13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Hapi i humbur në procesin e liberalizimit të vizave

Europa-me drite jeshileSipas politikanëve dhe njohëse të integrimeve evropiane, është i arsyeshëm skepticizmi në mesin e qytetarëve të Kosovës se as në vitin 2014 ata nuk do të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE). Ata kanë theksuar për Telegrafin se mungesa e vullnetit politik ka ndikuar që këtij procesi të mos i dihet fundi.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, theksoi se ka shumë arsye se pse qytetarët janë skeptikë. Sipas saj, për dështimin e Qeverisë së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, nuk dihet deri kur qytetarët e Kosovës do të mbesin të “getoizuar” në mesin e Evropës.

“Është dëshmuar se pa vullnet politik nuk të plotësohen as parakushtet teknike që kërkohen për liberalizimin e vizave”, tha Osmani për Telegrafin.

Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, theksoi se gabimi kryesor që kanë bërë institucionet e Kosovës rreth liberalizimit të vizave, ka qenë vendosja e afateve artificiale se kur do të përfundojë ky proces.

Sipas tij, kjo ka ndikuar në shpërqendrimin ndaj fokusit për zbatimin e kushteve dhe reformave që janë përcaktuar nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Premtimet e Qeverisë kanë ndikuar që të rriten pritjet e qytetarëve që liberalizimi të ndodh shpejt, ndërsa mosrealizimi i këtyre premtimeve dhe shtyrja e vazhdueshme e afateve ka krijuar pakënaqësi të mëdha tek kosovarët”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Muharremi sqaron se Kosova ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave me BE-në para 23 muajsh. Sipas tij, nuk është bërë mjaft në këtë drejtim.

“Moldavia p.sh. i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE-ja dhe në ditët në vijim qytetarët e këtij shteti do të lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE-së. Viti 2014 asnjëherë nuk ka qenë vit i garantuar që Kosova do të hyjë në listë të bardhë. Nëse gjërat ecin si duhet, semestri i parë evropian i vitit 2015 mund të jetë koha kur do të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Por, kjo nuk do të thotë që BE-ja nuk mundet të vendosë që kosovarët të lëvizin lirshëm në fund të vitit 2014”, ka shtuar ai.

Integrimi i qëndrueshëm i personave të riatdhesuar, lëshimi i dokumenteve të gjendjes civile me kod të sigurisë, lidhja elektronike e databazës së Agjencisë së Regjistrimit Civil me databazën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe trajnimi i Policisë Kufitare, janë disa nga rekomandimet e Misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për institucionet e vendit, për përmbushjen e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Më Shumë

Peja apo Ylli – Sot mësohet finalisti i dytë i play-offit

Sot do të mësohet finalisti i dytë i play-offit, në Superligën e Basketbollit kosovar. Kampioni në fuqi, Peja është nikoqire e Golden Eagle Yllit. Fituesi...

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Lajmet e Fundit