11.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Helmi vrasës i gjarprit me zile

Alban SelimiShkruan: Alban Selimi

Ministri kosovar i Shëndetësisë, Ferid Agani, me gjithë kufizimet që po thotë se i ka për të sqaruar në këtë situatë lëmshin e krijuar rreth (mos)përfshirjes së tij në krim të organizuar, nuk mund të na flasë për moralin politik.

Jo së paku derisa të sqarohen një herë e mirë gjithë ato mesazhe telefonike që ai i ka shkëmbyer me tashmë të arrestuarit, udhëheqës të institucioneve private shëndetësore, si maqedonasi Borce Petrovski dhe shtetasi turko-kosovar, Ali Hocaoglu.

Morali politik i Ferid Aganit ka rënë poshtë qysh kur ai bëri marrëveshje koalicioni me Hashim Thaçin, për të cilin tashmë është shkruar edhe një libër bukur sqarues se është pikërisht ai “Gjarpri” që godet pas shpine.

Moszbatimi i marrëveshjes për shaminë, që ishte një nga parakushtet e hyrjes në koalicion të Partisë së Drejtësisë që e udhëheq Agani me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit, ishte një nga thyerjet që njeriu me nofkën e gjarprit i bëri partisë së Aganit.

Ai, duke mbetur si kryetar partie, me më pak vota se deputeti Gëzim Kelmendi, me më pak vota se deputetja me shami Labinotë Demi, kishte “zbehur” pozicionin e tij brenda partisë.

Goditja e parë i erdhi nga deputeti Kelmendi, i cili deklaroi haptazi se nuk do ta votonte Hashim Thaçin në Kuvend, derisa ky i fundit kishte tradhtuar me marrëveshjen për shaminë.

II

Ndonëse “helmi i gjarprit” përdoret në shumë qytetërime si ilaç medicinal, veprimet që u ndërlidhën me marrjen në pyetje të ministrit të Shëndetësisë kosovare, treguan se ligjet e drejtësisë kosovare janë tipike gjarpërore. Në qeverisjen e Hashim Thaçit, kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit, kemi standarde të trefishta.

Agani u ftua në Prokurori dhe u trajtua bukur mirë, në raport me ish-ministrin e Transportit Fatmir Limaj, i cili ishte nxjerrë para kamerave duke u bastisur e duarlidhur.

Por, sistemi gjarpëror i drejtësisë kosovare nuk e ka ftuar asnjëherë për ta pyetur Bajram Rexhepin se cili ka qenë roli i tij në skandalin e njohur tashmë si “Pasaportat”?

Sistemi gjarpëror i drejtësisë kosovare nuk e ka ftuar asnjëherë për ta pyetur as ministrin Blerand Stavileci se sa ishte blerë një traktor gjatë kohës sa ai udhëheq Ministrinë e Bujqësisë dhe sa ishte vlera e tij në treg?!

Sistemi gjarpëror i drejtësisë kosovare nuk e ka trajtuar njësoj me Aganin as ish-ministrin e Shëndetësisë, Alush Gashin, ndonëse në kohën e tij si ministër kishin ndodhur veprimet më kriminale në historinë e shëndetësisë së pasluftës – transplantimet ilegale të organeve, ku kishte vepruar një rrjet kriminal ndërkombëtar.

Kjo histori ngjalli debatin për atë se çka kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë. A ishte i përfshirë ky rrjet edhe në veriun e Shqipërisë, duke ua nxjerrë veshkat robërve serbë, dhe të njëjtat duke ua shitur nevojtarëve. Bashkërenditja e fa(ntazisë)kteve i shkonte bukur mirë argumenteve të ngjarjeve të vitit 2008, për të cilat kemi tashmë një mori mantelbardhësh të dënuar.

III

Është procesi i radhës gjyqësor që ndërlidhet me veshkat ai që pa dyshim se do të trajtohet në Gjykatën Speciale për Krime të Luftës. Dëshmitarë të procesit “Medicus I”, s’do mend se mund të jenë të dyshuar e të akuzuar. Një lëvizje e “gjarprit” gjatë fushatës zgjedhore në Drenicë, kur nga bashkëpartiakët e tij kërkon që të zbresin nga bina, është refleksioni më i mirë se “gjarpri” di jo vetëm të kafshojë.

Helmi i tij vret më larg se ç’mund t’ju shkojë mendja. Nëse dikush që zbriti nga bina, do të jetë në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Speciale, kjo më nuk është herët të thuhet. Por, me rëndësi në këtë fazë janë institucionet dhe krijimi i tyre.

Hashim Thaçi po shihet se është në ngërç të thellë politik. Si “gjarpër”, kishte arritur që para zgjedhjeve të ndajë dy partnerë të vjetër të koalicionit: AKR-në dhe PD-në. Të përçarit sundohen më lehtë, sidomos kur të dobëtin e afron afër vetes. Dhe kjo, të kthen edhe te esenca.

Pse pikërisht Agani u mor në pyetje ditën kur në Kuvendin e Kosovës mbahej seanca nga partitë opozitare? Pse lajmi për marrjen në pyetje të Aganit la në heshtje lajmin për seancën që edhe ashtu ishte një monolog partish opozitare?

Agani mund të thirrej në Prokurori një ditë më herët. Pse jo edhe një ditë më vonë, derisa për të doli se nuk kishte një urdhër arresti, sikurse për nëntë mjekët tjerë.

IV

Gjarpri ka zile. E zilja bie për atë që ka vesh. “Gjarpri”, jo vetëm duke zbritur nga bina “helmoi” ish-shokët e tij, në shtëpinë e të cilëve kishte kaluar vite me gjithë familjen. Ai e dinte se në prapavijën e vënies së themeleve të spitalit “Medicine” një rol të rëndësishëm kishte ish-këshilltari i tij për shëndetësi, Shaip Muja. A do të binte zilja, për t’i dhënë një mesazh këtij të fundit?

“Gjarpri” i uritur për pushtet, nuk zgjedh vendin ku lëshon helmin. Kështu, ai do t’i japë edhe një mesazh Aganit që i ka krijuar destabilitet ndërpartiak përmes marrëveshjes për shaminë.

Megjithatë, Agani i njohur si lideri më i organizuar i një partie pro-islamiste, është caku më i mirë për goditje nga “gjarpri”, që në tryezën e tij këtë goditje e sheh si imput pozitiv në raport me ndërkombëtarët, e sidomos amerikanët.

Ky nuk është vetëm gjarpër. Por një gjarpër me zile. Helmi i tij, siç është vërtetuar shkencërisht, mund të fshehë sekretin për trajtimin e shtypjes së lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës apo atakut në tru. Por, kafshimi nga një gjarpër me zile, mundet, që brenda pak minutash të vrasë. E gjarpri, asnjëherë nuk e di se cilat janë pasojat e helmit që lëshon.

Më Shumë

Dy vajza të mitura raportohen të zhdukura në Prizren

Dy vajza të mitura nga Prizreni janë raportuar të zhdukura më 08.05.2024 në Policinë e Kosovës. Sipas raportimit në Policisë, të miturat janë larguar nga...

‘Karabashi’ u shënua pa asnjë incident në Prizren

Shën Gjergji u shënua dje  me gëzim në qytetin e Prizrenit, njohur ndryshe si 'Karabashi'. Kjo festë tradicionale shënon përfundimin e dimrit dhe fillimin e...

Lajmet e Fundit