Filmi i regjisorit kosovar Bekim Guri ka fituar çmimin kryesor në kategorinë fiction në festivalin “CineRail” në Francë. “Grand Prix CineRail” e ka fituar filmi gjerman “Zugperlen”.
Filmi “Heshtje” (Silence) i regjisorit dhe skenaristit Bekim Guri, ka fituar çmimin kryesor në kategorinë “Best short fiction” në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar hekurudhor të filmit “CineRail” në Paris, transmeton KultPlus. Çmimin kryesor të festivalit “Grand Prix CineRail” e ka fituar filmi gjerman “Zugperlen” i realizuar nga Gregor Eppinger.
Filmi i regjisorit kosovar ka ngadhënjyer në konkurencë ndërkombëtare në mesin e 50-të filmave të shteteve të ndryshme që janë shfaqur në kategorinë fiction.Lajmin e ka bërë të ditur për KultPlus vetë regjisori Guri i cili gjendet në Paris.
Regjisori 30 vjeçar nga Kosova ka thënë për KultPlus se ky është një çmim shumë i rëndësishëm për të pasi është realizuar edhe synimi i tij për të lobuar për Kosovën duke pasqyruar të vërtetën e hidhur që ka përjetuar populli shqiptar gjatë luftës në Kosovë.
“CineRail” është ngjarje unike ndërkombëtare dedikuar filmave që trajtojnë temat që kanë të bëjnë me hekurudhat , stacionet hekurudhore , udhëtarët dhe personelin hekurudhor. Ky festival është themeluar në vitin 1990, dhe ka për qëllim që publikut të gjerë dhe profesionistëve tua paraqesë produksionet më të fundit nga e gjithë bota.
“Heshtje” trajton temën e luftës së fundit në Kosovë. Ngjarja zhvillohet në vitin 1999 dhe trajton deportimin e civilëve nga forcat paramilitare serbe. Në këtë katrahurë, babai duhet të zgjedh në mes jetës a vdekjes për ta mbrojtur vajzën e tij nga tmerri.
Në këtë film luajnë aktorët: Bislim Muçaj, Fitore Broqi, Xhevdet Doda, Mevlud Osmanaj, Fisnik Syka, Vedat Haxhislami dhe Kushtrim Qerimi.
“Heshtje“ është film i metrazhit të shkurtër, nuk përmban dialog ndërsa është i xhiruar në teknikë filmike 35 mm. Ky projekt kinematografik më herët ka marr çmimin e publikut në festivalin ndërkombëtar të filmit në Tiranë ndërsa pritet të prezantohet edhe në festivalin e filmit të shkurtër që mbahet për herë të shtatë më 15-16 nëntor në Bazel të Zvicrës dhe që organizohet nga komuniteti shqiptar.