1451 – Në Ederne, Sulltan Mehmeti II trashëgon fronin e Perandorisë Osmane; ati i tij, Sulltan Murati, kishte vdekur, disa thonë, nga lodhja, stresi, marrazi pas humbjeve ndaj Dominus Albaniae, Zot i Shqipërisë, një ish-gjeneral osman, të cilit vetë Murati i kishte dhënë titullin Skenderbeg. Hapi i parë i Mehmetit, tani në krye të perandorisë, ishte përgatitja e fushatës kundër Skenderbeut; pranvera e përshtatshme për luftë, po afrohej; lufta do të zgjaste edhe 17 vjet (deri në vdekjen e Skënderbeut më 1468), për inerci 10 vjet të tjera, derisa qendresa shqiptare të thyhej.
1637 – Provincat e Bashkuara (sot Holanda) çlirohen nga Tulip-mania ndërsa shitësit e tulipanëve humbasin kontratat për blerjen e tyre. Në kulmin e tulip-manisë, një lule tulipan ishte shitur me një çmim 10 herë mbi të ardhurat vjetore të një personi me punë të kualifikuar. Kjo është konsideruar përgjithësisht si flluska e parë e regjistruar spekulative (ose flluska ekonomike). Termi “mania tulipan” tani përdoret shpesh si metaforë për t’iu referuar çdo flluske ekonomike (kur çmimi nuk përputhet me vlerën e mallit). Futja e tulipanit në Evropë i atribuohet ambasadorit të Perandorisë Romake në Stamboll, i cili dërgoi disa fara tulipanësh në Vjenë në vitin 1554. Nga Vjena farat u përhapën në Amsterdam, ku kultivuesit vunë re se kjo lule ishte në gjendje të duronte klimën e ashpër të vendeve të ulta, dhe menjëherë pas kësaj tulipani u bë mjaft popullor. Shqipëria u pushtua nga një mani e ngjashme në vitet 1970-80, TV-Mania, kur një aparat televizori shitej me çmim sa paga vjetore e një punëtori.
1690 – Kolonia Masaçusets emeton paratë e para letër në Amerikë .
1783 – Spanja njeh pavarësinë e Shteteve të Bashkuara.
1815 – Në Zvicër themelohet fabrika e parë për prodhimin e djathit për qëllim komercial.
1830 – Protokolli i Londrës konfirmon sovranitetin e Greqisë
1870 – Ratifikohet Amendimi i 15-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke garantuar të drejtën e votës për qytetarët pavarësisht nga raca. Në të njëjtën date por më 1913, ratifikohet amendamenti i 16-të i Kushtetutës, që autorizon qeverinë federale për të vendosur dhe mbledhur një taksë mbi të ardhurat.
1917 – Lufta e Parë Botërore:Shtetet e Bashkuara ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë një ditë pasi kjo e fundit njoftoi një politikë të re për luftë të pakufizuar me nëndetëse.
1924 – Vdiq Woodrow Wilson, ish-president i SHBA-së 1913 – 1921. Për Wilsonin është folur; shqiptarët e kanë cilësuar atë si mikun e tyre më të madh, ndërsa amerikanët si një nga presidentët më të mirë. Thonë se Wilsoni ishte edukator prandaj u bë edhe politikan. Kjo duket nga rruga që ndoqi për në Shtëpinë e Bardhë. Emrin e kishte Thomas Woodrow Wilson, lindi më 28 dhjetor 1856 në qytetin e vogël jugor të Staunton, Virginia, në fëmijëri e rini e thërrisnin Tommy. I ati ishte prift presbiterian, puna ia kërkonte të lëvizte kudo nëpër Amerikë, veçanërisht në jug. Kujtimet më të hershme të Wilsonit (9 vjeç) ishin ato të Luftës Civile; ai pa ushtarët e Bashkimit duke marshuar në qytetin Augusta, Xhorxhia; nënën e tij duke ndihmuar të ushtarët e plagosur në spital; komandantin e përgjithshëm të forcave të jugut Robert E. Lee kur kaloi nëpër qytet nën rojet e Bashkimit pas dorëzimit në Appomattox. Tommy gjithashtu pa varfërinë dhe shkatërrimin e jugut gjatë viteve të para të Rindërtimit. Edhe pse i shqetësuar nga shikimi i dobët dhe dysleksia që vonon të mësuarit për të lexuar, Wilson ishte një djalë normal dhe nuk u humbi aspak kohë. Në vitin 1873, Tommy 17 vjeç regjistrohet në Kolegjin Davidson në Charlotte, Karolina e veriut. Pastaj hyri në fakultetin juridik të Universitetit të Virxhinias, avokatura nuk i pëlqeu, e la, shkon në Universitetin Johns Hopkins, Baltimore dhe merr Ph.D. në shkencat historike e politike. Në moshën 28 vjeç, Wilson martohet me Ellen Louise Akson, 25 vjeç. Deri në vdekjen e saj në gusht 1914, ajo do të ushtrojë një ndikim të fortë, duke e inkurajuar për të punuar për mirëqenien e të varfërve dhe për reforma politike dhe ekonomike. Wilson dëshironte të bëhej politikan, kishte ëndërruar të bëhet senator për të arritur presidencën. Më 1888 pranoi pozitën si professor i jurisprudencës dhe ekonomisë politike në Princeton, ku dha leksione për dymbëdhjetë vitet e ardhshme. Gjatë kësaj kohe, Thomas Wilson botoi nëntë libra, duke përfshirë një biografi të George Washington dhe një histori pesë vëllimesh të Shteteve të Bashkuara. Kur u emërua president i Universitetit Princeton bordi drejtues priste thjesht disa reforma. Por presidenti i parë jo klerik i kësaj shkolle, e transformoi institucionin e vjetër në universitet modern. Wilson bëri emër. Në vitet e fundit në Princeton, ai u kontaktua nga Partia Demokrate në lidhje me kandidim për guvernator të Nju Xhersit në vitin 1910; Wilson ra dakord, thonë se ai nuk kishte nevojë për fushatë, të gjithë e njihnin, dhe fitoi. 2 vjet më vonë atë e priste Shtëpia e Bardhë.
1971 – Oficeri i policies së Nju Jorkut, Frank Serpico, plagoset rëndë gjatë një operacioni kundër drogës në Brooklyn; ai mbijetoi për të dëshmuar më vonë kundër korrupsionit në polici. Shumë besojnë se incidenti tregon se oficerë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) u përpoqën të vrisnin kolegun e tyre, pasi ai kishte refuzuar ofertën për marrje ryshfeti. Filmi “Serpico” (1973), me aktorin Al Pacino në rolin kryesor, sjell variantin e kësaj ngjarjeje.
1998 – Tragjedi në teleferik: një pilot ushtarak i Shteteve të Bashkuara shkakton vdekjen e 20 njerëzve, kur avioni i tij fluturon ulët duke këputur kabllin e një teleferiku pranë qytetit Trento, Itali./VOA/