Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Enver Hoxhaj ka thënë se ideja për këmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë është mendësi e së kaluarës, e dëmshme dhe e papranueshme për vendin.
Në një prononcim për lajmi.net, Hoxhaj,duke folur rreth idesë për këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, dhënë nga shefi i zyrës së Rusisë në Prishtinë, Andrey Shugurov, ka thënë se deklarata e tij duhet të shihet në dy dimensione.
Sipas Hoxhajt, Rusia me këtë dëshiron të definojë interesin nacional të saj, ndërsa thekson se njohja e Kosovës nga 108 vende, marrëveshja me Serbinë në prillin e vitit 2013 dhe integrimi i serbëve në veri tregon se ide të tilla janë të dëmshme dhe s’duhet të merren seriozisht.
“Dimensioni i parë ka të bëjë me atë se kështu e definon Rusia interesin e saj nacional. Për Rusinë interesi nacional i saj ka të bëjë me territor, përderisa për pjesën demokratike të botës, interesat nacionale kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e vlerave të brendshme, natyrisht, dhe të sovranitetit. Por kjo është bota mentale nga e cila vjen shefi i zyrës ruse në Prishtinë”.
“Së dyti, një gjë e tillë për ne është e papranueshme dhe asnjëherë nuk ka qenë e pranueshme. Kështu, sepse njohjet e Kosovës nga 108 vende, të cilat i kanë njohur kufijtë e saj shtetëror, marrëveshja që kemi arritur me Serbinë në prillin e vitit të kaluar, e cila është për normalizimin e relacioneve të dy shteteve sovrane dhe të pavarura, integrimi i komunitetit serb në veri të vendit, pasi kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale dhe nacionale… Të gjitha këto flasin se projekte të tilla i takojnë së kaluarës, janë jashtë realitetit, janë të papranueshme dhe të dëmshme. Kështu që, deklaratat e tilla realisht nuk duhet të merren fare seriozisht”, ka thënë Hoxhaj.
Por, për një ide të tillë të këmbimit të territoreve nuk kanë folur vetëm të huajt. Përkrahës të kësaj mendësie kanë qenë edhe figura të rëndësishme kosovare.
Megjithëkëtë, Hoxhaj ka thënë se mospajtimi me këtë ide është qëndrim i Qeverisë së Kosovës, e kështu, sipas tij, ka qenë edhe në të kaluarën dhe do të jetë edhe në të ardhmen, ngase skenarët e tillë s’përkojnë me realitetin shtetëror.