Gjermanisë. Ai i humbi shtatë ndeshjet që i pati kundër Bayernit me Borussia Dormundin. Që kur u transferua te City, Haalandi ka qenë fantastik duke thyer rekorde me 47 gola në 40 paraqitje.

Duke u futur në ndeshjen e së mërkurës norvegjezi ka arritur disi të përmirësojë formën e tij, me 14 gola të realizuar në gjashtë ndeshjet e fundit. Bayerni ka tetë gola në të njëjtën periudhë, ku katër prej tyre erdhën në derbin kundër Dortmundit. Transferimi i famshëm i Bayernit, Sadio Mane nuk ka shënuar që nga tetori dhe po kthehet nga pezullimi me një ndeshje për grushtimin e Leroy Sanet në fytyrë pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Cityt. Në vend të tij, Serge Gnabry ka të ngjarë të udhëheqë sulmin e Bayernit ndaj Cityt, me shpresën për ta rikthyer rezultatin. Gnabry tha në nëntor se nuk e konsideronte veten sulmues, “por është më mirë sesa të ulesh në stol”./koha.net

Më Shumë

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

Xhamia e Mlikës së Dragashit më e vjetër në Kosovë, besohet se u ndërtua nga një familje siriane

Xhamia e ndërtuar 735 vjet më parë në fshatin Mlikë të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës është xhamia më e vjetër në...

Lajmet e Fundit