I dëmtuari Hill Kaqinari nga Prizreni, ka mohuar se Patër Berisha, i akuzuar për tentim vrasje ndaj tij, ka dashur ta privojë atë nga jeta.
Të enjten, gjatë rigjykimit në këtë rast, i dëmtuari Kaqinari ka deklaruar se i akuzuari Berisha nuk ka pasur mundësi ta dëshirojë vdekjen e tij, pasi tha se me të kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shokë shumë të ngushtë.
Plagosjen nga gjuajtja me armë zjarri nga i akuzuari Berisha, ai e ka quajtur si aksident sepse sipas tij, i pandehuri vetëm ka dashur ta frikësojë, e jo edhe ta qëllojë. Tutje, ai ka thënë se në mes vete nuk kanë asnjë problem dhe se familjet e tyre janë mbledhur nën udhëheqjen e klerit fetar të tyre dhe kanë nënshkruar një akt-pajtimi, e cila po ashtu është administruar si provë.
Në këtë seancë ka dëshmuar edhe eksperti i psikiatrisë forenzike, mjeku Shpend Haxhibeqiri, i cili ka elaboruar ekspertizën të bërë për këtë rast penal. Eksperti ka thënë se pas tri seancave direkte me të akuzuarin, analizimit të shkresave të lëndës dhe raporteve në mes tij dhe të dëmtuarit, kanë ardhur në përfundim se i akuzuari ka pasur zvogëlim të konsiderueshëm të aftësisë për të gjykuar në momentin kur ka kryer veprën penale.
Sipas ekspertit, reagimi i të akuzuarit ka ardhur si pasojë e lodhjes psiko-fizike, qëndrimit në ambient me presion psikik duke u marrë me çështjet e biznesit, orët e vona të natës dhe si reagim ndaj fyerjes nga i dëmtuari. Këto rrethana, sipas psikiatrit Haxhibeqiri, të akuzuarin e kanë shtyrë të bëjë veprime emocionale të ngutshme, pa mundësi për të analizuar pasojat e mundshme.
I akuzuari Berisha, në mbrojtjen e tij, ka deklaruar se nuk ka pasur për qëllim që ta vrasë të dëmtuarin Kaqinari, por se ka reaguar në mënyrë të vrullshme pa menduar për pasojat. Ka kërkuar falje që ka ndodhur një rast i tillë dhe po ashtu, ka thënë se familjet e janë pajtuar dhe se ai me të dëmtuarin janë edhe më shumë të lidhur se para rastit.
Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare, ka thënë se nga provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar është dëshmuar se i akuzuari ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, andaj ka kërkuar që Berisha të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Berisha, ka deklaruar se nga provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar, e posaçërisht nga dëshmia e të dëmtuarit, nuk është arritur të provohet se klienti i tij ka kryer veprën penale të tentim vrasjes. Ai ka thënë se raportet familjare në mes tyre janë rregulluar dhe se ekspertiza psikiatrike ka treguar që i akuzuari ka pasur zvogëlim të konsiderueshëm të gjykimit. Andaj ka kërkuar që ndaj klienti të tij, duke u bazuar në këto rrethana lehtësuese, të shqiptohet një dënim sa më i butë.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, e ka shpallur të përfunduar këtë rigjykim, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 28 korrik 2017, në ora 09:00.
Patër Berisha akuzohet se më 29 prill 2014, pas mesnate, duke luajtur bixhoz në kazino me të dëmtuarin Hill Kaqinari, fillojnë të fjalosen rreth mosmarrëveshjeve për rregullat e lojës së pokerit, me ç’rast i akuzuari merr pistoletën dhe gjuan në drejtim të të dëmtuarit. Sipas aktakuzës i dëmtuari është goditur me armë zjarri në pjesën e abdomenit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, me rrezik për jetën.
I akuzuari Berisha, në janar të këtij viti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren dhe është dënuar me dënim unik prej 12 muajve burgim efektiv, 10 muaj për lëndim të rëndë trupor dhe 3 muaj për armëmbajtje pa leje.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, sipas ankesës së prokurorit të çështjes, e ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë, me arsye se dispozitivi i aktgjykimit me arsyetimin e të njëjtit, janë në kundërthënie. Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka dënuar të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, ndërsa në dispozitiv të aktgjykimit qëndron konstatimi se i akuzuari ka pasur qëllim ta vrasë të dëmtuarin./betimiperdrejtesi/