24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Azem Vllasi: Më 2016, Isa President e Thaçi Kryeministër

Azem-VllasiIsa Mustafa është Kryeministri më i përgatitur për punët që e presin Kosovë. Edhe Hashim Thaçi duhet ta përkrahë liderin e LDK’së në pozitën e re. Mirëpo, Mustafa nuk do të jetë Kryeministër kukull. Ai duhet të jetë më i guximshëm se në jetën private. Pas dy vitesh, Thaçi do të rikthehet në pozitën e Shefit të Qeverisë e Mustafa do të ngjitet në Presidencë. Pavarësisht zhvillimeve, Kryeministri i ri duhet të fitojë edhe një mandat në krye të LDK’së. Analisti Azem Vllasi flet për Express.
Express: Cilat janë pritjet e juaja për Kryeministrin e ri Isa Mustafa, përkatësisht i gjashti prej pasluftës?

A.Vllasi: Për kah biografia profesionale, Isa Mustafa është Kryeministri nga i cili mund të pritet më së shumti në lëminë e cila duhet të jete prioritet i Qeverisë, e kjo është zhvillimi ekonomik. Me profesion është ekonomist dhe ka përvojë jetësore nga punët në këtë lëmi. Për dallim prej të gjithë të tjerëve që ishin në këtë post pas lufte, Isa është më i përgatituri për punët që Kosova i ka në prioritet. Dhe koha është e përshtatshme. Për dallim nga e kaluara kur në rend dite ishte organizimi i jetës në kushte të pasluftës, shpallja e pavarësisë dhe vendosja e themeleve të shtetit, tani është ekonomia, zhvillimi, punësimi i të rinjve, forcimi i institucioneve të shtetit, lufta kundër të këqijave që e rrënojnë shtetin, siç janë: korrupsioni, sundimi i ligjit, ndërtimi i administratës efektive dhe shërbimeve publike.

Besoj se Isa Mustafa nuk do të lejojë që të jetë Kryeministër-kukull
Express: Shumëkush po thotë se Qeveria i ka dy, tre e katër Kryeministra. Sa mund të jetë i pavarur në vendime Kryeministri i ri, duke pasur afër vetes liderin e PDK’së, Hashim Thaçi?

A.Vllasi: Kushdo që e ka në zemër interesin e shtetit dhe popullit para se pushtetin dhe ambiciet personale, pra edhe Hashim Thaçi, tani duhet ta përkrahin Kryeministrin Mustafa që ky me sukses ta kryejë detyrën që e ka. Për gjashtë muajt e kaluar ka pasur shumë kritika për veprimet e njerëzve të skenës politike. Por, tani kur është gjetur një zgjidhje, të gjithë duhet të rreshtohen për punë të mbarë. Punën e Qeverisë, të Kryeministrit, të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, duhet vazhdimisht ta vëzhgojë, jo vetëm Parlamenti dhe opozita parlamentare, por edhe opinion më i gjerë, mediat, shoqëria civile. Kur e dinë se vazhdimisht janë nën vëzhgimin e opinionit, njerëzit në pushtet do të sillen dhe do të punojnë më përgjegjshëm. Do të mbetet pak mundësi për hile, sherr, ndërskamca dhe imponime personale jashtë kompetencave të përcaktuara. Besoj se Isa Mustafa nuk do të lejojë që të jetë Kryeministër-kukull.

Më i guximshëm sesa në jetën private dhe në punë të vogla. Kur merr për detyrë me udhëheq shtetin, nuk i takon vetëm vetes dhe familjes. Besoj se Isa të gjitha këto i ka llogaritë mirë.
Express: Në një paraqitje televizive keni thënë se Isa Mustafa është i aftë, por nuk është i guximshëm për të marrë vendime të vështira. Sa mund të përballet Kryeministri i ri me sidën e luftës kundër korrupsionit, hapjen e Gjykatës Speciale etj.?

A.Vllasi: Unë besoj se Isa Mustafa mirë e ka vlerësuar se karrigia e Kryeministrit është e nxehtë. Njeriu, kur e merr me vetëdije detyrën që kërkon guxim, vendosmëri dhe sakrificë, atëherë vendos që të jetë i tillë. Më i guximshëm sesa në jetën private dhe në punë të vogla. Kur merr për detyrë me udhëheq shtetin, nuk i takon vetëm vetes dhe familjes, por një pjesë të komoditetit personal gjithsesi dedikon detyrës që ke marrë. Besoj se Isa të gjitha këto i ka llogaritë mirë.

Për Gjykatën Speciale vendimi preliminar është marrë nga Parlamenti në përbërje të mëparshme. Tani duhet të operacionalizohet. Luftën kundër korrupsionit duhet ta bëjnë organet e ligjit që u takon. Punë dhe obligim i Kryeministrit është që mos të lejojë ndërhyrje politike dhe pengesa tjera në punët e organeve gjyqësore e hetimore që duhet të luftojnë korrupsionin.

Thaçi lakmon në pushtet real e efektiv e jo protokolar. Ndërsa Isa pas dy viteve edhe mund të lodhet pak dhe sipas moshës, para pensionit, vendi i Presidentit do t’i vinte mirë
Express: Cili është vlerësimi juaj, a mund të jetë z. Mustafa katër vite në krye të Qeverisë dhe z. Thaçi më 2016 të bëhet President apo gjatë rrugës marrëveshja PDK-LDK do të prishet?

A.Vllasi: Sipas numrit të vendeve në Parlament, ky koalicion është stabil dhe mund qëndrojë deri në fund të mandatit. Por, pasi që në marrëveshje është përfshi posti i Presidentit për Hashim Thaçin, pas dy viteve, është e mundur që pas dy viteve Isa e Hashimi t’i ndërrojnë vendet. Thaçi lakmon në pushtet real e efektiv e jo protokolar. Ndërsa Isa pas dy viteve edhe mund të lodhet pak dhe sipas moshës, para pensionit, vendi i Presidentit do t’i vinte mirë

Express: Edhe pyetja e fundit: A mund të fitojë edhe një mandat z. Mustafa në krye të LDK’së pasi mori pozitën e Kryeministrit?

A.Vllasi: Udhëheqja e LDK-së, me vetëdije ka hyrë në këtë koalicion qeverisës duke kërkuar vendin e Kryeministrit me Isa Mustafën. Prandaj, do të ishte joserioze që mos t’i vazhdohet Isës mandati si Kryetar i LDK’së. Pa qenë lider partie këtij do t’i dobësohet pozicioni si Kryeministër. Madje, duhej të jep dorëheqje në postin e Kryeministrit. Kjo do të ishte e dëmshme tani kur mezi që u bë një Qeveri. Tek e fundit, LDK duhet që tani me Isa Mustafën pak të ushtrojë pushtetin real. Që prej formimit para 25 vitesh, prej Ibrahim Rugovës e këndej, LDK gjithnjë ka qenë njëfarë pushteti moral dhe jo real. Është parti shtetformuese dhe mirë që ka arritur ta marrë edhe pushtetin real.

Më Shumë

Askush përveç vetes sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley – “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen...

Itali, Angli dhe Arabi Saudite, Raphael Varane ka tre oferta në tavolinë

Epokës së Raphael Varane te Manchester United po i vjen fundi. Pas muajsh spekulimesh, është konfirmuar se mbrojtësi francez do të largohet nga klubi...

Lajmet e Fundit