25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Historia e themelimit të Dodonës

Tema-Teatri-DodonaaDrejtor i teatrit Dodona ishte emëruar Enver Petrovci në fillim të viteve të ’90-a. Sot, ai është i shqetësuar sepse sipas tij, po ndryshohet historia e themelimit të këtij teatri emblematik. Petrovci thotë se para se të përfundonin punimet, e ka ftuar të ndjerin Faruk Begollin, për t’i kërkuar që ta inskenoj shfaqjen “Profesor, jam talent se jo mahi”, e cila do ta përuronte ‘Skenën e mbrëmjes’. Por në kuadër të këtij procesi, Petrovci thotë se janë menduar shumë për emrin e teatrit. “Emri Dodona, ka qenë ide e Shyqri Nimanit me të cilin jemi pajtuar të gjithë”, deklaron Petrovci.

Teatri i Qytetit të Prishtinës, është themeluar më 12 nëntor të vitit 1986 nga komuna e Prishtinës. Ky institucion ka funksionuar në Pallatin e Rinisë, ish-‘Boro-Ramizi’ deri në fillim të viteve të ’90-a kur nis ndërtimi i objektit të teatrit ku qëndron edhe sot. Gjatë kësaj kohe, drejtor i teatrit ishte zgjedhur aktori e regjisori i mirënjohur Enver Petrovci. Ky i fundit është i shqetësuar se po ndryshohet historia e themelimit të këtij teatri emblematik. Petrovci deklaron se që kur është nisur ndërtimi i objektit ka qenë i përfshirë në proces. Teatri i Qytetit në fillimet e tij ka funksionuar vetëm si teatër i fëmijëve. Edhe kur i është vënë emri Dodona, ka nënkuptuar vetëm ‘Skenën e mbrëmjes’. Petrovci thotë se para se të përfundonin punimet, e ka ftuar të ndjerin Faruk Begollin, për t’i kërkuar që ta inskenoj shfaqjen “Profesor, jam talent se jo mahi”, e cila do ta përuronte ‘Skenën e mbrëmjes’. Por në kuadër të këtij procesi, Petrovci thotë se janë menduar shumë për emrin e teatrit.

“I kemi pas dy seanca në të cilat kanë qenë Rabije Bajrami, Melihate Qena, Shkëlzen Maliqi, Valdet Rama, Shyqri Nimani dhe unë si drejtor. Nuk jemi dakorduar herën e parë dhe në herën e dytë i kemi dhënë të gjithë idetë tona dhe na ka pëlqye emri Dodona të cilin e ka propozuar Nimani. Jemi dakorduar të gjithë”, është shprehur Petrovci. Meritat më të mëdha për ndërtimin dhe funksionimin e Dodonës, ai ia atribuon Rabije Bajramit, e cila ka qenë përgjegjëse për kulturë në komunën e asaj kohe të Prishtinës. Petrovci thotë se çdo version tjetër i historisë së themelimit të Dodonës nuk është i vërtet. Ai reagon ndaj një deklarate të aktores Arbresha Grabovci, e cila në njërin nga televizionet nacionale ka thënë se emrin Dodona ia ka vënë tjetër kush.

“Arbresha Grabovci thoshte se ajo së bashku me Melihate Qenën e Faruk Begollin, ia kanë vënë emrin Dodona. Por nuk ka qenë kështu dhe kushdo që ka diçka kundër, le të reagoj. Por çdo kush që më akuzon për gënjeshtër, do ta qes në gjyq”, pohon Petrovci.

“Pa Rabije Bajramin, Dodona nuk do të ishte bërë kurrë. Ajo ka qenë përgjegjëse për kulturë në komunën e Prishtinës atë kohë dhe ka financuar çdo kërkesë timen. Karriget e teatrit janë blerë në Sarajevë, ndërkaq ndriçimet në Slloveni. Unë vet kam shkua në Slloveni me i ble ato ndriçime. E këta ia fusin kot sepse kanë ardhë hazër. Të tjerët kanë ardhë me vonë”, shprehet Petrovci. Ai shton se ndërtimi i teatrit ka zgjatur rreth një vit dhe shton se për çdo ditë ka qenë i pranishëm. “Skenën e madhe e kanë ndërtuar punëtorët shqiptar dhe pata kërkuar që të gërmohet dheu për të krijuar hapësirë përfundi saj. E kemi hequr dheun 4 metra nën skenë dhe patëm gjet varreza turke. Ato përmendoret e varreve i kemi mbajt një kohë të gjatë në oborrin e Dodonës. Prandaj po kërkoj nga të gjithë të mos bëjnë histori të rrejshme sepse është gjynah”, deklaron Petrovci. Ai konsideron se të tjerët po e ngatërrojnë ndërtesën e teatrit, me shfaqjet që janë dhënë më herët.

“Teatri nuk është shfaqja, por është ndërtesa. Këta po e përziejnë teatrin, me shfaqjet që i kanë bërë përpara. Teatri nuk është organizatë artistike, por është ndërtesë. Këta që kanë bërë shfaqje për fëmijë, kanë bërë shfaqje para se me ardhë unë si drejtor. E kanë pas një zyre në Pallatin e Rinisë dhe tash e përziejnë me Dodonën. Fatkeqësisht mi kanë vjedh evidencat në banesë sepse i kam mbajt të gjitha për çdo shfaqje”, ka thënë Petrovci. Ai mban mend se në çdo shfaqje ka pasur shumë publikë, sa që është dashur të jepen mesatarisht gjashtë shfaqje në ditë.

“Artistët paguheshin shumë, varësisht nga shfaqjet që i jepnin. Ka pas njerëz që kanë marr deri në 700 marka në muaj. Unë si drejtor paguhesha nga shteti, ndërsa regjisorët si Faruk Begolli i paguaja me para të biletave deri në 200 marka në muaj”, shton Petrovci. Kur janë futur masat e dhunshme nga regjimi serb në Kosovë, teatrit megjithatë ka funksionuar. Petrovci thotë se i kanë kërkuar shpesh herë t’ua lëshonin sallën për mbledhje politike por këtë gjë e ka pranuar vetëm në një rast.

“Të vetmen herë që kam pranuar që t’ua lëshoj sallën për mbledhje politike, ka qenë kërkesa e Partisë Demokristiane”, ka deklaruar ai. Pas përfundimit të luftës, Petrovcin e kishin kërkuar përsëri për drejtor por nuk kishte pranuar.

“Kur përfundoi lufta unë nuk desha të bëhem drejtor edhe pse më takonte. Shkova në komunë me Lirak Çelaj dhe i kërkuam kryetarit të komunës që ta bëjë Faruk Begollin drejtor. Ai më tha që të mos i tregoj se kënd do ta bëjnë drejtor, por më pyeti nëse doja unë. Megjithatë, drejtor e caktuan Begollin”, përfundoi Petrovci.

‘Vodhën’ ulëset e parkut për shfaqje

Një nga shfaqjet e para të inskenuara në Dodona ose siç është quajtur atë kohë, ‘Skena e mbrëmjes’, ka qenë “Tregimi zoologjik”, i autorit Eduard Olbi, me regji të Faruk Begollit. Shfaqja ka pasur dy aktorë, Abdinaser Beka dhe Sunaj Raça. Asistent regjie ka qenë Arben Kastrati, skenografinë e ka bërë Visar Mulliqi ndërkaq udhëheqës teknik Asllan Hyseni. Kjo shfaqja ka pasur edhe diçka mjaft të veçantë. Pllakatin e saj e ka bërë piktori i njohur, i ndjeri Muslim Mulliqi. Shfaqja është dhënë çdo të martë në ora 19:30.

Aktori Sunaj Raça kujton kohën kur është ftuar nga Faruk Begolli për të bërë shfaqjen.

“Në vitin 1992 rinia filloj të largohej me të madhe nga Kosova për në Perëndim. Ishin kohëra të vështira. Situata e rëndë politike, dhuna e agresorit serb shtohej dita-ditës. Unë vendosa të mos dal jashtë, por vazhdova studimet në ato kushte dhe më duhej një shfaqje për të diplomuar në fakultet”, rrëfen Raça. Në po këtë vit Petrovci ishte emëruar drejtor në Dodona, ndërkaq Begolli ishte profesor i dy aktorëve. Regjisori i ndjerë ua kishte dhënë idenë studentëve Raça dhe Beka, që të diplomojnë me shfaqjen “Tregimi zoologjik”.

“Në atë vit u hap teatri Dodona dhe Enver Petrovci u emërua drejtor. Kështu u krijua një mundësi e mirë të bëjmë shfaqje për teatrin dhe të diplomojmë. Faruk Begolli e kishte idenë që unë dhe Abdinaseri të luajmë një duo dramë. Pas shumë vështirësive gjetëm tekstin e përkthyer dhe filluam punën”, tregon Raça. Ai vlerëson se metoda e Begollit ishte kryesisht e koncentruar tek loja e aktorit dhe emocioni për të krijuar interpretim bindës dhe natyrshmëri në skenë.

“Faruk Begolli merrej me aktorin, e sot pak regjisor din të punojnë me aktor, pasi edhe nuk e din punën e aktorit. Faruku ishte shumë i përkushtuar dhe nuk merrej me formën por me përmbajtjen”, deklaron Raça. Provat për shfaqje kishin zgjatur 3 muaj. Raça rrëfen historinë interesante se si e kishin përgatitur skenografinë.

“Mungonin paratë për skenografi dhe ne u detyruam që ta premë një pish në parkun e qytetit dhe ta ‘huazojmë’ një ulëse të parkut. Kështu u bëmë edhe shkelës të ligjit vetëm e vetëm për ta krijuar skenografinë”, thekson Raça. Ai tregon se para se të jepej premiera, në bufenë e Dodonës kishte ardhur edhe Muslim Mulliqi për ta punuar pllakatin me dy portretet e personazheve.

“I madhi Muslim Mulliqi erdhi në bufenë e teatrit Dodona dhe i bëri portret e dy personazheve në mënyrë maestrale. Pasi u bëmë me skenografi dhe pllakat e shfaqem premierën. Kemi pas sukses dhe shikueshmëri të madhe”, tregon Raça. Sot, ai kujton me nostalgji ditët e jetuara në kohën e artë të Dodonës.

“Dodona më mungon dhe shpesh dal me shokë e pimë nga një në bufe dhe i kujtojmë ditët kur nuk kishim asgjë. Ishim pa liri, pa asnjë cent në xhep, por ishim të pasur shpirtërisht sepse e kishim Dodonën dhe publikun”, përfundoi Raça./tribuna/

Më Shumë

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtarja kanadeze dhe fituesja e çmimit Nobel, Alice Munro

Autorja kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2013, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Munro shkroi tregime të shkurtra për më...

Përleshen fizikisht anëtarët e dy familjeve në Prizren, policia arreston shtatë persona

Dy familje janë përleshur fizikisht mes vete në Prizren, pas një mosmarrëveshje. Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar shtatë persona. Të njëjtit janë ndaluar për...

Lajmet e Fundit