3.9 C
Prizren
E enjte, 25 Dhjetor, 2025

Hemodializa në Prizren i është kthyer normalitetit pas rasteve me COVID-19

Puna në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Prizrenit po zhvillohet normalisht.

Madje, sipas drejtuesve të Spitalit, shërbimet e hemodializës po ofrohen edhe për pacientët nga veriu i Shqipërisë, raporton KOHA.

Në këtë repart, në javët e shkuara, si në mesin e punonjësve shëndetësorë ashtu edhe në mesin e pacientëve ka pasur të infektuar me koronavirus.

Drejtori i Spitalit në Prizren, Afrim Avdaj, ka bërë të ditur se nga 12 pacientët e këtij reparti që kanë qenë pozitivë me COVID-19, 5 prej tyre kanë rezultuar negativë.

“Gjendja dhe punët në Repartin e Hemodializës janë duke u zhvilluar normalisht. Aktualisht marrin shërbime të gjithë pacientët, të cilët e kanë marrë shërbimin e hemodializës edhe më herët. Është ndryshim i vetëm se tanimë nga 12 pacientë që kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe që kanë marrë shërbime të hemodializës tani 5 nga ta kanë rezultuar negativë”, ka thënë Avdaj.

Ai ka theksuar se brenda pak ditësh pritet të testohen edhe pacientët e mbetur.

“Në këtë javë për 2-3 ditë presim të testohen dhe pacientët e mbetur dhe nga fundjava presim t’i kemi të gjithë pacientët negativë në Repartin e Hemodializës. Aktualisht edhe pacientëve nga veriu i Shqipërisë, 14 nga ta, u është dhënë shërbimi i hemodializës në mënyrë të pandërprerë, ashtu siç ka qenë dhe para fillimit të pandemisë”, ka shtuar ai.

Avdaj pohon se punonjësit shëndetësorë i kanë dhënë shërbimet brenda rekomandimeve të IKSHP-së dhe puna ishte riorganizuar pas infektimit të dy infermierëve, por pret që së shpejti stafi të jetë i kompletuar.

Në anën tjetër, koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu, përmes telefonit ka deklaruar se prej momentit të identifikimit të pacientit zero në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Prizrenit, pjesa dërrmuese e atyre që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 në këtë komunë, si dhe komunat përreth kanë qenë kontakte apo kontakte të kontakteve të pacientëve e punonjësve shëndetësorë të këtij reparti.

Më Shumë

Sot mbahet edicioni VIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

Sot mbahet edicioni VIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë organizuar nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi në Rahovec. Sipas traditës së Festivalit gjithnjë ruhen...

Bashkimi fiton në derbin prizrenas ndaj Junior 06

Bashkimi triumfon ndaj Junior 06 në ndeshjen e xhiros së 12-të të Superligës së Femrave, me rezultat 85:60 (19:21, 21:7, 22:19, 23:13), raporton PrizrenPress. Bashkimi...

Lajmet e Fundit