Sezoni i verës, ardhja e diasporës, ngjarjet të cilat janë mbajtur në kryeqytet, kanë ndryshuar situatën për të mirë në sektorin e gastronomisë e hotelerisë.
Kjo ka rritur numrin e turistëve rreth 40% më shumë në krahasim me vitet e kaluara. Kështu ka thënë Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit. Por, Sogojeva kërkon nga qeveria që nga shtatori të zbritet TVSH-ja për gastronomët.
Sektori i hotelerisë ka pasur rritje këtë verë. Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit ka thënë se ka rritje të numrit të turistëve këtë vit krahasuar me vitet e tjera. Por që nga shtatori pret nga qeveria që të ulet TVSH-ja për gastronominë, sepse sipas tij, është e lartë në krahasim me vendet e rajonit.
“Në bazë të statistikave të cilat i kemi deri në muajin maj, është dukshëm më mirë sesa në tre mujorin e vitit të kaluar në të njëjtën periudhë. Ka filluar ta marrë të mbarën, për arsye se kemi diku rreth 40% rritje të turistëve duke iu falënderuar ngjarjeve të fundit siç janë “Sunny Hill”, “Manifesta 14”, “DokuFest” etj., e të cilat vetvetiu e kanë ngritur numrin e turistëve. E rëndësishme është që të zbritet TVSH-ja, sepse asnjë shtet i rajonit nuk e ka TVSH-në e lartë si ne”, është shprehur Sogojeva.
Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit në Kosovë, ka thënë për Radio Kosovën se këtë vit kemi pasur një numër të shtuar të vizitoreve në kryeqytet, ku sipas tij, aktivitetet që janë zhvilluar, kanë qenë ato të cilat i kanë tërhequr vizitorët.
“Kemi pas shtim të aktivitete të cilat janë zhvilluar në kryeqytet dhe komuna të tjera, e kjo ka bërë që të kemi një shtim të vizitorëve në kryeqytet. Nëse bëjmë një krahasim nga viti i kaluar kemi afro 25% rritje të vizitorëve krahasuar me periudhën e njëjtë nga vitit i kaluar”, ka thënë Hoti.
Ndonëse ka rritje të vizitorëve të huaj, Hoti thotë se edhe institucionet vendore duhet ta kenë parasysh që të ndajnë buxhete të konsiderueshme me qëllim të mbështetjes të këtij sektori, pasi që është një faktor mjaft i rëndësishëm si për ngritjen e ekonomisë si dhe të punësimit.