Analisti politik, Haki Abazi thotë se miratimi i Gjykatës Speciale nga ana e Organizatës së Kombëve të Bashkuara nuk do të ishte si zgjidhje më e keqja. Miratimi i një gjykate të tillë nga ana e OKB-së, sipas tij, do të ishte edhe njohje de fakto e shtetit të Kosovës.
Sipas tij, Gjykata Speciale do të mund të miratohej edhe nga ana e Parlamentit të Kosovës, por “jo nëpërmjet një procesi të imponuar dhe të kalkuluar, ku ata që janë pajtuar për një gjë të tillë janë edhe negociuesit e lirisë së tyre”.
Në një intervistë dhënë për Gazetën Blic, Haki Abazi flet edhe për zhvillimet politike në vend, për ashpërsimin e gjuhës ndërmjet pozitës e opozitës, për qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës PDK- LDK.
Gazeta Blic: Z. Abazi, Gjykata Speciale është ndër temat më të nxehta gjatë këtyre javëve. Mendoni se Kuvendi i Kosovës do ta kaloj projektligjin për themelimin e kësaj gjykate?
Haki Abazi: Jo rrallë në periudhën e pasluftës, Parlamenti është injoruar apo ka qenë sa për sy e faqe. Shumë shpesh, Parlamenti i Kosovës është injoruar dhe në fakt ajo që rezulton është se në Kosovë nuk vepron sistemi demokratik parlamentar, por dora e fortë e grupeve dhe klaneve që funksionojnë mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet e Kosovës. Këtë grupe dhe këta njerëz kanë dëshmuar se janë ligji vetë dhe janë mbi ligjin sa herë që ju duhet dhe ju shkon për interesat e tyre.
Gazeta Blic: Nëse Kuvendi i Kosovës do të dështoj ta bëjë një gjë të tillë, për shkak të numrave, do të mund ta themeloj një gjykatë të tillë vetë OKB-ja?
Haki Abazi: Është e mundur që OKB të bëjë një gjë të tillë. Kjo në fund, nuk është më e keqe si zgjidhje. Fakti se kjo gjykatë do të ketë fuqinë vetëm për territorin e Kosovës dhe banorët e saj, në mënyrë indirekte e detyron OKB-në që ta njoh Kosovën si territor që kontrollohet nga një Kushtetutë dhe ka një organizim institucional, që janë edhe definicionet e Republikës dhe shtetit të pavarur. De fakto, së bashku me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kjo është njohje e shtetit.
Gazeta Blic: Cili është qëndrimi i juaj, duhet ta themeloj Kuvendi i Kosovës këtë gjykatë, apo më mirë këtë punë t’ia lëmë OKB-së?
Haki Abazi: Parlamenti i Kosovës duhet të miratoj themelimin e gjykatës, por jo nëpërmjet një procesi të imponuar dhe të kalkuluar, ku ata që janë pajtuar për një gjë të tillë janë edhe negociuesit e lirisë së tyre. Miratimi i themelimit në këtë mënyrë duke iu dhënë imunitet atyre që janë pjesë e këtij procesi është përsëritje e drejtësisë së shtrembëruar që është ndjekur nga UNMIK-u dhe EULEX-i, që në fakt nuk është drejtësi, por është ndjekje e atyre që janë më pak të mbrojtur dhe mosndjekje të atyre që mund të kenë fuqi politike apo të çfarëdo lloji tjetër. Në këtë lloj procesi, ku drejtësia nuk është drejtësi dhe në fakt më shumë është qërim hesapesh ndërmjet atyre që në të kaluarën kanë qenë bashkë, atëherë pse duhet bartur peshën e përgjegjësisë një institucion që është i dalë nga vota e qytetareve dhe që në fakt nuk ka ndonjë mandat ndaj të kaluarë,s as edhe duke i qenë i përfshirë në debat dhe në mekanizmat mbikëqyrës.
Gazeta Blic: Z. Abazi, pse mendoni se erdhëm deri tek një situatë e tillë, pra deri tek krijimi i kësaj Gjykate Speciale?
Haki Abazi: Gjykata Speciale dhe të gjitha dështimet që janë bërë si pjesë e negociatave në katër vitet e fundit, janë rezultat i një beteje të pakompromis të lidershipit të papërgatitur për ta negociuar pozitën e tyre, në disa raste edhe lirinë dhe imunitetin. Pranimi i Gjykatës Speciale ashtu siç është duke përfshirë edhe referimin në gjenocid nga ana e Z. Kuçi si ministër i Drejtësisë, është një dështim për të cilin do të duhej të kishte konsekuenca ligjore dhe morale.
Gazeta Blic: Së fundi, kemi parë një ashpërsim të gjuhës politike ndërmjet pozitës e opozitës, gjegjësisht ndërmjet AAK-së e PDK-së, sidomos pas arrestimit të anëtarit të AAK-së, Muhamet Kelmendi dhe mospjesëmarrjes së opozitës në seancën festive të Kuvendit. Pse mendoni se po vjen deri tek ky ashpërsim i gjuhës?
Haki Abazi: Polarizimi në politikën kosovare ka qenë jokonstruktiv dhe përjashtues gjatë gjithë kohës. Arsyet dhe qëllimi i këtij polarizimi kanë qenë gjithmonë në interes të një grupi të caktuar dhe jo në interes të politikave zhvillimore dhe opsioneve. Ju kujtohet koha kur kryeministri shpallte pro evropianët dhe antievropianët, ligji për amnistinë, dhe përbuzja e opozitës në të gjitha aspektet. Tani këto zhvillime kanë hyrë në fazën tjetër, të një gjuhe të ashpër për shkak se destabilizimi i mundshëm mund të sjell deri tek zgjedhjet e reja, të cilat kishin me qene akt i ruajtjes së fytyrës dhe gjithashtu tentim për të zgjeruar hapësirën manovruese për të shtyrë proceset reformuese dhe për të mbuluar dështimet e reformave në vend. Liberalizimi vizave, mosnjohja e Kosovës, mosanëtarësimi në nismat regjionale, ikja e të rinjve në mënyrë masive, elementet tjera të varfërisë dhe kapja e shtetit nga interesat e ngushta, dështimi në reformat e administratës publike, në arsim dhe shëndetësi, janë vështirë për t’u mbuluar. Dështimi i radhës për ta zgjedhur Z. Thaçi president, për ta krijuar hapësirën për Z. Veseli për të marrë drejtimin e PDK-së, është edhe një goditje tjetër që mund t’i jepet strukturës e cila po e mban peng vendin.
Ky radikalizëm është tentim për të krijuar hapësirën e domosdoshme për të fshehur dështimet dhe për të vazhduar me avazin e vjetër.
Gazeta Blic: Si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, dhe a besoni se mund të kemi zgjedhje të parakohshme kah fundi i këtij viti apo fillimi i vitit tjetër, ashtu siç edhe pati raportime nga medie të ndryshme?
Haki Abazi: Ashtu siç kam thënë edhe më herët, ky koalicion e ka të pamundur që të funksionoj për disa arsye. PDK është para ndarjes dhe Gjykata Speciale përfundimisht e bënë këtë gjë, pamundësia për të arritur votat e mjaftueshme për të zgjedhur Z. Thaçi president, e bënë atë dhe Z. Veseli të pafuqishëm dhe pa imunitet dhe në fund fare, LDK është para përplasjes me veten, sepse të gjitha manovrimet artificiale që janë bërë nga vendimi për të bërë koalicion me PDK-në, dërgojnë në drejtimin e një mosmarrëveshjeje pragmatike brenda LDK-së, lidhur me vlerat dhe parimet që ka si parti, sado që ato jo gjithmonë janë publikisht të diskutuara. Mund të ketë zgjedhje dhe mund gjithashtu të krijohet një status quo e re, e cila lë hapësirë vetëm për makinacione e marrëveshje jashtë institucionale.