13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Historia e Xhamisë së Kalasë në Prizren

Me rastin e depërtimit të osmanëve në Ballkan, në vitin 1451 forcat osmane hynë edhe në Prizren, gjatë së cilës njësiti ushtarak osman është vendosur në Kala të Prizrenit dhe aty kanë qëndruar gjer në vitin 1912, me rastin e largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Krahas objekteve tjera që ndërtuan osmanët pas rindërtimit dhe zgjerimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami me dimensione të vogla brenda Kalasë për plotësimin e nevojave fetare të tyre, faljen e namazeve. Viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por me siguri dihet se xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV-të.

Jakub bej Evrenoszade pas vendosjes së ushtrisë osmane në Kala ishte dizdar (komandanti) i parë i formacionit ushtarak osman në Kala. Xhaminë e parë në Prizren, e ndërtoi Jakub bej Evrenoszade në anën e djathtë të Lumbardhit (Bistricës) në qendër të qytetit, nga e cila xhami tani ka mbet vetëm minarja e cila qëndron stoik dhe është një atraksion i veçantë i për vizitorët e qytetit të Prizrenit. Për Jakub beun gjer tani nuk është ditur shumë, veçse konsuli rus në Prizren Ivan Jastrebovi gjatë shek. XIX, si dhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu, poashtu gjatë shek. XIX-të, kanë cek se ishte pasardhës i Gazisë së njohur Evrenos beut. Burimet osmane të kohës nuk e cekin prejardhjen e tij, por e shënojnë vetëm funksionin e tij. Në defterin (regjistrin) Muhasebe nr.167, faqe 392 shkruan:” rikabdari Jakub beu ishte dizdar i Kalasë së Prizrenit”. Në dokumentin nr. 368, fq. 463 të Arkivit Osman në Stamboll pran kryeministrisë shkruan:” Vakfi i mesxhidit të merhumit Jakub beu, rikabdar i merhumit sulltan Fatih Mehmedit II-të .

Në bazë të kësaj mund të supozojë se krahas xhamisë së parë brenda qytetit të Prizrenit që e ka ndërtuar, gjatë kohës sa ishte komandant i njësitit osman Jakub bej Evrenoszade ka ndërtuar edhe xhaminë në Kala për nevojat interne të kryerjes së faljes së namazeve të ushtarëve osman në Kala. Në vitin 1689 pas depërtimit të ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Pikolominit, në qytetin e Prizrenit, edhe xhamia në Kala është rrënuar, krahas shumë objekteve tjera të rrënuara të trashëgimisë së atëhershme kulturore islame.

Një burim ekzistues i shkruar , nga i cili mund të kuptojmë se xhamia në Kala ka histori të gjatë të ekzistimit, është mbishkrimi i xhamisë në Kala, i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Mbishkrimi i ruajtur i xhamisë së Mahmut pashë Rrotllës në Kala është me dimensione 67,5×53,5 cm shkruar në pllakën prej mermerit, e cila është në gjendje relativisht të mirë, është shkruar nga poeti i kohës Nuri efendiu. Në këtë mbishkrim të xhamisë së Kalasë përveç tjerash shkruan:” Kjo xhami në të vërtetë është ngritur pas çlirimit të Prizrenit, ndërtesa gjatë kohës është rrënuar, dhe kishte qenë në gjendje të mjerë, valiu i vilajetit, Mahmut pasha xhaminë e ka rindërtuar në vitin 1244 hixhri/1828 gregorian”.

Rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit nga Mahmut pashë Rotlla e cek edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij ”Menakib” të shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, në të cilin cek se: “Mahmut Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë” .

Në vakëfnamen e tij Mahmut pashë Rotlla, i cili përveç xhamisë, mbi hyrjen kryesore të Kalasë ndërtoi edhe sahat kullën, në Kala, nga vakëfet e shumta që i ka lënë, cek edhe këtë të dhënë ” myezinit të xhamisë në Kala, hafizit të verbër 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë, orëtarit të orës së kalasë gjatë vitit 60 groshë” .

Kalaja shërbeu si fortifikatë ushtarake osmane gjer në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Kara Jashari që do të thotë Jashari i zi .
Pushteti serb më 1912 kishte filluar të rrënojë xhaminë e Kalasë, në të cilën imam dhe hatib për ditën e xhumasë ishte haxhi Rrystem efendiu.
Që nga viti 1912 dalëngadalë ka nis rrënimi i xhamisë i cili ka vazhduar gjatë periudhave të ndryshme kohore gjer tani, ashtu që në ditët e sotshme kanë mbetur vetëm themelet e xhamisë dhe minares, në të cilin shihen gjurmët e xhamisë së dikurshme ekzistuese në Kala të Prizrenit. Thashë e thëniet se xhamia në Kala ishte e ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse serbe janë hedhur poshtë , me rastin e valorizimit dhe prezantimit të Kalasë për zhvillimin e turizmit në Prizren, në vitin 1969 pas kryerjes së kërkimeve arkeologjike nën udhëheqjen e arkeologut prof. dr. Jovan Kovaçeviqit nga Universiteti i Beogradit, gjatë periudhës kohore në kohëzgjatje prej 3 korrikut gjer më 5 shtator 1969, me ç’rast morën pjesë 7 ekspertë dhe 7 studentë të arkeologjisë nga Beogradi, si dhe 10 ekspert vendor të Entit për urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve kulturore dhe të rariteteve natyrore të komunës së Prizrenit. Gjatë kërkimeve arkeologjike është vërtetuar se xhamia në Kala nuk është ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse serbe të shën Anastasijes siç pohohej, por themelet e xhamisë janë të vendosura drejt një masivi shkëmbor .

Këto thashetheme datojnë që nga koha e shek. XIX-të, sipas shkrimeve të konsullit rus Jastrebov, mbi të cilët është bazuar Petar Kostiqi, serbi më me influencë në Prizren gjatë kohës së Perandorisë Osmane, nga viti 1873 gjer në vitin 1912, i cili gjatë kohës së tij shërbeu si arsimtar e më vonë edhe si drejtor i Bogosllovisë, shkollës s ë mesme fetare ortodokse në Prizren .

Petar Kostiqi, në librin e tij shkruar për jetën kishtare të serbëve ortodoks të Prizrenit dhe rrethinës gjatë shek. XIX, glorifikoi numrin e kishave ortodokse serbe në Prizren dhe rrethinë në bazë të gojëdhënave dhe miteve, e jo në bazë të burimeve dhe fakteve ekzistuese, ashtu që cek se në:“Prizren ka pas kisha aq sa ka pas ditë viti”, ndërsa për fshatrat e Prizrenit thotë se: “nuk ka pas fshat i Prizrenit që nuk ka pas një kishë, bile në disa fshatra ka pas edhe prej 3-10 kisha” .

Ai cek në librin e tij se në Kala ka ekzistuar kisha e shën Atanasijes, mbi të cilët e ka rindërtuar xhaminë Emin pasha, në vitin hixhri 1226, gregorian 1805, e cila xhami në Kala gjatë okupimit serb të Prizrenit në vitin 1912 është rrënuar .

Këto të dhëna Petar Kostiqi i ka bazuar në bazë të dhënave të shkruara nga konsuli rus Ivan Jastrebov në librin ”Stara Srbija” i cili cek se xhaminë në Kala e ka rindërtuar Emin pasha në vitin 1805, në të cilin referohet edhe Muhamed Shukriu në librin e tij”Prizreni i lasht…”.
Por e vërteta është që xhaminë në Kala nuk e ka rindërtuar Emin pasha në vitin 1805, por vëllau i tij Mahmut pasha në vitin 1828 ashtu sikurse shkruan në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, dhe në bazë të kritereve të hulumtimit të trashëgimisë kulturore historike është dokument relevant për vërtetimin e një fakti ekzistues.

Për dallim prej Petar Kostiqit dhe Ivan Jastrebovit, studiuesja dhe historiania serbe Dr. Tatjan Katiqi nga Insitituti i historisë në Beograd në punimin e saj shkencor të përgatitur për botim me titull” Osmanizimi i qytetit mesjetar të Prizrenit, gjatë shek. XV dhe XVI-të”, në saje të studimit dhe hulumtimit të materialeve dhe dokumenteve të shumta ekzistuese arkivore, ajo askund nuk cek se ka ekzistuar kisha e shën Anastasijes në Kala të Prizrenit, në mesin e kishave ekzistuese ortodokse serbe dhe ato jo ekzistuse të rrënuara gjatë kohës në Prizren, dhe fare nuk përmendet kisha e shën Anastasijes . Faik MIFTARI

Më Shumë

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Vetaksidentohet një kamion, rruga Carralevë-Duhël e bllokuar

Një person është lënduar në një vetaksident të shkaktuar mëngjesin e sotëm në rrugën Carralevë-Duhël. Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi për media...

Lajmet e Fundit