6.9 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Hapja e dosjeve parandalon vetëgjyqësinë

Dështimi i institucioneve të Kosovës, respektivisht mungesa e vullnetit politik për të bërë shkëputje të plotë politike e ligjore nga hipoteka e së kaluarës komuniste dhe lidhjeve të individëve të caktuar me strukturat e ish-regjimit kriminal, po bën që tani në mënyrë të kundërligjshme të tentohet të bëhet edhe vetë gjyqësia, siç është rasti i komunikatës për shtyp të organizatës së ashtuquajtur ‘SYRI I POPULLIT’. Sipas kësaj komunikate, autorët që qëndrojnë prapa saj pretendojnë se do ta marrin drejtësinë në duart e veta, pasi që, siç thonë ata, lidershipi shqiptar është i lidhur ngushtë me shërbimet antishqiptare të shteteve evropiane.

“Duke e ditur se lidershipi shqiptar është i zhytur deri në fyt me korrupsion dhe me krim të organizuar, edhe Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre, që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar, se do të merret me të gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, është thënë në këtë komunikatë. Sado që një veprim i tillë gjykohet dhe konsiderohet i padrejtë, përfaqësues të politikës aktuale dhe analistë të kësaj fushe, një pjesë të madhe ta fajit për mosndërmarrjen e asnjë veprimi, për hezitimin e hapjes së dosjeve edhe 9 vjet pas pavarësisë së shtetit, ia adresojnë Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha qeverisjeve të deritanishme. Hezitimi për ta bërë Ligjin e lustracionit dhe hapjen e dosjeve po bën që në opinion të krijohet mjegull se kush realisht ka kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë dhe që me ligj të gjithë atyre që kanë kontribuar apo kanë qenë pjesë e këtij rrjeti dhe jo vetëm, te mos u lejohet që të janë pjesë e institucioneve në asnjë mënyrë. Një veprim të tillë tani e kanë bërë pothuajse të gjitha vendet, që kanë dalë nga ish-sistemi komunist.

Mafia e ka në dorë shtetin Deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha se marrja e drejtësisë në duart e individëve apo çfarëdo organizate është shenjë e keqe për një shtet dhe nuk do të duhej të ndodhte në asnjë mënyrë, por duhet pritur që drejtësia ta bëjë punën e vet, sikur ka bërë në të gjitha vendet që kanë kaluar nëpër një tranzicion të tillë. “Ne duhet të luftojmë që të funksionojë rendi dhe ligji, të funksionojë shteti. Për fatin tonë të keq, mafia e ka marrë në dorë shtetin dhe shteti nuk punon për qytetarët, po për mafinë. Kosova vlon nga lloj-lloj spiunazhesh dhe rrjetesh të ndryshme,veçanërisht nga spiunë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë, të cilët kane dosje kriminale dhe janë të shantazhuar. Ata shesin interesat tona kombëtare, sepse nuk e kanë mbi të gjitha kombin dhe shtetin, po zhvatjen dhe vjedhjen e shtetit”, tha Adem Salihaj.

Ai thotë se një nga shtyllat e forcimit të shtetit ligjor duhet të jetë edhe hapja pa vonesë e dosjeve. Edhe deputeti Shukri Buja, nga radhët e PDK-së, konsideron se është koha e fundit kur ekzekutivi duhet të përshpejtojë procesin e bërjes së një ligji të tillë, sepse shkëputja nga ajo hipotekë që po e mundon skenën politike dhe opinionin, duhet të realizohet sipas modelit që kanë bërë edhe vendet e tjera. “Është nisur një iniciativë për Ligjin e lustrimit të funksionarëve, por ende nuk është në agjendën e Kuvendit. Mosveprimi institucional është me pasoja, siç është edhe rasti i fundit i vetëgjyqësisë. Kjo neglizhencë bëhet sepse në institucione të larta shtetërore janë njerëz me të kaluar të dyshimtë kombëtare, të implikuar në struktura të shërbimeve serbe e ish-jugosllave, të cilët janë shumë të fuqishëm sot”, tha Buja për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit