18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Hasjanët votuan për ndryshime, tani presin themelimin e komunës

rugova e hasitNjihet si regjion me njerëz të urtë e punëtorë të palodhshëm, por gjithashtu edhe si kontributdhënës në të gjitha periudhat historike, me theks të veçantë gjatë luftës së viteve 1998 – 99. Por, as njëra e as tjetra nuk kanë ndikuar që pushtetet që kanë ardhur njëri pas tjetrit, në veçanti pushtetet lokale, të përkujdesen në mënyrë të veçantë për të.

Fshatrat e regjionit të Hasit të Gjakovës, sot janë fshatrat më të harruar në Kosovë. Fshatra ku dora e shtetit është vërejtur shumë pak, për të mos thënë aspak. Këtë e konfirmojnë në Rogovë, Damjan, Gërqinë, Ujz e Pnish, të gjithë fshatra këta që secili ballafaqohet me probleme e mungesa të shumta.

“Pak është bërë e shumë ka mbetur për t’u bërë në fshatin tonë. Jemi fshat i madh dhe përpos disa rrugëve, kemi nevojë për një shtëpi kulture, kemi nevojë për rregullim të varrezave të fshatit dhe atyre të dëshmorëve por gjithashtu kemi nevojë edhe për investime tjera brenda fshatit”, thotë për gazetën Kapllan Hoti nga fshati Rogovë.

Udhëtojmë disa kilometra për ujë të pijshëm

Kërkesa edhe më imediate kanë edhe në fshatrat tjerë. Përderisa Gërqina dhe një pjesë e Demjanit vuajnë për mungesë të ujit të pijshëm, Ujzi e Pnishi, thonë se kanë mangët rrugë, rrjet kanalizimi, ndriçim publik e të tjera. “Gjysma e fshatit nuk kemi ujë të pijshëm. Detyrohemi të udhëtojmë disa kilometra për t’u furnizuar me ujë dhe kjo është bërë përditshmëri e jona, por njëkohësisht edhe është bërë e padurueshme dhe e rëndë për t’u jetuar”, thotë Jahë Gjuraj nga fshati Gërqinë.

E Bajram Pnishi, nga fshati Pnish, thotë për gazetën se në këtë fshat, por edhe në fshatrat tjerë të afërt, vazhdojnë të jetojnë si në mesjetë. “Fshati ynë është pothuajse tërësisht i paasfaltuar, nuk kemi ambulancë, nuk kemi rrjet kanalizimi e nuk kemi ndriçim publik. Jetojmë për faqe të zezë”, ka thënë ai.

Hasjanët të cilët thonë se janë të zhgënjyer me qeverisjen e kaluar lokale në Gjakovë, por kanë shpresë dhe dëshirojnë që një përvojë e tillë të mos u ndodhë edhe me qeverisjen e re. “Katër vjet më parë, qeverisja e ish-kryetarit Lekaj pati marrë vota në Has, por fatkeqësisht ata nuk i mbajtën premtimet e dhëna. Në zgjedhjet e fundit Hasi ka votuar masivisht për ndryshimin, prandaj me të drejtë presim që kryetarja e re të na dalë në ndihmë dhe të mos na harrojë sikurse paraardhësi i saj”, ka thënë ndërkohë Agron Gashi, një i ri nga fshati Ujz.

Komuna ka plane…

E garanci se Hasi dhe hasjanët nuk do të harrohen nga qeverisja lokale ka dhënë zëdhënësi i Komunës së Gjakovës, Ali Tafarshiku. Ai ka thënë se komuna do të mundohet ta rrisë numrin e investimeve në këtë regjion, por jo për shkak të votave, por për shkak të kontributit që ky regjion e ka dhënë për vendin. “Në si komunë do të mundohemi të investojmë aty ku ka nevojë e aty ku nuk është investuar deri më tani, por pa pasur ndonjë përjashtim apo preferencë politike e elektorale. Gjithsesi se edhe për rajonin e Hasit kemi plane konkrete për investime”, ka thënë Tafarshiku,shkruan Zeri.

Deklarata e Tafarshikut është përforcuar edhe nga vetë kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila në një deklarim të mëhershëm ka njoftuar se e ka përzgjedhur fshatin Goden nga ky regjion si fshatin e parë që do të përfshihet në projektin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për Alpet Shqiptare. Sipas kryetares Kusari – Lila, kjo parasheh asfaltimin e rrugës Gjakovë – Goden, hapjen e një pike kufitare që e lidh Godenin me Shqipërinë gjegjësisht fshatin Dobrunë andej kufirit, por edhe shumë projekte e investime tjera, për këtë fshat deri më tani të harruar.

Ndryshe, regjioni i Hasit në qeverisjen e drejtuar nga Mimoza Kusari – Lila përfaqësohet nga nënkryetari i komunës, Ramadan Hoti, që vjen nga PDK-ja dhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, që vjen nga LDK-ja.

Më Shumë

Sot nis Sunny Hill Festival

Festivali i njohur tashmë në vendin tonë hapë dyert sonte në Bërnicë të poshtme në “Sunny Hill Park”. Emrat e artistëve tashmë janë bërë të...

Sulmoi gruan dhe djalin e tij të mitur, arrestohet një person në Suharekë

Një person është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij të mitur. Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e...

Lajmet e Fundit