10.7 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Historia e lindjes së kinemasë

Lindja e kinemasë botërore më 28 dhjetor 1895, do të shënonte një etapë të rëndësishme për civilizimin. Kanë kaluar më shumë se 110 vjet nga dita e lindjes së kinemasë botërore, kësaj shpikje të madhe që u quajt edhe më e bujshmja dhe më sensacionalja e shekullit të 19-të.

Ajo lindi thjesht si një shpikje teknike, por gradualisht do të shndërrohesh në një vepër të rëndësishme arti që do të ndikonte fuqishëm në kulturën dhe artin botëror dhe në emancipimin e përgjithshëm me forcën e saj të fuqishme komunikuese në shikuesit e të gjithë botës.

U deshën përpjekje të mëdha, nga teknikë dhe artiste, në shumë vende të botës për ta shndërruar nga një shpikje teknike në një vepër arti që do ti fliste spektatorit botëror me gjuhën e saj të veçantë, specifike jo si një art sintezë, ku bashkëveprojnë të gjitha degët e artit, por si një art më vete që do të quhesh më vonë “arti i shtatë”.

Ajo ishte rezultat i shumë shpikjeve të mëdha të njerëzimit në vende të ndryshme të botës në shekuj, i zhvillimit të revolucionit teknikoindustrial dhe i arteve polisintetike përgjithësisht.

Franca, që u quajt edhe vendi i lindjes do të ishte e para në përpjekjet e saj për shndërrimin e filmit në art që në fillimin e shekullit me shoqërinë Film d’Art (të krijuar nga elita e Komedisë franceze më1907), do të pasohesh nga Italia me superprodhimit e saj të viteve 1912-1914, “Quo Vadis” dhe “Cabiria” dhe do të vazhdonte më tej me novacionet teknike dhe artistike të kineastëve të tjerë evropianë dhe amerikanë.

David Grifith do ti kushtonte vëmendje të veçantë shfrytëzimit në mënyrë krijuese të mundësive që jepte aparati çudibërës kinematografik dhe do të zbulonte gjuhën e veçantë të filmit të cilën në vitet 20-të do ta ngrinte në një studim shkencor regjisori i madh rus Sergel Ejsenstein.

Grifith, me veprat e tij madhore “Lindja e një kombi” dhe“Intoleranca” do ti jepte fytyrën realiste duke trajtuar edhe konfliktet shoqërore për here të parë në film, ndërsa nxanësi dhe kolegu i tij, regjisori dhe aktori i madh austriako-amerikan Erich von Stroheim do ta shpinte atë drejt realizmit kritik me veprat e tij “Çelësi djallëzor”,“Burra të verbër”, “Marrëzitë e grave” dhe veçanërisht me kryeveprën “Greed”(Pangopshmërija), një ndërthurje midis realizmit kritik dhe natyralizmit ekstrem.

Hapat vigane të kinematografisë franceze, daneze dhe italiane deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore do të ndërpriteshin nga kjo e fundit dhe do të dilte në krye kinemaja amerikane e cila filloi të dominonte tregun botëror të kinemasë, vend që vazhdon ta mbajë edhe sot. Mbarimi i Luftës Botërore krijoi një hartë të re.

Franca, Danimarka dhe Italia do ta kumbisnin tregun e mëparshëm që dominonte tregun botëror me perandoritë e filmit francez “Pathe” dhe “Gaumont” ose me kompanitë italiane dhe daneze “Itala”, “Ambrosio” dhe Nordisk” dhe në vendin e tyre do të dilnin shoqëritë e mëdha kinematografike të Hollivudit, Gjermanisë dhe gradualisht edhe të Rusisë Sovjetike dhe të Japonisë.

Kjo e fundit arriti të zërë vendin e parë në botë në sasinë e filmave ndonëse filmat e saj nuk dolën në tregun botëror por patën një konsum të brendshëm mbasi mbështeteshin në artet e tyre tradicionale të teatrit “Kabuki” etj.

Vitet 20-të, ose siç përdoret shpesh në gjuhën e kinemasë, stacioni i fundit i filmit pa zë- u dalluan nga shpërthime të gjithanshme novatore që përcaktuan përfundimisht gjuhën e filmit. Franca, ndonëse tashmë nuk kishte një ndikim të madh të tregut botëror, ajo mbeti një qendër e teorizimit dhe eksperimentimit për përsosjen e fytyrës artistike të filmit me veprat madhore të regjisorëve të shquar Rene Clair, Abel Gans, Jean Renoir dhe të danezit Karl Theodor Dreyer etj që u përfshinë në rrymat novatore të impresionizmit, surrealizmit, dadaizmit etj.

Pas Luftës, Gjermania u bë një nga fuqitë e mëdha të filmit botëror por kineastët e shquar gjermanë Georg Wilhelm Pabst, Frederich Wilhelm Murnau, Fritz Lang etj nuk reshtën përpjekjet për ti rritur vlerat artistike filmit duke realizuar një sëri veprash madhore që mbetën në fondin e artë të kinemasë botërore të përfshira kryesisht në rrymën tjetër novatore që u quajt “ekspresionizmi gjerman” por edhe në minirrymat si “filmi intim” ose në kinemanë “sociale” dhe “proletare” që ishin ndikim i situatës të krijuar pas Luftës Botërore.

Regjisorët e mëdhenj sovjetikë Sergej Ejsenstein, Lev Kuleshov, Vsevolod Pudovkin, Aleksandër Dovzhenko, Dziga Vertov e të tjerë krijuan shkollën e tyre të veçantë të montazhit që është edhe një nga elementët kryesorë që përcakton gjuhën e filmit që u njoh me emërin “efekti Kuleshov” mbasi ky i fundit ishte pedagog i parë i Shkollës të Kinematografike Kombëtare Sovjetike që u çel në Moskë më 1919.

Të tria këto rryma novatore, pra: “impresionizmi francez”, “ekspresionizmi gjerman” dhe “shkolla e montazhit sovjetik” përcaktuan përfundimisht fytyrën artistike të kinemasë dhe ndikuan fuqishëm dhe reciprokisht për ti dhënë filmit një karakter ndërkombëtar.

Këto rryma së bashku me kinemanë eksperimentale dhe alternative, jashtë industrisë, që e kishte origjinën e saj nga “Film d’Arte” franceze bënë që filmi të përsosë fytyrën e tij artistike duke u shndërruar jo më thjesht në një art polisintetik, por një art më vehte që do ti fliste spektatorit me gjuhën e tij të veçantë.

Gjinia kryesore që do të ndikonte dhe do të gllabëronte për një kohë vitet 20-të e 30-të ishte komedia dhe grotesku që do të përfaqësohesh nga aktorët dhe regjisorët e mëdhenj si Maks Linder, Mack Senett, Baster Keaton e më vonë dyshja Stan Laurel dhe Oliver Hardi por që do të personifikohesh në artistin e pare të madh të kinemasë dhe të gjitha kohrave Charli Spenser Chaplin, regjisor, aktor, skenarist, kompozitor dhe producent

Vitet tridhjetë u karakterizuan nga disa ngjarje të veçanta si lindja e zërit, kriza e madhe ekonomike botërore, krijimi i kinemave shtetërore të centralizuara në duart e shtetit si dhe marrja e fuqisë nga regjimet fashiste në Gjermani, Itali dhe Japoni dhe fillimi i Luftës së dytë Botërore.

Zëri ishte një shpikje e madhe, që i dha filmit një mjet të ri shprehës dhe shkaktoi një revolucion në kinematografi, përsosi fytyrën artistike të kinemasë i dha asaj forcën realiste duke e afruar më shumë me jetën por ai frenoi përkohësisht, për vështirësi teknike në prodhimin e aparaturave, ritmet e zhvillimit të kinemasë sidomos në Francë, Itali dhe Angli.

Edhe kriza ekonomike botërore ndikoi në uljen e ritmeve të zhvillimit në këto vende ndërsa kinemaja amerikane e kaloi relativisht shpejt këtë krizë. Kjo krizë ndikoi edhe në gjallërimin e një rryme të re, të “kinemasë sociale” që trajtonte problemet dhe vështirësitë ekonomike të shtresave që u goditën më shumë nga kjo krizë. Ndërsa zëri ndikoi kryesisht në lindjen e një gjinie të re, të filmit muzikor dhe ekranizimin e film-varietesë, film-paradat dhe opereta që ndikuan në krijimin e një atmosfere gëzimi dhe hareje, ndonëse prapa krahëve po përgatitesh kasaphana botërore.

Hijet e kësaj lufte ndikuan të xhirohen shumë filma fatalistë e horror që paralajmëronin rrezikun.
Rreziku i Luftës ndikoi në krijimin e Fronteve Popullore ku u bashkuan të gjitha forcat politike, të majta dhe të djathta, për të përballuar rrezikun eminent. Intelektualët duke përfshirë kineastë të shquar, u bashkuan me masat popullore, sidomos në Francë, duke u përfshirë në luftën e tyre për të drejta shoqërore dhe për të përballuar rrezikun fashist.

U krijua një atmosferë optimiste për të mposhtur forcat reaksionare e profashiste në Francë dhe u xhiruan disa filma me frymë popullore e antimilitariste duke shënuar lindjen e “Realizmit Poetik”i cili ndikoi në xhirimin e disa filmave duke përfshirë “Krimi i zotit Lange”, “La Marsejezë”, “Iluzioni i madh” me regji të J.Renoir, rrymë që do të vijonte në vitet e pas luftës me neorealizmin Italian.

Vendosja e kinemave shtetërore në Gjermani, Itali dhe Bashkimin Sovjetik bënë që industria kinematografike të centralizohesh dhe të komandohesh nga propaganda e regjimeve në fuqi të ideologjive revanshiste, nacionaliste e antisemite në Gjermani dhe Itali dhe në forcimin e ndikimit të realizmit socialist dhe glorifikimit të ndjenjave patriotike në kinematografinë sovjetike, vend që kërcënohesh më shumë nga revanshizmi gjerman.
Këto ishin disa nga karakteristikat kryesore që përcaktuan zhvillimin e kinemasë në fazën e parë nga lindja e saj më 1895-1945.

Ky libër nuk pretendon të jetë një histori e përgjithshme dhe analitike e kinemasë botërore por ka si qëllim kryesor hedhjen dritë mbi disa faza të rëndësishme të zhvillimit të saj në gjysmë shekullin e parë. (gazeta-Shqip.com)

Më Shumë

Vritet një person me armë zjarri në Has

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Pla të qytetit Hasit. Sipas policisë së shtetit, Y. J., 41 vjeç,...

Butrinti dhe Tayna “thyejnë rrjetin” me duetin e ri

Dy nga artistët më të pëlqyer të skenës shqiptare, Butrint Imeri dhe Tayna, kanë bashkuar forcat në një duet që me siguri do të...

Lajmet e Fundit