Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka paralajmëruar padi ndaj zyrtarëve të PDK-së dhe AAK-së, për shpifje.
“Disa zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së kanë dezinformuar opinion publik duke shpifur kinse lopët qumështore janë me prejardhje nga Serbia, prandaj për shpifësit veçse i kemi filluar procedurat për padi në Gjykatë”, shkruan ai në “Facebook”.
“Origjina e kafshëve identifikohet nga shenjat identifikuese të kafshëve (vathët – matrikujt e vendosura në vesh) dhe dokumentacionet përcjellëse si pasaporta dhe certifikata shëndetësore veterinare, dhe jo nga targat e mjetit transportues”.
“Pra, 99 krerë që Komuna e Prizrenit i ka shpërndarë fermerëve, kanë prejardhje nga Sllovakia dhe këtë e vërteton edhe pasaporta e kafshës në foto”.
“Sa i përket transportit të kafshëve, ai bëhet nga operatori ekonomik sipas standardeve evropiane dhe dispozitave ligjore në fuqi, duke i plotësuar kushtet si ndriçimi, ajrosja, ushqimi dhe uji i pijes, ndërsa operatori është i obliguar që ta përdorë mjetin transportues konform këtyre dispozitave ligjore”.
“
Gjithashtu sipas Ligjit për Prokurimin Publik, Komuna duhet t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe nuk mund të përcaktojë kritere diskriminuese, në këtë rast të përcaktojë regjistrimin e mjetit transportues”.
“Të gjitha këto pretendime janë me qëllim që t’i vëjnë hije një procesi mjaft transparent dhe profesional në përzgjedhjen e fermerëve përfitues të komunës sonë”.
“Ndryshe nga sivjet kur patëm numër rekord të aplikuesve, në vitin 2016 kur ishte qeverisja e kaluar nuk ka pasur as thirrje publike dhe shpërndarja është bërë në baza partiake, ndërsa në vitin 2017 projekti nuk është realizuar fare”./PrizrenPress.com/